15 Μαρτίου, 2021

FILLOJMË KRESHMËN E MADHE TË PASHKËS (15 MARS-2 MAJ)

Διαδώστε:

Kreshma e madhe e Pashkës është një kreshmë e veçantë me karakter të thellë pendimi, si periudhë parapërgatitore për kremtimin e Pashkës.
RRETH KUPTIMIT DHE RENDESISE SE SAJ KEMI POSTUAR ME PARE DHE DO TE POSTOJME EDHE NE DITET NE VAZHDIM.
Përpara kësaj përpjekjeje shpirtërore, vetë Krishti vendosi si parakusht ndjesën (faljen) ndaj tjetrit, ndaj kujtdo, kujtdo që na ka padrejtësuar apo e kemi padrejtësuar: “Sepse nëse ju, ua falni njerëzve fajet e tyre, Ati juaj qiellor do t’ju falë juve; por nëse ju nuk ua falni njerëzve fajet e tyre, as Ati juaj qiellor nuk do t’ju falë juve fajet tuaja (Mattheu 6:14-18).
Prandaj edhe në këtë të diel, Kisha Orthodhokse nxiti besimtarët të mblidheshin në Shërbesën e Mbrëmësores së Faljes, që t’i japin ndjesë njëri-tjetrit.
Kreshma është bashkëpunim i shpirtërores dhe trupores në adhurimin e Perëndisë së gjallë.
Duke kreshmuar me disa ushqime dhe nga ana tjetër duke kreshmuar nga mëkatet, ndihmojmë të gjithë njeriun, trup e shpirt, të afrohet e të adhurojë Perëndinë.
~ ~ ~ ~ ~ ~
USHQIME QE HAHEN GJATE KRESHMES:
* NUK LEJOHET përdorimi i çdo ushqimi me bazë shtazore.
Pra nuk lejohet konsumimi i mishit dhe i produkteve të tij, as i peshkut (peshku lejohet vetëm në dt. 25 mars, në të kremten e Ungjillëzimit të Hyjlindëses Mari; dhe të Dielën e Dafinave – sivjet më 25 prill).
* Nuk lejohen prodhimet e bulmetit, djathit të çdo lloji, gjalpit, kosit, qumështit, vezës etj.
* Vaji (çdo lloj vaji bimor: ulliri, luledielli etj.), pёrdorimi apo privimi i vajit, varet nga udhёzimet e atit shpirtёror (që rrëfehen), i cili edhe jep një program ushtrimor shpirtëror e ushqimor sipas mundësisë së besimtarit.
* Ndalohet konsumimi i alkolit, duhanit dhe veseve të tjera apo zakoneve të dëmshme.
~ ~ ~ ~ ~
– LEJOHET konsumimi i perimeve e zarzavateve të ndryshme, si p.sh. fasule, thjerza, oriz, patate, domate, qepë, karrota, patëllxhanë, bizele, ullinj, lakër, lulelakër, tranguj, kungull, spec, bamje, panxhar, rrepa, grurë, misër, qiqrra, hudhër, kërpudha, spinaq, brokoli, sallatë jeshile, rukola, etj. etj. etj. si edhe i turshive të tyre.
– Lejohet konsumimi i frutave të thata: arra, bajame, lajthi, kikirikë, fara, susam, rrush, fik i thatë etj. etj.
– Lejohet konsumi i brumërave si makarona, byrek të ndryshëm (perime të ndryshme).
– Gjithashtu lejohet konsumimi i yndyrnave të ndryshme me bazë bimore si p.sh. vaj ulliri, luledielli etj. përpunime të tyre si ato të margarinës e vitamit (shikoni përmbajtjen).
– Lejohet konsumimi i frutave të detit, si p.sh. midhje, kallamar, sepje, oktapod, karkaleca etj..
– Në këtë kuadër prodhimesh lejohen edhe produktet e ëmbla (pa bulmet e pa vezë) por edhe produkte si p.sh. reçel, marmelatë, mjalt, hallvë, biskota kreshmore (lexoni paketimin), kakao, sheqer, tahini etj. Gjithashtu edhe për gatim lejohet kakao, soda e bukës, vanilje, miell, maja etj.
~ ~ ~ ~ ~
KUJDES NE KETE PERIUDHE PANDEMIE:
Në këtë periudhë pandemie, ku një pjesë e besimtarëve mund të kenë kaluar së fundmi virusin Covid-19 apo edhe sëmundje të ndryshme, këta persona duhet të ndjekin udhëzimet e mjekut për fuqizimin e imunitetit të tyre, duke u këshilluar njëkohësisht edhe me atin e tyre shpirtëror (që rrëfehen).
Gjithashtu edhe persona të tjerë që nuk kanë kaluar sëmundjen në fjalë dhe ndjehen normalë, përsëri edhe këta duhet të konsultohen me mjekun e tyre edhe me atin e tyre shpirtëror (që rrëfehen).
* * *
Kujtojmë se Kreshma ka si qëllim ushtrimin shpirtëror dhe trupor, përpjekje e luftë ndaj pasioneve e dëshirave shpirtërore e trupore, përmirësimin dhe pësosjen e personit tonë dhe jo të dëmtojmë trupin, i cili është edhe Tempull i Shpirtit të Shenjtë.
Kreshmë të mbarë!

 

facebook.com/koash1991

Διαδώστε: