22 Ιανουαρίου, 2026

Kremtimi i Shën Anastas Persianit dhe përkujtimi i Kryepiskopit të lumur të Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë imzot Anastasit (1929-2025)

Διαδώστε:

Ditën e Enjte, më 22 janar 2026, në kishën e Ungjillëzimit në Tiranë u kremtua me madhështi festa e Shën Anastas Persianit, një prej martirëve të ndritur të Kishës Orthodhokse, dëshmitar i patundur i besimit të krishterë në shekullin VII. Kjo ditë e shenjtë merr një domethënie të veçantë shpirtërore dhe historike për besimtarët orthodhoksë të Shqipërisë, pasi përkon edhe me ditën e emrit të Kryepiskopit të lumur të Kishës sonë, Imzot Anastas (1929–2025), bariut të madh që vulosi rilindjen dhe ringritjen e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë me jetën, veprën dhe sakrificën e tij.

Shërbesat hyjnore u kryesuan nga Mitropoliti i Beratit, Hirësi Asti, i cili udhëhoqi jo vetëm Liturgjinë Hyjnore festive, por edhe shërbesën e Përshpirtjes në kujtim të Kryepiskopit të lumur Anastas.

Në këto shërbesa të shenjta mori pjesë edhe Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Joan.

Predikimi u mbajt nga Atë Harallamb Gjoka, Ikonom i Madh i Kishës sonë, i cili u ndal në jetën dhe martirizimin e Shën Anastas Persianit. Ai e paraqiti shenjtorin si figurë të kthimit radikal drejt Krishtit, të pendesës së thellë dhe të sakrificës së plotë, duke e vendosur martirizimin e tij në kontekstin e përplasjes mes besimit të krishterë dhe pushtetit ideologjik të kohës.

Në mënyrë të veçantë, Atë Harallambi ndërtoi një paralelizëm shpirtëror ndërmjet Shën Anastas Persianit dhe Kryepiskopit të lumur Anastas, duke theksuar se, ndonëse në forma të ndryshme historike, të dy dëshmuan të njëjtin ethos martirik; njëri përmes martirizimit me gjak, tjetri përmes flijimit të përditshëm, të mundimshëm dhe të heshtur për ringritjen e Kishës në një realitet pas-persekutues të Kishës.

Kremtimi i kësaj feste dëshmon se Kisha jeton, kujton dhe ecën përpara në dritën e Krishtit të Ngjallur. Amin

Radio “Ngjallja”

Διαδώστε: