24 Ιουνίου, 2022

30 vite nga zgjedhja e Fortlumturisë së Tij Anastasit, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë

Διαδώστε:

Liturgji Hyjnore festive në Kishën e “Ungjillëzimit” në Tiranë

Sot, 24 qershor 2022, me Liturgji Hyjnore u kremtua 30-vjetori i zgjedhjes nga Patriarkana Ekumenike i Fortlumturisë së Tij Anastasit, si Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë. Në Liturgjinë e kryesuar nga Fortlumturia e Tij Kryepiskopi Anastas, bashkëmeshuan edhe Episkopi i Bylisit Hirësi Asti si dhe klerikë të dorëzuar nga Kryepiskopi Anastas në këto vite.

Në fund të Liturgjisë Hyjnore, Kryepiskopi Anastas iu drejtua besimtarëve duke përmblodhur edhe një herë momentet më domethënëse dhe vështirësitë që përshkuan zgjedhjen e Tij, veçanërisht për t’ua bërë të njohura më të rinjve, që nuk i kanë jetuar ato ditë historike për Kishën tonë. Ai tregoi për ardhjen në Shqipëri si Ekzark Patriarkal, njohjen me zgjedhjen si Kryepiskop nga Patriarkana Ekumenike e Konstandinopojës më 24 qershor 1992, ngurimet për pranimin e detyrës dhe kushtet që kjo zgjedhje të bëhej efektive, pranimin e detyrës dhe pengesat që pasuan nga grupe që nuk e donin ringritjen kanonike të Kishës sonë.

Fëmijët e shkollës “Protagonistët” të cilët në këto ditë po marrin pjesë në kampin e organizuar nga Kisha Orthodhokse, përshëndetën me këngë të krishtera dhe më pas i dhuruan lule Kryepiskopit Anastas, në shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje të thellë për gjithë çka bërë për Kishën dhe vendin tonë në këto vite baritimi si Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.

Fillimi i viteve ’90, megjithëse formalisht ishte rifituar liria e besimit, ishte dramatik për Komunitetin e besimtarëve orthodhoksë të Shqipërisë. Pa asnjë episkop, madje pa asnjë kandidat për t’u ngritur në këtë gradë; vetëm 15 klerikë në moshë pensioni e të sëmurë, pa kisha (ato ishin shkatërruar apo transformuar në objekte laike), pa mundësi financiare, për shkak të varfërisë së thellë, por edhe sepse shteti nuk mori përsipër asnjë detyrim për t’i mbështetur komunitet fetare, gjendja ishte dëshpëruese. Në këto kushte, i vetmi autoritet që kishte përgjegjësinë dhe mundësinë për të marrë iniciativa për ringritjen e Kishës Orthodhokse në Shqipëri, ishte Patriarkana Ekumenike e Konstandinopojës, Kisha Mëmë, që Kishte dhënë Tomosin e Autoqefalisë, në vitin 1937. Ajo njihet nga të gjitha Kishat Orthodhokse si e para për nga radha dhe përgjegjëse për Kishat nevojtare. Patriarkana dërgoi në Shqipëri për të parë situatën dhe nevojat një nga njerëzit më të kualifikuar, të njohur në të gjithë botën Orthodhokse dhe më gjerë, Mitropolitin e Andrusës, Prof. Dr. Anastasin, në atë kohë Moderator i Komisionit të Misionarizmit dhe Ungjillëzimit të Këshillit Botëror të Kishave dhe Kryepiskop i komanduar i Arqidioqezës së Kenias, Ugandës dhe Tanzanisë.

Për shumë vjet o Kryezot!

Radio “Ngjallja”

Διαδώστε: