20 Ιουλίου, 2026

Kremtimi Profetit Ilia dhe përvjetori i 28-të i gradës episkopale të Kryepiskopit Joan

Διαδώστε:

Sot, më 20 korrik 2026, në drejtimin e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Joan u kremtua Liturgjia Hyjnore në Kishën e Ungjillëzimit në Tiranë. Dita e Profetit Ilia përkoi me 28 vjetorin e hirotonisjes në gradën episkopale të Kryepiskopit Joan nga Kryepiskopi i lumur Anastas pikërisht në këtë kishë. Pas gjysmë shekulli ateizm, më 20 korrik 1998, u hirotonis episkopi i parë shqiptar dhe u formua Sinodi i Shenjtë i Kishës sonë.

Për 27 vite me radhë (1998 – 2025) episkopi Joan drejtoi Mitropolinë e Korçës dhe në vitin 2025 me vendimin e Sinodit të Shenjtë të Kishës sonë u zgjodh Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.

Në fjalën e tij përshëndëtëse Hirësi Ignati theksoi: Ngjarje të tilla janë shumë domethënëse, sepse nëpërmjet vazhdimësisë së gradës peshkopale, garantohet ekzistenca e Kishës së Krishtit në tokë. Në ato vite të vështira ku gjithçka ishte shkatërruar, ju Forlumturi morët përsipër një barrë jo të lehtë: – Të pranonit një fron sacrifice për dashurinë e grigjës së Krishtit. Ka rëndësi të kujtojmë vitet e para të ringritjes, të cilat treguan se sa i rëndë është kryqi i Krishtit. Dhe kur kryqi pranohet, ai kthehet në burim gëzimi. Më lejojni, t’ju uroj vite të gjata, të bekuara, të mbushura me hir Perëndie, jo vetëm për ju personalisht, por për të gjithë grigjën e Perëndisë Triadik. Për shumë vjet, o Kryezot”.

Ndërsa Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Joan u shpreh se një përvjetor nuk duhet parë si një moment lavdie, por përkundrazi si një kujtesë e vazhdueshme e përgjegjësisë për të kryer çdo detyrë të ngarkuar nga Zoti me dashuri dhe përulësi.

Në fund të Liturgjisë hyjnore të gjithë besimtarët takuan Kryebariun Joan dhe i uruan me plot mirënjohje: Për shumë vjet, o Kryezot!


Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

 

Διαδώστε: