E hënë, 8 prill 2024 – Shenjtori i ditës
Apostujt Herodioni, Agavi, Rufi, Flegonti, Asinkriti, Ermiu nga të 70-t. Amandi i Komos. Celestini i Romës.
JEMI NË KRESHMËN E MADHE TË PASHKËS (18 MARS – 5 MAJ)
– APOSTUJT HERODIONI, AGAVI, RUFI, FLEGONTI, ASINGRITI, NGA TË 70-t –
Shën Herodioni ishte nxënës i apostullit të shenjtë Petro dhe e shoqëroi në vizitat e tij hierapostolike, pastaj u hirotonis prej tij episkop i qytetit të Hipatisë (Patra e Re), në Fiotidë. Ai e predikonte Ungjillin me trimëri të madhe dhe ktheu shumë veta në të krishterë, prandaj u kap dhe u rrah nga paganët: disa e goditën me kamxhik e me shkopinj, të tjerë i thyen gjymtyrët me gurë. Në fund, pasi i prenë fytin, shën Herodioni fitoi kurorën e martirizimit.
Shën Agavi bënte pjesë në grupin e shtatëdhjetë nxënësve të Zotit dhe kishte marrë dhuratën e profecisë. Shën Llukai tregon në Veprat e Apostujve (11:28), se ai shkoi në Jerusalem nga Antiokia për të vizituar apostujt Petro dhe Varnava dhe, nën frymëzimin e Shpirtit të Shenjtë, paratha zinë e madhe të bukës, që, gjatë kohës së sundimit të Klaudit (44-48), shkatërroi për katër vjet me radhë Perandorinë Romake. Pas disa vjetësh, ai i bëri vizitë shën Pavlit, që ndodhej në shtëpinë e dhjakut Filip në Qesari dhe mori rripin e tij, ia lidhi duart dhe këmbët duke thënë: “Ja ajo që thotë Shpirti i Shenjtë: Njeriu të cilit i takon ky rrip, judejtë do ta lidhin kështu në Jerusalem dhe do ta dorëzojnë në duart e paganëve” (Vep. 21:11). Kur u krye kjo profeci, shën Agavi vazhdoi të predikonte Ungjillin deri në ditën e prehjes së tij të lumur.
Shën Rufi (Rufus) ka mundësi të ishte i biri i Simon Kireneasit, që përmendet në Ungjillin e Shën Markut (15:21). Në letrën drejtuar Romakëve, shën Pavli shkruan: “Përshëndeteni Rufin (Rufusin), të zgjedhurin në Zotin, dhe nënën e tij që është gjithashtu nëna ime” (16:13). Më pas u bë episkop i Thivës në Greqi.
Asinkriti dhe Flegonti, që përmenden nga shën Pavli në letrën për Romakët (16:11), predikuan Ungjillin në vende të ndryshme të botës dhe kthyen një numër të madh paganësh në besimin e vërtetë. Ata duruan të gjitha llojet e torturave dhe fituan së bashku, në të njëjtën ditë, kurorën e martirit.
* * * * *
– CELESTINI I, PAPË I ROMËS –
Me origjinë nga Roma, i lumuri Celestin ishte për disa kohë nxënës i shën Ambrozit të Milanos (7 dhjetor) dhe kishte miqësi me shën Agustinin (15 qershor). I dalluar për virtytet, u zgjodh papë i Romës në vitin 422. Gjatë dhjetë viteve të episkopatit të tij të trazuar, u detyrua të luftonte mbi të gjitha për mbrojtjen e besimit të vërtetë. Ai ndërhyri në mënyrë energjike për të kundërshtuar pelagjianizmin që po përhapej në shumë Kisha lokale të Perëndimit dhe për këtë arsye dërgoi në to shën Paladin, pastaj shën Gjermanin e Okserit (31 korrik), të shoqëruar nga shën Lupi i Trojesit (29 korrik). Tregoi zell të madh për ruajtjen e Orthodhoksisë dhe të disiplinës kishtare, në lidhje me Kishat e Vjenës, Narbonës, Kalabrisë dhe Ilirisë.
I vënë në dijeni nga shën Kirili për herezinë e Nestorit, Celestini e dënoi në sinodin lokal, që mblodhi në Romë në vitin 430. Në vitin pasardhës, kur u mblodh Sinodi Ekumenik i Efesit, nën kryesimin e shën Kirilit, ai dërgoi tre përfaqësues për të dëshmuar pranimin nga Kisha e Romës të doktrinës së kryepiskopit të Aleksandrisë për personin e vetëm të Krishtit. Pas aforizimit të heretikut, ai i drejtoi një letër perandorit Theodhos II, patriarkut Maksimian dhe popullit të Konstandinopojës, për t’u dëshmuar gëzimin e tij për triumfin e së Vërtetës.
Fjeti në paqe në vitin 432 dhe u varros në një bazilikë që ishte zbukuruar me afreske që përkujtonin Sinodin e Tretë Ekumenik.
08 Απριλίου, 2024
Apostujt Herodioni, Agavi, Rufi, Flegonti, Asinkriti, Ermiu nga të 70-t. Amandi i Komos. Celestini i Romës
Διαδώστε:

Διαδώστε: