Sot, në dt. 29 dhjetor 2020, fjeti në Zotin Drita Papajani, artiste e këngës popullore dhe veprimtare e Kishës Orthodhokse.
Znj. Drita Papajani vinte nga një familje me rrënjë të thella në traditën tonë orthodhokse. Lindur më 09.02.1935, e bija e atë Marko Papajanit, atë e bijë ruajtën besimin tek Krishti deri në frymën e fundit.
Prof. Dr. Vasil Tole duke e vlerësuar, ndër të tjera thotë: “Hyri në interpretimet e këngës popullore në fillim të viteve 1960, si zbulim i të madhit shkodran Paulin Pali. Në jetën e saj të gjatë artistike si pjesëtare e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, ja doli të vendoste emrin e saj krahas më të mëdhenjve interpretues të këngës sonë popullore si Luçije Miloti, Bik Ndoja, Fitnete Rexha, Hafsa Zyberi, Naile Hoxha, Xhevdet Hafizi, Bajram Spahiu, Pjetër Gjergji, Kel Sota, Emil Miloti, Despina Trimcev, Sadete Toska, Sanije Shaqiri (Pali), Hajrie Harapi, etj. Regjistrimet muzikore të saj gjenden në fondin e artë të Radio-Tiranës dhe në Arkivi Filmit”.
Gjatë gjithë jetës së saj iu përkushtua me devotshmëri Kishës dhe besimit orthodhoks, duke imponuar në këtë mënyrë të gjithë dashurinë dhe respektin për të. Ajo ishte nga nismëtaret e para të hapjes së Kishës Orthodhokse në Tiranë, në vitin 1991, dhe në vazhdim anëtare e Lidhjes së Grave Orthodhokse të Tiranës, duke kontribuuar në mënyrë të pakursyer, në katekizëm, në veprën humanitare dhe në veprimtaritë e Lidhjes.
Pa u shkëputur nga veprimtaria muzikore znj. Drita vazhdoi kontributin e saj në korin miks të Kishës së Ungjillëzimit dhe më pas të Katedrales “Ngjallja e Krishtit” fillimisht me mjeshtrin Eno Koço dhe në vazhdim për shumë vite me radhë nga 1994 nga mjeshtri Milto Vako.
Ndihemi të bekuar që këto tri vite të fundit të jetës së saj, ajo i kaloi me ne, në shtëpinë tonë të ngrohtë “Familja e Dashurisë Hyjlindësja Mari”. Perëndia e prehtë në paqe shpirtin e shërbëtores së Tij dhe e vendostë në të djathtën e Tij.
Shërbesa e Varrimit do të kryhet në kishën e Ungjillëzimit, Tiranë, në orën 12:00.
I përjetshëm kujtimi!
