28 Ιουλίου, 2025

Kampi i Besimit dhe Gëzimit

Διαδώστε:

Drita e Krishtit që përçohet tek të rinjtë nëpërmjet Kampeve Verore të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë
Në realitetin e sotëm, ku të rinjtë shpesh ndihen të humbur mes zhurmës së teknologjisë, trysnisë sociale dhe mungesës së thellësisë shpirtërore, kampet verore që organizon Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë përfaqësojnë një alternativë të mrekullueshme. Ato janë më shumë sesa pushime verore; janë vende të bekuara ku shpirti, mendja dhe zemra rriten në përqafimin e besimit, edukimit dhe solidaritetit njerëzor; ato janë “universitete shpirtërore” siç i emërton Kryepiskopi Joan.
Këto kampe janë ndërtuar mbi themele të forta shpirtërore dhe pedagogjike, ku çdo detaj – që nga lutja e mëngjesit deri tek lutja e mbrëmjes – është menduar me dashuri për t’i udhëhequr të rinjtë drejt dritës së Krishtit. Në këto ditë të nxehta të Korrikut, të rinjtë nuk mësojnë vetëm për Kishën, por e jetojnë atë: përmes Liturgjisë Hyjnore, katekizmit, shërbesave të përbashkëta dhe bisedave shpirtërore që ushqejnë shpirtin.
Përtej programit shpirtëror, kampet ofrojnë një formim të gjithanshëm të karakterit. Të rinjtë mësojnë të bashkëpunojnë, të ndihmojnë, të respektojnë dhe të japin pa marrë shpërblim. Ata përjetojnë vlerat e jetës së krishterë në mënyrë konkrete dhe të prekshme.
Në këtë mënyrë, ata nuk mësojnë vetëm se çfarë është e drejtë, por fillojnë të duan të mirën, ta kërkojnë dhe ta jetojnë.
Një aspekt thelbësor i kampeve është krijimi i lidhjeve njerëzore të shëndetshme dhe të thella, të miqësive me Krishtin që zgjatin përgjithmonë.
Në një botë ku marrëdhëniet janë shpesh të shkurtra dhe sipërfaqësore, këtu ndërtohen miqësi të vërteta, të bazuara në dashurinë për Zotin dhe për njëri-tjetrin. Fryma komunitare që zhvillohet gjatë këtyre ditëve lë gjurmë të pashlyeshme në zemrat e pjesëmarrësve. Ata ndihen pjesë e një familjeje më të madhe – e Kishës – dhe mësojnë të jenë aktivë në të, edhe pas përfundimit të kampit.
Përfitimet e kësaj përvoje janë të shumta dhe të qëndrueshme. Jo pak nga ata që kanë kaluar nëpër këto kampe, sot janë të përfshirë në jetën kishtare: shërbejnë si psaltë në enoritë ku bëjnë pjesë. Shumë prej tyre janë bërë njerëz me qëndrueshmëri morale, me ndjeshmëri shpirtërore dhe me dëshirë për të dhënë diçka të mirë në këtë botë. Ata janë dëshmia më e gjallë se Kisha jonë e jeton Ungjillin jo vetëm brenda mureve, por në zemrat e të rinjve të saj.
Por një veprimtari kaq e begatë nuk mund të qëndrojë dhe të ketë vazhdimësi vetëm mbi entuziazmin e disa personave. Ajo ka nevojë për përkrahjen e të gjithë komunitetit: ndihmën e klerikëve, për ndihmën e prindërve, të besimtarëve të Kishës brenda dhe jashtë vendit, si edhe të shumë dashamirësve dhe dhuronjësve. Kontributi material, mbështetja vullnetare, por mbi të gjitha lutja dhe përfshirja shpirtërore janë thelbësore për ta bërë këtë dritë – një dritë që të mos shuhet, por të përhapet sa më shumë.
Kisha nuk i organizon kampet për të patur thjesht ithtarë, por për të mbjellë dashuri, për të ngjallur besim, për të ndërtuar personin.
Kampi është një fole shprese, një ndjesi parajse në tokë – ku Zoti është i pranishëm në çdo hap, në çdo buzëqeshje, në çdo gjest dashurie dhe solidariteti.
Dhe nëse dikush pyet: “A ka ende vend për shpresë në këtë botë?”, le t’i tregojmë kampet tona – si përgjigje, si dëshmi, si dhuratë e gjallë që Kisha jonë Orthodhokse nën drejtimin e Kryepiskopit Joan dhe të Sinodit të Shenjtë ua bën brezave të rinj.
“Le të mos lodhemi duke bërë të mirën, sepse në kohën e duhur do të korrim fryt, nëse nuk dorëzohemi.”
(Galatasve 6:9)
Stafet e kampeve rinore për djem dhe vajza.
Boboshticë, Voskopojë.
Korrik 2025

Rinia Ortodokse Tirane

Διαδώστε: