“Bekoni”, thotë Apostull Pjetri, “duke ditur, se ju jeni thirrur që të trashëgoni bekimin”. Kush ka marrë bekim, ai vetë do ta japë atë. Mirësia e Perëndisë, dashuria e Perëndisë do të mbetet në zemër për shumë kohë, ato kanë vetinë të shkojnë më tej dhe kjo zemër është e përcaktuar të jetë udhërrëfyese.
Rryma qiellore rrjedh nga një shpirt në tjetrin dhe shpirti, duke u derdhur, përsëri mbushet prej asaj “Lumi i Perëndisë është plot me ujë” (Ps. 64:10). Kështu ndodhi me Abrahamin, kur ai me “besim” iu bind thirrjes dhe u bë babai i të gjithë besimtarëve.
Kështu ndodhi dhe me shumë ungjillorë të Dhiatës së Vjetër dhe të Dhiatës së Re, shërbëtorë të Perëndisë. Po asaj thirrjeje duhet t’i bindemi edhe ne, thirrjes për të qenë besimtarë të vërtetë, ta hapim shpirtin gjerësisht për të pranuar bekimin më Krishtin të përcaktuar për të, për t’u mbushur me të deri në fund dhe që këtej, duke kujtuar se ky bekim i është dhënë njeriut jo vetëm për vete, por për t’ia u transmetuar atë të gjithë të tjerëve.
Dhe kjo dhënie kryhet çdo herë qetësisht, pa fjalë, pa bujë, me atë ndikim të pandërprerë, të palëkundur, që vepron në çdo zemër, në çdo rrethanë, pa marrë parasysh kundërshtimin dhe pengesat. Fëmija do t’i jepet këtij pasqyrimi të ngrohtë të dashurisë së Krishtit dhe zemra e tij do të kthehet te Shpëtimtari; i riu i shkujdesur do të ndalet dhe do të mendohet kur të ndeshet me një mbajtës të tillë të bekimit; i varfri do të ndiejë përkrahjen qiellore dhe do të falënderojë Zotin.
Në familje, një enë e tillë e mirësisë do të jetë mbështetje, ndihmë, dritë për të gjithë. Mëkati nuk do të jetojë në fqinjësi me të dhe mëkatari do ta ndiejë veten të shqetësuar dhe të demaskuar.
Për një forcë të tillë kanë nevojë edhe njerëzit dhe ajo i jepet cilitdo, madje, edhe më të pafuqishmit, i cili, duke njohur pafuqishmërinë dhe zbrazëtinë e vet, shkon tek Burimi dhe mbushet prej tij.
