31 Μαρτίου, 2021

“Hidhi hapat plot siguri, mblidhi copat e zemrës së thyer, ngrije kokën lart, grisi faqet e frikës dhe jeto me shpresë”!

Διαδώστε:

Një herë e një kohë, djalli kishte nxjerrë të gjitha armët e tij në shitje, përveç njërës. Ai i kishte vendosur nëpër kuti mbi të ciliat lexohej çmimi. Ato armë ai i përdorte për të çuar njeriun në rrugë të gabuar. Një kuti kishte tradhëtinë, një tjetër kishte shthurjen, vrasjen, mashtrimin e kështu me radhë.

Njerëzit u vunë në radhë dhe ia blenë të gjitha armët, përveç asaj që djalli refuzonte ta shesë. “Po atë kutinë, pse nuk na e shet? E duam edhe atë. Të paktën na thuaj çfarë ka brenda”, tha njëri prej tyre.

Djalli u përgjigj: “Në atë kuti ndodhet demoralizimi dhe humbja e shpresës. Atë nuk e shes.”

Nëse pyet çdo person i cili ka tentuar të vetëvritet, të gjithë do thonë se në ato momente ishin të demoralizuar, të pashpresë dhe në errësirë totale. Nëse do mund të shihnin qoftë edhe një rreze të vogël shprese, nuk do ta hidhnin kurrë atë hap.

Shpresa është forca dhe energjia që vë në lëvizje jetën. Në kushte të vështira ekonomike, njeriu i përballon vuajtjet falë shpresës për një të ardhme më të mirë. Fëmija jeton me shpresën se një ditë do të rritet, studenti jeton me shpresën se do të kalojë në provim, beqari me shpresën se do gjejë dikë në jetën e tij dhe i martuari me shpresën se do të lindë fëmijë, edhe kur është steril. Prindi jeton me shpresën se do të rrisë fëmijë të mbarë, me shpresën se do të bëhen me nipër e mbesa, me shpresën se do të pleqërojnë me ta.

Jeta është shpresë. Sikur mos të ishte shpresa, nuk do të ishte jetë. Edhe nëse do kishte jetë, pa shpresë do ishte një mizerje. Jeto me shpresë dhe ke për të parë që shumica e atyre që u frikësoheshe, nuk do të ndodhin. Hidhi hapat plot siguri, mblidhi copat e zemrës së thyer, ngrije kokën lart, grisi faqet e frikës dhe jeto me shpresë.

 

— facebook.com/MitropoliaFier

Διαδώστε: