Përpara disa javësh, të dashur besimtarë, një prift kishte një bisedë me dy miqtë e tij. Në këtë bisedë po flisnin për shqetësimet e jetës sonë, sidomos në vendin tonë që i kemi aq të shumta dhe po thoshin ndër të tjera për rolin dhe kontributin e të krishterëve në shoqërinë e sotme. Se si ata mund të përballonin të gjitha sfidat që ka jeta e sotme.
Në një moment kleriku i pyet ata dhe ju thotë: “ Po ju si arritët të bëheni kaq miq me njëri-tjetrin? Ata përgjigjen: “ Ne njiheshim me njëri-tjetrin më përpara, vetëm thjesht përshëndeteshim, por kur u bëm pjesë e kishës, pjesë e besimit ne krijuam një miqësi shumë të fortë”. “E shikoni,- u thotë kleriku,- që besimi u ndihmoi juve që të forconi miqësinë tuaj dhe të krijoni një miqësi të vërtet, por çfarë bëhet me fëmijët tuaj? Ju të dy keni familje dhe fëmijë. Sa njihen fëmijët e dy familjeve tuaja me njëri-tjetrin? Sa kanë ata miqësi me njëri- tjetrin? Zero, aspak. Si do të munden të përballojnë ata jetën kaq të vështirë të shoqërisë së sotme, me problemet e shumta, me tundimet e shumta, me sfidat e shumta? Kush do të jetë ai shoku ose shoqja e tyre, i cili do ti ndihmoi ata për të përballuar gjithë këto vështirësi që do të kenë në jetë ”.
Ky mbetet një problem i vështirë për komunitetin tonë. Fatkeqësisht kemi shumë familje të krishtera, me fëmijë, por që fëmijët nuk njihen me njëri-tjetrin. Të krishterët nuk njohin të krishterët me njëri-tjetrin. Si do munden në të ardhmen të përballojnë jetën e tyre? Jeta është një xhungël, duhet të jesh luan që të mundemi ta përballojmë atë.
Ne sot në fund të Liturgjisë Hyjnore do të bëjmë një lutje për fillimin e vitit të ri shkollor për fëmijët dhe të rinjtë që fillojnë zyrtarisht nga nesër vitin e ri shkollor. Dimë sa shumë përpjekje kanë bërë prindërit, sa shumë janë kujdesur ata që të bëjnë të gjitha ato përgatitjet e nevojshme për fillimin e vitit të ri shkollor. E dimë sa shumë sakrifica bëjnë prindërit vazhdimisht për ata, për gjithë mësimet që do të ndjekin gjatë vitit shkollor. Disiplinë të fuqishme u vihen atyre që do të ndjekin shkollën, në mëngjes duhet të ngrihen në orën e caktuar sepse në orën 800 do të fillojë programi i mësimit. Përgatitin kaq orë duhet të zhvillojnë mësimin, më pas pasi vijnë nga shkolla, vendosin programin e studimit, për t`iu thënë atyre se sa shumë sakrifica duhet të bëjnë ata, të përgatiten për mësimet. Bëjnë shumë mirë në fakt për këto.
Po për çështjen e besimit çfarë bëjmë ne prindërit? Shën Siluani thotë: “ Njëriu është qënie zakoni”. Neve pra mësojmë disa zakone, Disa gjëra në jetën tonë dhe i bëjmë ato gjatë gjithë jetës sonë. Prandaj është e rëndësishme që të mësojmë zakone të mira në jetën tonë. Prandaj është e rëndësishme që fëmijëve ti mësojmë zakone të mira në jetën e tyre. Ti mësojmë ata të luten. Ti mësojmë ata që të mbajnë kreshëm. Ti mësojmë ata që të kenë shpresën në dashurinë e Perëndisë. Ti mësojmë ata që dita e dielë është ditë e shenjtë dhe duhet të shkojmë të adhurojmë Zotin. Ti mësojmë ata me falje, me pendim, me rrëfim. Me misteret dhe jetën e kishës. T`u mësojmë atyre pra, zakone të mira.
Kujdesemi aq shumë për pjesën tjetër të jetës dhe të shkollimit, që nga të gjitha ato që do të mësojnë në jetën e tyre, nuk e dimë nëse do të përdorin as 1% apo do të mbajnë mend 1% të atyre që kanë mësuar. Ndërsa nëse i mësojmë gjërat e besimit, do ti duhen dhe do të jenë të dobishme për gjithë jetën e tyre. Nëse bëjmë të tilla gjëra, nëse i forcojmë ata në besim është si ajo që thotë Zoti që ndërtojmë shtëpinë në shkëmbë. Në themele të sigurta dhe i ndihmojmë fëmijët të ndërtojnë shtëpinë e tyre, jetën e tyre mbi këtë shkëmb të sigurtë, për të përballuar të gjitha sfidat që do të sjell jeta e tyre.
Në fakt, të dashur besimtarë, bota na sfidon. Njerëzit e botës na sfidojnë. Ajo që thotë Zoti, që bijtë e kësaj bote janë më të zgjuar se bijtë e dritës. Bijtë e botës bëjnë për njëri-tjetrin, krijojnë një miqësi shumë të fortë me njëri-tjetrin. Janë gati të japin dhe jetën për njëri-tjetrin, ndërsa ne të krishterit jemi si ata zogjtë e korbit, njëri ketej, njëri andej, njëri në shtëpi, tjetri në punë, njëri në shkoll, njëri në gjumë, larg njëri-tjetrit. Kështu do të vazhdojmë ti mësojmë fëmijët tanë? Kështu?
Është përgjegjësi për ne prindërit, jemi të bekuar nga Perëndia që të kemi këtë gëzim të madh tëkemi fëmijët në jetën tonë dhe ti rrisim ata, por kemi një përgjegjësi të madhe për edukimin e tyre. Kemi një përgjegjësi të madhe për shpëtimin e tyre. Kemi një përgjegjësi të madhe që ne ti drejtojmë ata drejt Mbretërisë së Perëndisë.
Në një tregim që shkruan një shkrimtar i njohur, tregohet një ngjarje e cila ndoshta është aq e zakonshme në jetën e sotme. Ishte një familje dhe kishte një vajzë të vogël. Papritur e ema e asaj vajzës sëmuret nga një sëmundje e rëndë dhe ndërron jetë. Tani bie gjithë barra dhe përgjegjësia mbi të atin. Ai ishte shumë i ngarkuar me çështjen e punës, kishte një barrë tashmë që duhet të siguronte të ardhura për jetën e tij dhe për vajzën. Kur vinte në shtëpi, hiqte pallton, linte këpucët, shkonte tek divani i tij, fillonte të merej me gjërat e tij të punës edhe të çlodhej. Vinte vajza e vogël nëpër këmbët e tij, e thërriste babi, babi, dhe donte që të luante e të argëtohej me atë. Babai i thoshte: “ Më ler rehat tani, jam i lodhur gjithë ditën me punën, shko luaj me lodrat e tua, shko në rrugë dil jashtë luaj me shoqet dhe shokët e tu”. Edhe vajza dilte jashtë në rrugë dhe mësoi jetën e rrugës. Bëri një jetë të keqe, por nuk kaluan shumë vite edhe vajza vdiq. Atje kur u shfaq përpara gjykimit, ishte Apostull Petro që i thotë Zotit: “ Kjo vajzë ka bërë një jetë të keqe dhe meriton të shkojë direkt në ferr”. Zoti i thotë: “Jo, nuk do të dënosh këtë në ferr, por do të dënosh të atin e saj në ferr, sepse ai e çoi në këtë rrugë. Këtë shpirt mere dhe çoje në Parajsë”.
Shumë here do të na thotë neve Zoti për njerëzit tanë, për të afërmit tanë, nëse ne nuk i ndihmojmë ata në rrugën e shpëtimit. Shumë herë do të ndodh kjo gjë nëse ne prindërit nuk kujtojmë përgjegjësinë e madhe që kemi për fëmijët ti drejtojmë drejt Mbretërisë së Perëndisë.
Përfundimisht, të dashur besimtarë, le të përpiqemi secili prej nesh, kisha nuk është e klerikut, nuk është e episkopit. Sot episkopin e keni, neser pas disa vitesh ndodhta nuk e keni, por kishën do ta keni vazhdimisht. Kisha nuk është vetëm e juaja por edhe e fëmijëve tuaj. Çfarë trashëgimie do ti lini fëmijëve? Çfarë trashëgimie do ti lini këtij komuniteti? Është për ti thirrur mendjes dhe për të bërë një thirrje të fortë brenda në zemrën tonë. Cfarë do të bëjmë që fëmijët dhe të rinjtë ti ndihmojmë në rrugën e besimit? Të lidhin miqësi të ngushta dhe të forta me njëri-tjetrin që në të ardhmen kjo miqësi do të jetë që do ti ndihmoj ata, por do të jetë dhe dëshmia e vërtet e krishterë që do të ndihmojë dhe breza të tjerë në vazhdimësi drejt Mbretërisë së Perëndisë.
Le të lutemi dhe le të përpiqet secili prej nesh të bëj më të mirën e mundëshme dhe Perëndia nëse do të shoh përpjekjen tonë,do të bekojë patjetër gjithçka. Amin!
Nga predikimi i Mitropolitit të Apollonisë & Fierit, +Nikolla, E Diela e I e Lukait dt. 26/09/2021
