Më 17 maj 2026, Hirësi Asti, Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës, si përfaqësues i Fortlumturisë së Tij, Joani, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, mori pjesë në kremtimet me rastin e Fronëzimit të Patriarkut Katholik të të Gjithë Gjeorgjisë, Shio III, i shoqëruar nga Ikonom Stavrofor atë Gori Ndreko.
Fortlumturia e Tij, Shio III, drejtoi Liturgjinë e tij të parë si Patriark i Kishës Apostolike të Gjeorgjisë në Katedralen Patriarkale të Trinisë së Shenjtë në Tbilisi. Së bashku me besimtarët e shumtë, në Liturgjinë Hyjnore morën pjesë delegacione të ftuara nga Patriarkana e Kostandinopojës, Aleksandrisë, Antiokisë, Jerusalemit, Rusisë, Serbisë, Bullgarisë; dhe nga Kisha Autoqefale e Greqisë, Shqipërisë, Polonisë dhe Çekisë.
Në Liturgjinë Hyjnore ishin të pranishëm edhe autoritetet e larta të vendit si Presidenti, Kryeministri, Kryetari i Parlamentit, Kryetari i Bashkisë, si edhe Përfaqësues të Trupit Diplomatik dhe të Pushtetit Legjislativ e Ekzekutiv.
Kjo ditë përkoi edhe me Ditën e Shenjtërisë të Familjes, e vendosur në vitin 2014 nga Fortlumturia e Tij i ndjerë, Ilia II, Patriarku Katholik i Gjithë Gjeorgjisë, dhe kremtohet çdo vit me nderim të veçantë nga populli gjeorgjian.
Në fund të Liturgjisë Hyjnore solemne mbajtën fjalën e rastit Patriarku Shio III, personalitetet e larta të vendit dhe përfaqësuesit e delegacioneve. Ceremonia madhështore u mbyll me Dhoksologjinë e Madhe që u mbajt në sheshin përpara katedrales.
Më 18 maj 2026, vizita e Mitropolitit Asti në Gjeorgji vijoi në Patriarkanën e Shenjtë me një pritje zyrtare të zhvilluar nga Patriarku i ri Shio III për të gjithë përfaqësuesit e Kishave simotra. Delegacionet u pritën edhe nga Kryeministri i Gjeorgjisë.
Gjithashtu, për delegacionet u organizua një pelegrinazh në qytetin e shenjtë të Mtskhetës, kryeqytetin e vjetër historik të Gjeorgjisë.
19 Μαΐου, 2026
Kisha jonë merr pjesë në kremtimet me rastin e Fronëzimit të Patriarkut Katholik të të Gjithë Gjeorgjisë, Shio III
Διαδώστε:

Διαδώστε: