Ikona “Lindja e Krishtit” është punuar nga Evangjel Zengo ne vitin 1906. Është firmosur nga autori në fund të ikonës në të djathtë. Lindja e Krishtit përshkruhet me hollësi nga Ungjillorët. Ikonografia e saj thekson dy aspekte : Mishërimin e Zotit që është dhe thelbi i ngjarjes dhe efektin e saj në jetën reale.
Krishti paraqitet në qendër të kompozimit i mbështjellë me pelena . Gomari dhe lopa shihen në të djathtë pas Jozefit . Shën Maria qëndron e ulur pranë tij duke zbuluar velin që e kishte mbuluar. Pranë saj me këmbë qëndron Jozefi mbështetur mbi një shkop me kokën e anuar anash nga Krishti. Në krahun e majtë shihen tre barinj që po adhurojnë Krishtin fëmijë. Në sfond shihen Magët duke ardhur me devetë dhe ylli që u tregon rrugën. Ndryshe nga paraqitjet e zakonta këtu mungon djalli që tundon Jozefin . Kompozimi vendoset në një sfond peisazhi natyralist. Është punuar me ngjyra të gjalla dhe modelim natyralist të figurave.
