I dashur Johan,
Pas pak Perëndia do të të thërrasë për të të dhënë një hir të veçantë, hirin e Shpirtit të Shenjtë, që të kryesh shërbesën. Ne nuk mund ta kryejmë dot shërbesën, nëse hiri i Shpirtit të Shenjtë nuk qëndron në zemrën tonë. Në lutjen që bën episkopi për priftin gjatë procesit të dorëzimit thotë: “Hiri i perëndishëm që shëron të gjitha lëngatat dhe i mbush të gjitha mangësitë…” . Pra, ne nuk e realizojmë dot nga vetja jonë këtë shërbesë. Zoti na jep hirin e Tij hyjnor, për të na forcuar, sepse prifti është ikona e dukshme e pranisë së padukshme të Krishtit. Dhe, duke qenë ikona e Krishtit, ai ka një përgjegjësi shumë të madhe. Pa ndihmën e Shpirtit të Shenjtë ne nuk mund ta realizojmë dot shërbesën.
Kisha e thekson këtë gjatë dorëzimit, pikërisht për të na mësuar që të jemi të përulur. Çdo gjë që mund të arrijmë, nuk e arrijmë nga meritat tona, por nga hiri i Perëndisë. Për çdo klerik, sekreti për të pasur një jetë të frytshme dhe për të dhënë fryte në vreshtin e Zotit është të jetë i përulur. Përulësia e mban hirin e Shpirtit të Shenjtë në zemrën tonë; krenaria e largon atë. Prandaj edhe shën Jakobi në letrën e tij shkruan se Zoti rri kundër mendjeve krenare, po i lartëson të përulurit. Përulësia është një dije shumë e thellë, ndërsa krenaria e verbon njeriun dhe ia errëson mendjen, prandaj ajo krijon konflikte, zilira, sherre dhe gjithçka tjetër të keqe.
Një prift duhet të jetë gjithmonë i përulur. Ki gjithmonë parasysh këtë, se përulësia është ajo që do të të lartësojë. Gjithashtu, ki parasysh të gjitha porositë që jep shën Pavli për klerikët, të cilët duhet të jenë të hirshëm e të flasin gjithmonë me hir. Në fjalët e tyre duhet të jetë gjithmonë Ungjilli; në çdo bisedë që bëjnë duhet të kenë një dimension të jetës shpirtërore e të mos merren me biseda të kota, të cilat jo vetëm që nuk ndërtojnë, por edhe shkatërrojnë. Ata nuk duhet të jenë lakmitarë, as për para e as për gjëra të tjera, por të jenë gjithmonë të njerëzishëm dhe të sjellshëm me të gjithë popullin që i shërbejnë. Sepse Zoti vetë thotë në Ungjill se Unë nuk erdha që të më shërbejnë, po erdha që të shërbej.
Prandaj edhe ne jemi thirrur për të shërbyer. Asnjëherë nuk do ta harrojmë këtë gjë: gjatë gjithë jetës sonë kishtare duhet të mbetemi dhjakonë – njerëz që shërbejmë. Duke shërbyer ne mund të lartësohemi dhe, duke përhapur fjalën e Ungjillit, ne jo vetëm që mbrojmë veten tonë, por ndihmojmë edhe të tjerët që janë rreth nesh. “Duke u përpjekur që të mësosh të tjerët, do të shpëtosh veten tënde”, i shkruan shën Pavli Timoteut. Kështu, duke ndihmuar të tjerët, ne ndihmojmë veten tonë. Prandaj prifti ka një përgjegjësi shumë të madhe shpirtërore përpara Perëndisë, për të udhëhequr grigjën që Ai i ka besuar.
Do t’ju kërkoja të gjithëve të luteni për Kryedhjakonin Johan, sepse lutja e besimtarëve ka fuqi. Ne i besojmë ato që themi në lutje, sepse në Kishën Orthodhokse i gjithë rregulli i lutjes është rregulli i besimit. Kur themi që hiri i Shpirtit të Shenjtë i mbush të gjitha, e themi sepse e besojmë. Prandaj, le të lutemi të gjithë, sepse lutja e besimtarëve ka fuqi.
Një prift i drejtë, i shenjtë dhe i devotshëm do të jetë një thesar i madh për Kishën tonë. Unë shpresoj dhe besoj që Johani, i cili ka shërbyer për disa vite si dhjakon, do të shërbejë edhe si prift me ndershmëri, devotshmëri dhe përulësi.
Perëndia ta ndriçojë dhe ta bekojë!
Katedralja “Ngjallja e Krishtit”
Tiranë më, 18 tetor 2026
