Në datën 6 shkurt 2020 u nda nga jeta piktori dhe mjeshtri i njohur i mozaikut Josif Droboniku. Ai njihet veçanërisht edhe për realizimin e mozaikëve në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë.
Josif Droboniku lindi në Fier, më 25 dhjetor 1952 dhe u rrit në një familje të përkushtuar ndaj Besimit Orthodhoks. Me talentin dhe dëshirën për pikturën, ndoqi Liceun Artistik dhe më pas kreu Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë (sot Akademia e Arteve të Bukura), në degën e Pikturës Monumentale. Ai punoi në zhanre të ndryshme të artit pamor, duke filluar që nga filmi multiplikativ në Kinostudio dhe më tej kryesisht në fushën e pikturës dhe mozaikut monumental, siç ishte mozaiku i madh i Muzeut Kombëtar.
Në vitin 1990 shkoi bashkë me familjen në Itali, ku e vuri artin e tij në shërbim të zbukurimit të kishave arbëreshe. Në krah të piktorit qëndronte që nga bankat e shkollës dhe deri sa u nda nga jeta bashkëshortja, Liljana, një piktore e talentuar, që ka kontribuar në të gjithë veprën e tij.
Ata në vitin 2010 u kthyen në Tiranë, si fitues i konkursit të organizuar nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, për realizimin fillimisht të mozaikut të madh (700 m2), të kupolës së Katedrales “Ngjallja e Krishtit”.
Pas përurimit të Katedrales, Josifi, gjithmonë me mbështetjen e Kryepiskopit Anastas, vazhdoi punën për dekorimin me mozaikë të pjesëve të tjera të Katedrales, ku dallohen mozaikët e Hierores.
Megjithëse i sëmurë, Josifi nuk e ndërpreu punën e përkushtuar për realizimin e projekteve të shumta që kishte ndërmarrë. Humbja e tij ndihet veçanërisht edhe nga Komuniteti Orthodhoks, të cilit i përkiste dhe kontribuoi aq shumë me talentin e tij, që do ta kujtojë gjithmonë edhe nëpërmjet veprave.
I përjetshëm kujtimi!
