Njeriu , të dashur besimtarë, u krijua të jetojë përjetësisht në parajsë bashkë me Zotin. E dimë që me mëkatin e tij, njeriu e humbi këtë mundësi, por u arrit të përmbushej vetëm me personin e Jisu Krishtit. E gjithë vepra Shpëtimtare e Krishtit, ardhja e Tij, mësimet, mrekullitë dhe përmbi të gjitha pësimet, vdekja dhe Ngjallja e Tij, kishin për qëllim, mundjen e mëkatit, djallit dhe vdekje dhe vendosjen përsëri të njeriut në parajsën Qiellore. Kjo është përmbushja e qëllimit të krijimit të njeriut edhe përbën qendrën e besimit tonë.
Ky është e duhet të jetë gëzimi ynë më i madh, prandaj dhe Zoti, kur të shtatëdhjetët, të cilët ai i kishte dërguar dy e nga dy të shkonin në, fshatrat dhe qytet e popullit të Perëndisë, për të shëruar të sëmurët dhe për të shpallur ardhjen e Mbretërisë së Perëndisë, u kthyen me gëzim dhe i thanë Zotit: “ Zot, edhe demonët na nënshtrohen në emrin tënd”. Krishti u tha: “ Unë e shikoja Satanin që të binte nga qielli si një rrufe. Ja, ju dhashë pushtet të shkelni përmbi gjarpërinj dhe akrepa dhe mbi çdo pushtet, dhe asgjë nuk do të mund t’ju dëmtojë. Megjithatë mos u gëzoni për faktin se po ju nënshtrohen frymërat e ndyra, por gëzohuni më shumë se emrat tuaj janë shkruaj në qiej”(Lk.10:17-20).
Pra Zoti ju thotë që gëzimi ynë më i madh është që jemi shënuar si banorë të Mbretërisë së Perëndisë. Me qindra e mijëra shqiptarë bëjnë përpjekje për tu bërë banorë të një vendi evropian. Me qindra e mijëra aplikojnë në Llotarinë Amerikane që të bëhen banorë të saj (vetë në vitin 2018 kishte 376000 aplikime). Çfarë s’bëjnë që të mund të arrijnë qëllimin e tyre, paguajnë shuma të mëdha lekësh, përdorin dokumenta fallco dhe shumë e shumë gjëra të tjera të ligjshme e të paligjshme. Sigurisht kushtet e jetesës në këto vende janë shumë më të mira se në vendin tonë, por atje nuk do të gjejnë parajsën, ndërsa ne si të krishterë kemi marrë pasaportën qiellore dhe kemi të drejtën të jemi banorë të mbretërisë së Perëndisë. Në pagëzimin tonë emri ynë është shkruar në librin e jetës. Gjithë qëllimi ynë është që me këtë pasaportë të udhëtojmë drejt destinacionit tonë.
Në këtë udhëtim ne e dimë që do të kemi plot vështirësi, do të kemi armiq që do të përpiqen të na pengojnë. Zoti na jep sigurinë që, ne nuk jemi të dobët, as të pafuqishëm, por më të fuqishëm se çdo kundërshtarë sepse këtë fuqi na e jep vetë Zoti: “ Ja ju dhashë pushtet që të shkelni…. mbi çdo fuqi të armikut”.
Ne jemi të vetëdijshëm se i ligu, djalli ekziston, që janë qënie frymore të fuqishme, më të fuqishme se njeriu, por sigurisht që Zoti nuk lejon që këto frymëra të tundojnë njeriun jashtë mundësive që njeriu mund të përballojë. Ne e dimë që ai quhet djall-përçarës-ndarës se përiqet të ndaj njeriun nga perëndia dhe të afërmit e tij.
– I Ligë, sepse përdor ligësinë në veprën e tij.
– Satana, sepse është kundërshtar i veprës së Perëndisë.
– Tundues, sepse me shumë mënyra përpiqet te na fusë në rrugën e shkatërrimit.
– Njerivrasës, sepse do të keqen dhe shkatërrimin e njeriut.
– Gënjeshtar, sepse përdor mënyra të gënjeshtra në veprën e tij.
Po, më të vërtetë duhet të jemi të vetëdijshëm për armikun tonë, por duhet të vazhdojmë udhëtimin tonë me besimin që Perëndia nuk do të lejojë të ligun të na tundojë tej mundësive tona. Me besimin se nuk jemi vetëm, por Zoti është gjithmonë bashkë me ne, me gëzimin se emrat tanë janë shkruar në qiell. Amin
*Nga predikimi i Mitropolitit te Apollonise & Fierit, +Nikolla, e Diela XIII e Mattheut, dt. 18/10/2020
