Fjalimi i Fortlumturisë së Tij, Joani, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë në përvjetorin e parë të fjetjes së Mitropolitit të ndjerë Dhimitër
Të nderuar vëllezër në Krishtin,
Fort të shenjtë Mitropolitë dhe Episkopë,
të respektuar etër, të dashur murgj dhe murgesha, të dashur vëllezër dhe motra në Zotin,
Sot u mblodhëm për të përkujtuar përvjetorin e parë të fjetjes në Zotin të Mitropolitit të ndjerë Dhimitër. Ka kaluar një vit nga dita kur ai dorëzoi shpirtin e tij në duart e Zotit dhe u largua nga ne. Por kujtimi i tij nuk është larguar nga zemrat tona, nga lutja e Kishës dhe nga ndërgjegjja e atyre që e njohën, bashkëpunuan me të dhe morën prej tij kujdes baritor. Kisha nuk i kujton të fjeturit e saj thjesht si një kthim të dhimbshëm në të kaluarën. Ajo i kujton përpara Perëndisë, në dritën e Ngjalljes së Krishtit.
Për ne, kujtimi i një hierarku të fjetur nuk është vetëm nderim njerëzor, por akt besimi, shprese dhe falënderimi. Ne besojmë se Zoti, i Cili është “Perëndi jo i të vdekurve, por i të gjallëve”, i ruan në dashurinë e Tij ata që jetuan, shërbyen dhe u përpoqën në Kishën e Tij. Mitropoliti i ndjerë Dhimitër ishte punëtor i Kishës, me përulësi, me qëndrueshmëri dhe me dashuri për popullin e Perëndisë. Shërbesa episkopale nuk është një nder njerëzor, por kryq. Është përgjegjësi përpara Zotit dhe përpara njerëzve. Është përkushtim i përditshëm, lutje, durim, kujdes për shpirtrat, gatishmëri për të mbajtur barrët e të tjerëve. Këtë kryq ai e mbajti me besnikëri, duke ditur se bariu nuk i përket vetvetes, por Krishtit dhe Kishës.
Në historinë e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, çdo shërbesë merr një domethënie të veçantë. Kisha jonë u ngrit nga plagët e rënda të persekutimit ateist, nga heshtja e imponuar, nga rrënimi i kishave dhe nga shpërndarja e popullit besimtar. Rindërtimi i saj nuk u bë me fjalë të mëdha, por me besim, me lot, me sakrifica, me punë të palodhur dhe me përkushtimin e shumë njerëzve, të njohur e të panjohur. Për këtë vepër të rindërtimit e falënderojmë dhe do t’i jemi gjithmonë mirënjohës Kryepiskopit të ndjerë Anastas. Brenda kësaj rruge qëndroi edhe Mitropoliti i ndjerë Dhimitër, si vëlla dhe bashkëmeshues, si bari, si anëtar i trupit sinodal, si njeri që dha ndihmesën e tij për qëndrueshmërinë, unitetin dhe përparimin shpirtëror të Kishës.
Nuk është e lehtë të përmblidhet jeta e një njeriu në pak fjalë; aq më tepër jeta e një kleriku dhe hierarku. Shumë nga shërbesa e një bariu mbetet e fshehur: lutjet që bëhen në heshtje, shqetësimet që mbahen pa u shfaqur, vendimet që merren me frikë Perëndie, plagët që përpiqet të shërojë, njerëzit që ngushëllon, shpirtrat që forcon. Këto nuk shkruhen gjithmonë në kronika, por shkruhen në kujtesën e Perëndisë. Prandaj, sot nuk qëndrojmë thjesht përpara kujtimit të një mungese. Qëndrojmë përpara misterit të jetës dhe të vdekjes, përpara së vërtetës se “nuk kemi këtu qytet të përhershëm”, por ecim drejt Mbretërisë së amshuar.
Kujtimi i Mitropolitit të ndjerë Dhimitër na fton të ripërtërijmë ndërgjegjen tonë se jeta ka kuptim kur bëhet dhuratë; se shërbesa kishtare jep fryt kur ndërtohet mbi përulësinë; se vdekja nuk ka fjalën e fundit, sepse fjala e fundit i përket Krishtit të Ngjallur. Apostulli Pavël na mëson: “Nëse jetojmë, jetojmë për Zoti; dhe nëse vdesim, vdesim për Zotin; pra, edhe nëse jetojmë, edhe nëse vdesim, jemi të Zotit.” Ky është ngushëllimi i madh i Kishës. Nuk i përkasim harresës. Nuk i përkasim prishjes. I përkasim Zotit. Dhe ata që shërbyen në altarin e shenjtë, që kullotën popullin e Perëndisë dhe që u përpoqën në rrugën e Kishës, i dorëzohen me besim mëshirës së Tij të pafund.
Me mirënjohje, pra, kujtojmë sot Mitropolitin e ndjerë Dhimitër. Falënderojmë Perëndinë për gjithçka që u ofrua në Kishë nëpërmjet shërbesës së tij. Lutemi që Zoti ta prehë shpirtin e tij “në tendat e të drejtëve”, atje ku nuk ka dhimbje, as trishtim, as psherëtimë, por jetë të pasosur. Dhe lutemi që kujtimi i tij të mos jetë për ne vetëm mallëngjim, por thirrje për vazhdimësi, për besnikëri, për unitet dhe për dashuri. Kisha ecën në kohë me njerëz që vijnë dhe largohen, por me Krishtin që mbetet gjithmonë i pranishëm. Barinjtë prehen, por kujdesi baritor i Kishës vazhdon. Punëtorët pushojnë nga mundimet e tyre, por ara e Perëndisë mbetet dhe na thërret të gjithëve në shërbim.
Prandaj, përkujtimi i sotëm le të bëhet edhe për ne një ftesë për të shërbyer me më shumë përulësi, me më shumë përgjegjësi dhe me më shumë dashuri. Zoti i dashurisë, i paqes dhe i shpresës së Ngjalljes, e prehtë shpirtin e vëllait tonë të ndjerë, Mitropolitit Dhimitër. I dhëntë dritën e fytyrës së Tij dhe e renditë bashkë me shenjtorët dhe të drejtët. Ndërsa ne, që vazhdojmë udhëtimin tonë në këtë jetë, na forcoftë të ecim me pendim, me besim dhe me përkushtim ndaj Kishës së Tij të shenjtë. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!
Katedralja “Ngjallja e Krishtit”
Gjirokastër, 28 qershor 2026
29 Ιουνίου, 2026
Jeta ka kuptim kur bëhet dhuratë
Διαδώστε:

Διαδώστε: