Armiku e sulmon shpirtin nëpërmjet një stomaku të mbushur plot.
Ushqimi dhe pija duhet të përdoren vetëm për të forcuar fuqitë tona, jo për dëfrime dhe qejfe; edhe kur nuk është e nevojshme për të ngrënë, ne nuk duhet të hamë. Shumë prej nesh, në qoftë se nuk pendohemi dhe korrigjojmë veten, do të dënohemi për ngrënien dhe pirjen jashtë mase dhe për errësirën e shpirtrave tanë të pamend. Ju keni dëfryer veten me ushqime dhe pije, dhe shpeshherë keni ngrënë dhe keni pirë kur nuk duhej të hanit dhe të pinit: “Mjerë ju që jeni të ngopur, sepse do të keni uri. Mjerë ju që tani qeshni sepse do të hidhëroheni e do të qani!”
Njeriu nuk duhet vetëm të hajë e të pijë gjatë gjithë ditës. Njeriu nuk duhet ta kthejë jetën njerëzore në ngrënie dhe pirje të vazhdueshme, megjithëse ka njerëz të cilët hanë dhe pinë pa ndërprerje. Sa më pak ushqim dhe pije të përdorni aq më i ndritshëm dhe më i bukur do të bëhet shpirti juaj.
Sa e frikshme është të përdorësh ushqimin dhe pijen për argëtim, të hash dhe të pish me bollëk.
Njeriu që e ka stomakun plot humbet besimin dhe frikën ndaj Perëndisë, shpërqendrohet në lutje dhe harron të falënderojë Perëndinë. Një shpirt i ushqyer së tepërmi largohet nga Zoti, dhe bëhet aq i ngurtë dhe i pandjeshëm njësoj si një gur. Për këtë arsye Zoti na paralajmëron për grykësinë dhe pirjen. Edhe prandaj do të zihemi në befasi për shkak se zemërimi i Zotit do të bjerë për ne për shkak të pakujdesisë dhe përtacisë, duke shpenzuar kohën me ngrënie dhe me pirje.
Armiku shpirtëror hyn në shpirtin e njeriut nëpërmjet grykësisë dhe pijes. Kjo mund të vihet re nga cilido që është i vëmendshëm. Për këtë arsye, me rritjen e masës së pijes, tendenca drejt pirjes shtohet frikshëm – fuqia e armikut brenda njeriut rritet. Prandaj ju vëreni tek pijanecët një fuqi të pavullnetshme që i tërheq ata të kënaqin dëshirën e brendshme për pije. Armiku banon në zemrat e këtyre njerëzve të dëshpëruar. Si mund të nxirret jashtë demoni i pirjes? Me lutje dhe kreshme. Armiku hyn në zemrat e njerëzve sepse ata e kanë dorëzuar veten tek një mënyrë jetese materiale – tek grykësia – dhe për shkak se ata nuk luten – Prandaj është e natyrshme që demoni mund të nxirret jashtë me mënyrë të kundërt – lutje dhe kreshmë.
Duke ngrënë pa masë, njeriu kthehet në një qenie materiale në një qenie pa shpirt; ndërsa duke kreshmuar, njeriu tërheq shpirtin e shenjtë dhe bëhet një qenie shpirtërore.
Kur pambuku nuk laget me ujë ai është i lehtë dhe një pjesë të sasisë së tij e merr era; por në qoftë se njomet ai bëhet i rëndë dhe asnjë pjesë nuk e merr era. E njëjta gjë ndodh me shpirtin. Sa e rëndësishme është ta mbrosh atë me anë të kreshmimit!
Fatkeq dhe mjeran është ai i cili jepet pas ngrënies dhe pijes, ai i cili kujdeset së tepërmi për kënaqësitë që ofron tavolina; sepse do të kuptojë, kur ai fillon të punojë për Zotin, që pija dhe ushqimi janë një barrë e rëndë për trupin, që ato hidhërojnë dhe shkatërrojnë shpirtin dhe që njeriu mund të kënaq veten e tij realisht me pak – shumë pak – dhe ushqim të thjeshtë.
Mos i zini besë joshjeve së armikut as për një çast të vetëm, kur është fjala për ushqim dhe pije, sado bindëse të duken ato.
Nga Shën Joani i Kronshtadit
