E DIELA II E MATTHEUT
Mattheu 4, 18-23.
FTESË DHE PËRGJIGJE
“Ejani pas meje… edhe ata menjëherë… shkuan pas tij.” v. 19
Zoti ynë fillon veprimtarinë e Tij publike. Do që të zgjedhë bashkëpunëtorët e Tij. Në breg të liqenit Gjenisaret takon Pjetrin dhe Andrean. “Ishin peshkatarë”, shënon Ungjillori i shenjtë. Për vite me radhë tashmë hidhnin rrjetat e tyre në detin e Galilesë. Kjo ishte puna e tyre. Kështu e fitonin bukën e tyre, përjashta, nën diell, duke u ndeshur me elementet e natyrës. Pranë tyre vjen Jisui. Zoti u afrohet njerëzve që rrinin në fshatra. Shikon jetën e tyre, thellësinë e shenjtë të shpirtit të tyre. Pranë atyre, që jetojnë në zona rurale, le të zhvendosemi dhe ne sot. Le t’u afrohemi, por çfarë do të konstatojmë?
Vuajtje dhe mundim çdo ditë. Jeta e tyre është e mbushur me tortura dhe agoni. Fytyrat e tyre, siç janë të djegura nga dielli, të kujtojnë fjalët e Shkrimit të Shenjtë: “Me djersën e ballit do ta nxjerrësh bukën e gojës.” Zanafilla 3, 19. Rrudhat, që kanë shënuar ballin e tyre, theksojnë kushtet e vështira të jetës së tyre.
Shikoni nxënësit. Zoti i takon “duke hedhur rrjetën në det”. Fjala “duke hedhur” nënkupton se shumë herë ishte bërë kjo punë e vështirë. Dhe, pohojmë, se nuk është një mundim i pakët të vozitësh për orë të tëra i kërrusur mbi veten tënde. Të hedhësh i përkulur rrjetën në det ndërkohë që lagështia vadit tërë trupin tënd. Dhe gjithë ky mundim të vendoset brenda kornizës së dyshimit. Çfarë të llogaritësh, pasi shumë herë, përfundimi është zhgënjyes. “Gjithë natën u munduam, dhe nuk zumë gjë”, i tha Pjetri Zotit në një rast tjetër. Llukait 5, 5. Dhe sigurisht nuk do të ishte hera e parë, që ndodhte diçka e tillë.
Nëse tani do të ikim nga deti dhe do të zhvendosemi në tokë, do të konstatojmë se torturat e së parës bëhen psherëtima të së dytës. Bujqit tanë dhe në përgjithësi fermerët mundohen. Punë e vështirë. Dhe nëse mundimi i tyre është i madh, fitimi është i vogël. Djersën e tyre e ha tregtari. Punëtorët e ndershëm të tokës ndeshen shpeshherë me shfrytëzimin!
Gjëja e dytë, që konstatojmë nga komunikimi ynë me këta njerëz, është se kanë një fisnikëri shpirtërore. Do të mendonte dikush se jeta e vështirë, ka ndikuar dhe në shpirtin e njeriut rural. Por, megjithatë, diçka e tillë nuk ndodh. Të gjithë ata njerëz në përgjithësi kanë një thellësi, një kulturë shpirtërore. Sa më e ashpër është ana e tyre e jashtme, aq më delikate është brendësia e tyre. Shthurja nuk i ka gërryer siç bën me njerëzit e tjerë. Me gjithë mangësitë e tyre, ata përbëjnë kapitale shpirtërore për jetën tonë. Gatishmëria që tregojnë peshkatarët e Galilesë ndaj ftesës së Zotit, gjithashtu dhe parapëlqimi i Jisuit për këta njerëz, na thotë diçka për përmbajtjen shpirtërore të njerëzve të fshatit. Madje dhe vetëmohimi i dy vëllezërve Andreas dhe Pjetrit, ashtu si dhe ai i bijve të Zebedeut, që “përnjëherë lanë lundrën edhe të atin e tyre, edhe shkuan pas Jisuit”, kanë si kusht lartësi shpirtërore.
Kështu, atë që nuk e gjen dikush te “njerëzit e kulturuar” dhe te qarqet shpirtërore, e gjen tek njerëzit e thjeshtë të detit dhe të tokës. Pranë tyre prek tokën dhe takon qiellin. Shikon një trup të dobët dhe ndjen se brenda tij fshihet Perëndia. Nëse habitemi për njerëzit “shpirtëror”, sepse pranë tyre në vend të frymës gjejmë materien, në vend të shpirtit mishin dhe në vend të Perëndisë “barkun”, çuditemi kur u afrohemi njerëzve rural. Thjeshtësia e tyre, mikpritja e tyre, na mallëngjen. Dashuria e tyre na robëron. Besa e tyre na mëson. Përkushtimi i tyre ndaj traditave na inkurajon.
Dhe në këtë pikë fshati na ushqen. Nuk na ofron vetëm ushqime, por na jep dhe gjak të ri, na transmeton pak frymë. Na ripërtërin jetën tonë shpirtërore me madhështinë e tij shpirtërore. Shëndeti i tij moral i kundërvihet ligësisë së larmishme dhe shthurjes, që gjen vend të përshtatshëm në qytetet e mëdha.
Nxjerr në pah në mënyrë të theksuar detyrën tonë për njerëzit e fshatit. Njerëzit janë të ngopur nga fjalët dhe kanë uri për përkujdesje. Të gjithë ne mund të bëjmë diçka. Sa kanë fuqi le të vrapojnë, që të zgjidhen çështjet e mëdha të fshatit, siç është ushqimi i tij shpirtëror, përkujdesja mjekësore, transporti, drita dhe uji. Të tjerët, më të shumtët, le të bëjnë diçka për fëmijët e shkollës, që kanë nevoja kolosale, për kishën e fshatit, që ka shumë mungesa. Le t’u afrohemi si Zoti, që “ecte pranë detit të Galilesë”.
Një ftesë të veçantë hyjnore u drejton Zoti peshkatarëve. Nuk është e rastësishme zgjedhja që bën Krishti, ka dhe një synim më të madh. Do që të vërtetojë se vepra e Tij shpëtuese nuk mbështetet në aftësitë njerëzore. Nëse do ta merrnin përsipër këtë Farisenjtë, Shkruesit, të urtit sipas botës, do të mendonte dikush se kjo është një punë e pastër njerëzore. Tani nuk ka asnjë dyshim se është një vepër hyjnore dhe mbinatyrore. Dobësia e peshkatarëve është një vërtetim i madh për këtë. Kështu vërtetohen dhe fjalët e apostull Pavlit, që shkruan për Korinthianët: “Perëndia zgjodhi marrëzitë e botës, që të turpërojë të diturit; edhe Perëndia zgjodhi dobësitë e botës, që të turpërojë të fortët.” 1 Korinthianëve 1, 27.
Ajo që na bën shumë përshtypje është gatishmëria e katër peshkatarëve, për të ndjekur pas Krishtin. Nuk ngurojnë asnjë moment. Nuk pyesin: Ku do shkojmë? Si do jetojmë? Ku do t’i lëmë njerëzit e shtëpisë sonë? Me gatishmëri dhe të vendosur i lënë varkat e tyre të dashura. Djemtë e Zebedeut braktisin atin e tyre të moshuar, varkën e atit të tyre dhe të gjitha pasuritë e tyre, që të ndjekin pas Zotin drejt të panjohurës… Nuk mund të dimë se çfarë kuptuan nga fjalët e Zotit, se do t’i bëjë peshkatarë njerëzish! Pa llogaritje dhe marrëveshje, pa shumë bashkëbisedime, “menjëherë shkuan pas Tij”. Kjo “menjëherë” shkakton me të vërtetë shumë habi. Menjëherë, pa anuluar, e dorëzojnë “pa kushte” veten e tyre tek Krishti. Tek Jisui, që atëherë ishte pa asnjë ndriçim, tek Zoti që, deri në atë moment, nuk kishte bërë asnjë mrekulli, as nuk u premtoi pasuri, rehati, nderime dhe lavdërime.
Secilido nga ne, nëse do të ishte në vendin e tyre, do të nguronte duke dëgjuar zërin e llogjikës. Por peshkatarët ndjekin nxitjen e zemrës së tyre, që filloi papritur të rrahë me një ritëm të ri, kur panë Zotin. Peshkatarët e Galilesë gjatë gjithë jetës së tyre u përgjigjen me vetëmohim të mrekullueshëm ndaj ftesës së Zotit. Po ne çfarë bëjmë? Mos vendosim së pari logjikën dhe synimet tona materiale dhe të përbotshme? Kanë kaluar më shumë se njëzet shekuj, që nga ajo ftesa e parë e Krishtit. Gjatë gjithë këtyre shekujve Zoti Jisu nuk reshti së ftuari përsëri me të njëjtën mënyrë: “Ejani pas meje”. Njerëz brenda nga rreshtat e popullit të thjeshtë, ashtu si peshkatarët, që u bënë apostuj dhe të tjerë nga jeta mëkatare apo nga padija dhe mashtrimi. Doganier dhe mëkatarë, por edhe shpirtra shpresëtarë, të urtë dhe të paditur, i ftoi në shpëtim.
Të njëjtën ftesë i drejton edhe sot secilit prej nesh. Na fton dhe na pranon ashtu siç jemi. Me dobësitë tona dhe me pasionet tona, ashtu si edhe dymbëdhjetë Nxënësit para Ngjalljes së Zotit tonë, shfaqën dobësitë e tyre… Por ajo që ka rëndësi për Krishtin është t’i përgjigjemi me përulësi dhe gatishmëri ftesës së Tij. Është një kusht i domosdoshëm, që ta ndjekim pas besnikërisht, me vetëmohim, të fillojë dhe në zemrën tonë ndryshimi dhe shpërfytyrimi. Sa të lumtur do të jemi nëse e ndjekim gjithmonë Krishtin! Apostujt e shenjtë, që e ndoqën pas me besnikëri, u nderuan dhe u lavdëruan me lavdi të vërtetë dhe të paarritshme. Le të ndjekim shembullin e tyre të shenjtë.
* * *
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!
Nxënësit e parë, “menjëherë duke lënë rrjetat shkuan pas Tij”. Le t’i lëmë edhe ne rrjetat tona, që na lidhin me materien, paranë, dëfrimet mëkatare. Dhe le ta ndjekim pas. Në rrugën e Tij do të takojmë lirinë e vërtetë. Lumturinë, që dhuron lufta e virtytit.
U bëftë!
ME URIME TË PËRZEMËRTA DHE BEKIME TË SHUMTA:
MITROPOLITI I BERATIT, VLORËS DHE KANINËS
† IGNATI
Berat më 04.07.2021
