E enjte, 14 prill 2022 – Shenjtori i ditës.
Apostujt Aristarku, Pudi, Trofimi nga të 70-t. Dëshmor Ardalioni. Dëshmore Thomaidha.
JEMI NË KRESHMËN E MADHE TË PASHKËS
– Apostull Aristarku –
Aristarku bënte pjesë në grupin e të Shtatëdhjetë apostujve.
Përmendet dy herë nga shën Pavli në Letrat e tij (Kol. 4.10; Filem. 23). Ai u shfaq si një Joan Pagëzor i dytë, sepse, njëlloj si ai, ushqehej me bimë, mjaltë dhe filiza pemësh, gjithashtu vishej me një tunikë të thjeshtë prej lëkure.
U bë episkopi i Apamisë në Siri dhe ktheu në besim dhe te njohja e së vërtetës tërë paganët e qytetit.
Apostull Aristarku kremtohet edhe në datën 27 shtator.
* * * * *
– Dëshmore Thomaidha –
Rasti i saj është shumë i rrallë. U bë e denjë të martirizohej jo për hir të besimit, por për hir të moralit. Lindi në Aleksandri, në shekullin e 5-të, nga prindër shpresëtarë, të cilët e rritën me frymë të krishterë. Në moshën 18-vjeçare iu dha për bashkëshorte një të riu, gjithashtu shpresëtar. Rronin të shkujdesur në mirëkuptim e në qetësi të plotë, deri në çastin kur gjatë mungesës së të shoqit, djalli i ndezi një dëshirë të paturpshme vjehrrit që banonte bashkë me ata.
E reja e kundërshtoi plakun e marrë e të verbuar nga vrulli i shfrenuar dhe u përpoq ta këshillonte. Por ai, i rrëmbyer nga pasioni prej maniaku, kapi shtizën e të birit dhe e goditi nusen në kokë, duke ia çarë më dysh. Por menjëherë humbi dritën e syve dhe u pendua. Duke ecur i çoroditur mbi gjakun e së resë, u pohoi atyre që erdhën me nxitim dhe panë ndodhinë dhe u kërkoi ta çonin te guvernatori i qytetit për t’u ndëshkuar. Dhe vërtet ai u dënua me prerje të kokës.
Duke marrë vesh se çfarë kishte ndodhur, zbriti në Aleksandri dhe mori pjesë në varrimin e saj avai i shquar Daniel, kryetar i Skitës së Nitrisë. Pastaj, ai mori lipsanin e shenjtë dhe, meqë ishte fjala për një dëshmore të moralit, e solli dhe e varrosi në varrezat e etërve, me gjithë kundërshtimet e tyre.
Dikur një murg, i cili mundohej nga mendime të mospërmbajtjes, shkoi në varrin e saj dhe u lye me vajin e kandilit që ishte mbi të. Në ëndërr e bekoi shenjtorja dhe në mëngjes ai u zgjua i çliruar nga mundimet. Nga kjo dhe nga ndodhi të tjera të ngjashme, shenjtorja u nderua si dëbuesja e ngasjeve trupore.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë
