23 Ιανουαρίου, 2020

Kremtim i ngrohtë në ditën e emrit të Kryepiskopit Anastas

Διαδώστε:

Për çdo besimtar të kishës sonë dita e emrit është më e shënuara, e lidhur me jetën e re pas pagëzimit, por veçanërisht me kuptimin që ai ka, lidhur me martirët dhe Etërit apo me ngjarjet më themelore të Ungjillit. Kështu, 22 janari është e kremtja e shën Anastas Persianit, i cili iu përkushtua orthodhoksisë në një vend të huaj dhe u martirizua nga të “vetët”. Në këtë ditë besimtarët orthodhoksë të vendit tonë festojnë emrin e Kryebariut të tyre, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Anastasit.

Në këtë të kremte të shënuar, Liturgjia Hyjnore u krye në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë. Me Kryepiskopin Anastas bashkëmeshuan të gjithë anëtarët e Sinodit të Shenjtë, Mitropoliti i Beratit, Hirësia e Tij Ignati; Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij Joani; Mitropoliti i Gjirokastrës, Hirësia e Tij Dhimitri; Mitropoliti i Apollonisë dhe Fierit, Hirësia e Tij Nikolla, Mitropoliti i Elbasanit, Hirësia e Tij Andoni; Mitropoliti i Amantias, Hirësia e Tij Nathanaili dhe episkopi i Bylisit, Hirësia e Tij Asti. Meshuan edhe klerikë nga Kryepiskopata dhe Mitropolitë. Në shërbesë morën pjesë përfaqësues, klerikë dhe laikë, nga të gjitha dioqezat dhe besimtarë të shumtë.

Mitropoliti i Beratit, Hirësia e Tij Ignati, e uroi Kryepiskopin Anastas për jetë të gjatë dhe vazhdimin e veprës së shquar, në emër të Sinodit të Shenjtë dhe të gjithë Kishës sonë.

Kryepiskopi Anastas, falënderoi ngrohtësisht për urimet dhe theksoi simbolikën e këtij martiri, që dëshmon se besimi i krishterë orthodhoks nuk kufizohet nga kufij a kombe, por përfshin të gjithë globin.

Me këtë rast, Kryepiskopi priti urime në sallën e selisë së Sinodit të Shenjtë. Fortlumturia e Tij mori urimet më të ngrohta “Për shumë vjet, O Kryezot!” nga besimtarë të shumtë, të Tiranës dhe nga i gjithw vendi, mirënjohës për mrekullinë e ringjalljes dhe ecjes përtej çdo parashikimi të Kishës sonë në këto 29 vite. Për të uruar erdhën edhe përfaqësues forcash politike, nga komunitetet fetare, personalitete të fushave të ndryshme etj.

 

Διαδώστε: