11 Μαρτίου, 2022

DOLI NE QARKULLIM BOTIMI I RI I PLOTRESUAR ” LIBER I SHERBESAVE TE SHENJTA TE KISHES ORTHODHODKSE”

Διαδώστε:

Me bekimin e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës dhe të Gjithë Shqipërisë, Prof. Dr. Imzot Anastasit, u botua teksti liturgjik: “Libër i Shërbesave të Shenjta të Kishës Orthodhokse”, i cili është një nga librat më të domosdoshëm e më të përdorshëm për klerin tonë dhe për Kishën.
Ky libër është ribotim i përmirësuar dhe i plotësuar i Librit të Shërbesave të vitit 1994, i gjashti në radhë që prej botimit të parë të vitit 1909, përkthyer për herë të parë nga greqishtja në shqip prej të përndershmit Atë Theofan S. Noli, botuar në Boston Mass. të Amerikës.
Në këtë botim të përmirësuar, janë marrë parasysh botimet e mëparshme, si dhe janë bërë plotësime të reja të nevojshme, që botohen për herë të parë: Rregullat tipikonale në Agripni, në bashkëmeshimin priftëror, në pjesëmarrjen e kryepriftit në shërbesa, Udhëzime për shprehjet përkujtuese kremtuese. Gjithashtu, botimi është plotësuar me udhëzime shtesë brenda shërbesave ekzistuese si dhe me shërbesa të reja (si Mbrëmësoret e Mëngjesoret e përditshme, e të kremteve dhe e Kreshmës së Madhe).
Po ashtu, përmbajtja është pasuruar me Hyrtoret e të kremteve zotërore, Përlëshore ngjallësore dhe shenjtorësh, Shkurtore të përditshme, zotërore e hyjlindësore, Dërgimsore të përditshme, Aliluaret e të dielave, Përlëshimet e të kremteve zotërore, tekste të cilat gjendeshin të shpërndara në botimet e mëparshme.
Së fundi, është bërë përpjekje për të njëtrajtësuar variante termash, himnesh dhe shënimesh të botimeve të deritanishme. Në disa himne, për arsye të muzikës, janë lënë shenja pikësimi që mund të bien ndesh me rregullat e drejtshkrimit.
Për të realizuar pasurimin dhe plotësimin e këtij botimi, përveç botimeve liturgjike ekzistuese në shqip, janë përdorur edhe përkthime të posaçme.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

Διαδώστε: