Lartësimi i Kryqit të Nderuar dhe Jetëdhënës, që kremtojmë çdo 14 shtator, përkujton gjetjen e Kryqit të Krishtit nga Shën Elena, nëna e perandorit Konstandin, në shekullin IV dhe, pasi u morë nga persianët, rimarrjen e tij nga perandori Irakli, në shekullin VII, kur Kryqi u “lartësua” në Kishën e Ngjalljes në Jerusalem.
Sot, në të gjitha kishat orthodhokse të vendit, të Kryepiskopatës dhe Mitropolive, kjo e kremte e madhe u kremtua me solemnitet. Në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, Liturgjia Hyjnore u krye nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi. Me të bashkëmeshoi Mitropolit i Amantias, Nathanaili dhe klerikë të kryeqytetit.
Në fund të Liturgjisë, Kryepiskopi Anastas theksoi se kjo e kremte përmbledh thelbin e besimit të krishterë, sepse Perëndia, nga dashuria e Tij e pakufijshme, dha Birin e Tij të vetëmlindur për shpëtimin e njerëzimit.
