Festa e Emrit të Kryepiskopit Joan në Ditën e Jetëndërrimit të Shën Joan Teologut
26 Shtator – Një Ditë e Bekuar dhe e Gëzuar për të gjithë Kishën tonë
Në këtë mëngjes Shtatori, kur rrezet e diellit përshkonin kupolën e Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, u kremtua me solemnitet dhe gëzim të thellë dita e emrit të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij Imzot Joanit, në të kremten e Jetëndërrimit të Shën Joan Teologut.
Kisha katedrale “Ngjallja e Krishtit” ishte mbushur plot me besimtarë. Të gjithë Hierarkët e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Mitropoliti i Fierit Hirësi Nikolla, Mitropoliti i Elbasanit Hirësi Andoni, Mitropoliti i Gjirokastrës Hirësi Nathanaili, Mitropoliti i Beratit Hirësi Asti si edhe Mitropoliti i zgjedhur i Korçës Hirësi Anastasi, ishin të pranishëm, të bashkuar në një frymë dashurie vëllazërore dhe nderimi për Fortlumturinë e Tij, i cili me përkushtim, besim, dashuri dhe urtësi po udhëheq Kishën tonë të Shenjtë në këto kohëra ringritjeje shpirtërore.
Nga të gjitha Mitropolitë e vendit kishin ardhur besimtarë të të gjitha moshave, për të marrë pjesë në këtë ditë të shenjtë.
Pas Liturgjisë Hyjnore, nuk munguan urimet e përzemërta dhe fjalët e ngrohta që shprehën mirënjohje për shërbimin fisnik dhe plot përkushtim dhe dashuri të Kryepiskopit Joan.
Një pritje solemne u zhvillua më pas në Sallën e Pritjeve të Qendrës Sinodike, pranë kompleksit të Katedrales “Ngjallja e Krishtit”, ku u mblodhën Hierarkë, Klerikë, Përfaqësues të jetës publike, miq e bashkëpunëtorë të afërt të Kishës.
Në çdo shikim, në çdo përqafim, bekim dhe urim, ndjehej fryma e një dashurie që nuk zbehet, një mirënjohje që nuk harrohet, dhe një besim i palëkundur në udhëheqjen hyjnore që Fryma e Shenjtë i ka besuar Kryepiskopit tonë Imzot Joanit. Emri i tij, i lidhur ngushtë me emrin e Shën Joanit – Apostullit të dashurisë dhe Ungjillorit të dritës – është një bekim për Kishën tonë, e cila, nën drejtimin shpirtëror të Tij, vijon të ndriçojë në paqe dhe dashuri ungjillore.
Gëzuar ditën e Emrit, Fortlumturi!
Vite të gjata dhe të bekuara në krye të Kishës sonë!
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë
