23 Ιανουαρίου, 2026

Fjalim i Haxhi Dede Baba Edmond Brahimajt, kryetar i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë

Διαδώστε:

Fjalim i Haxhi Dede Baba Edmond Brahimajt, kryetar i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë dhe njëkohësisht Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, mbajtur sonte më 22.01.2026 në Konferencën Ndërkombëtare në nderim dhe kujtim të Kryepiskopit të gjithë Shqipërisë Imzot Anastasit, “Madhështia në të bërët dhe në të mësuarit”.
Kam nderin e veçantë të ndaj sot disa fjalë përkujtimi dhe mirënjohjeje për Kryepiskopin Anastas, një personalitet me përmasa jo vetëm kombëtare, por edhe ndërkombëtare, një udhëheqës shpirtëror që i shërbeu paqes, dialogut dhe dinjitetit njerëzor.

Kryepiskopi Anastas – madhështia në të bërë dhe në të mësuar. Kjo shprehje pasqyron thelbin e jetës dhe misionit të tij. Ai e jetoi besimin si përgjegjësi ndaj shoqërisë dhe e konceptoi dijen si mjet për ndërtimin e urave ndërmjet njerëzve, kulturave dhe besimeve. Në çdo angazhim të tij, ai dëshmoi se feja, kur ushtrohet me urtësi dhe përulësi, bëhet një forcë e fuqishme për paqe dhe mirëkuptim.

Në marrëdhëniet ndërfetare, Kryepiskopi Anastas ishte një partner i çmuar dhe një zë fuqimisht i besueshëm i dialogut. Ai besonte se bashkëjetesa fetare është një vlerë universale dhe një përgjegjësi e përbashkët, veçanërisht në një botë që përballet me ndarje, konflikte dhe pasiguri. Bashkëpunimi ynë u ndërtua mbi respektin reciprok, mbi dëgjimin e ndërsjellë dhe mbi bindjen se paqja ndërtohet përmes veprimit të përbashkët.

Në dimensionin ndërinstitucional, ai ishte i vetëdijshëm për rolin thelbësor që institucionet fetare dhe ato shtetërore luajnë së bashku në promovimin e stabilitetit, të arsimit, të solidaritetit social dhe të kulturës së dialogut. Ai shprehte çdo herë se vetëm përmes bashkëpunimit të sinqertë dhe të qëndrueshëm mund të ndërtohen shoqëri më të drejta dhe më gjithëpërfshirëse.

Kryepiskopi Anastas ishte një udhëheqës që fliste me maturi dhe vepronte me përgjegjësi. Në momente sfiduese, ai ishte një faktor qetësues; në kohë ndryshimesh, një pikë referimi morale. Shembulli i tij na kujton se dialogu ndërfetar dhe bashkëpunimi ndërinstitucional nuk janë zgjedhje të rastësishme, por domosdoshmëri për paqen dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Në takimin tonë të fundit në Kishën Ortodokse, u prita me një mikpritje të jashtëzakonshme dhe respekt të thellë si çdo herë nga Fortlumturia. Me Kryepeshkopin zhvilluam një dialog vëllazëror, njerëzor, pavarsisht gjëndjes shëndetësore të Tij, të pasur me urtësi dhe përvojë shpirtërore, që reflektonte thellësinë e tij si udhëheqës. Gjatë këtij bashkëbisedimi të rëndësishëm, diskutuam çështje kryesore ndërfetare dhe mënyra për të forcuar bashkëpunimin dhe dialogun konstruktiv mes komuniteteve tona. Angazhimi i tij i vazhdueshëm në Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë ishte dhe është një shembull frymëzues, në vijimësi të traditës së bashkëpunimit me të ndjerin Haxhi Dede Baba Reshat Bardhi , si dy ndër nismëtarët e themelimit të KNFSH, duke thelluar lidhjet historike dhe shpirtërore mes besimeve.

Ky dialog vëllazëror më shërben si një udhërrëfyes i çmuar për të ushqyer dhe më tej marrëdhënie të forta, respekt reciprok dhe bashkëpunim të qëndrueshëm ndërfetar, duke ndërtuar ura besimi dhe vëllazërie mes komuniteteve tona.

Sot, duke nderuar kujtimin e tij, ne riafirmojmë angazhimin tonë të përbashkët për të vazhduar rrugën që ai mishëroi me dinjitet: rrugën e dialogut, të respektit reciprok dhe të shërbimit ndaj njeriut, përtej kufijve, kulturave dhe besimeve.

Në përmbyllje, do ta kujtoj figurën e Kryepeshkopit Anastas me një thënie që pasqyron thelbin e jetës dhe misionit të tij sipas meje:
“Besimi që nuk shndërrohet në shërbim ndaj tjetrit humbet kuptimin e tij më të thellë; ai bëhet i gjallë vetëm përmes përkushtimit ndaj të tjerëve dhe veprave që lënë gjurmë të përjetshme shpirtërore.”

Qoftë i përjetshëm kujtimi i tij dhe frymëzim i vazhdueshëm për paqen dhe bashkëpunimin ndërmjet popujve dhe institucioneve.
Zoti na bekoftë të gjithëve!

Amin!

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

Διαδώστε: