Fronëzimi i Hirësi Nathanailit si Mitropolit i Mitropolisë së Shenjtë të Gjirokastrës — Kremtim madhështor dhe solemn në qytetin historik të Gjirokastrës
Në një atmosferë të thellë besimi dhe solemniteti shpirtëror, Katedralja Orthodhokse “Ngjallja e Krishtit” në Gjirokastër u bë ditën e sotme skenë e një prej ngjarjeve më të rëndësishme kishtare — Fronëzimi i Hirësisë së Tij, Hirësi Nathanailit si Mitropolit i Mitropolisë së Shenjtë të Gjirokastrës.
Kremtimi, i shoqëruar me solemnitet të lartë dhe rituale hyjnore që përmbledhin traditën mijëvjeçare të Kishës Orthodhokse, pati nderin të mirëpresë Kryepiskopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë Imzot Joanin dhe të gjithë Anëtarët e Sinodit të Shenjtë, duke i dhënë kështu ngjarjes dimensionin e saj të shenjtë dhe solemn.
Fjala e Kryepiskopit Joan e mbushur me thellësi shpirtërore dhe urtësi, theksoi rëndësinë jetike të këtij momenti, jo vetëm si një akt formal hierarkik, por si një përforcim i misionit të Kishës në këtë trevë historike dhe shpirtërore.
Mitropoliti i ri Hirësi Nathanaili u zgjodh me vota kanonike unanime nga Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë në datën 16 Shtator 2025 si një Hierark i denjë, një bari shpirtëror i përkushtuar, i cili me dije, përulësi dhe përvojë agjiorite do të udhëheqë besimtarët që Kisha po i beson drejt ndriçimit dhe shenjtërimit.
Ceremonia e Fronëzimit ishte një përzierje e bukurisë së riteve orthodhokse, melosit të korit dhe pjesëmarrjes së gjerë të besimtarëve nga gjithë krahinat e Qarkut të Gjirokastrës dhe nga të gjitha Mitropolitë dhe nga jashtë vendit.
Atmosfera ishte mbushur me një ndjenjë të thellë falenderimi dhe gëzimi shpirtëror, ku çdo element i ceremonisë pasqyronte peshën e momentit dhe shpresën për të ardhmen e Kishës në këtë pjesë të Shqipërisë.
Ky Fronëzim, më shumë se një ngjarje kishtare, u bë një festë e trashëgimisë shpirtërore, ku u bashkuan besimi, kultura dhe historia, duke krijuar një urë të fortë ndërmjet të kaluarës së lavdishme dhe një të ardhmeje plot shpresë.
Në përfundim të ceremonisë, besimtarët u larguan me besim të thellë se me Hirësinë e Tij Nathanail, Mitropolitin e Gjirokastrës, Kisha Orthodhokse në këtë trevë do të vijojë trashëgiminë që lanë Hierarkët e saj, gjatë viteve të para nën kujdesin e Kryepiskopit të ndjerë Anastas dhe më pas Hirësi Dhimitrit që ndërroi jetë pak kohë më parë – do të lulëzojë, do të forcojë lidhjet me komunitetin dhe do të vazhdojë misionin e saj hyjnor në përkushtim dhe dashuri.
Për shumë vjet Hirësi!
MEDIA NGJALLJA
20 SHTATOR 2025
