06 Ιουλίου, 2026

Kremtohet Shën Asti, martiri i shek. I dhe mbrojtësi i qytetit të Durrësit

Διαδώστε:

Në kishën kryesore të qytetit të Durrësit, Apostull Pavli dhe Shën Asti, u kremtua me gëzim festa e Shën Astit, Episkopit të parë martir dhe mbrojtësit të qytetit.
Kremtimi i kësaj dite mori një rëndësi të veçantë pasi Shërbesat e Shenjta, Mëngjesorja dhe Liturgjia Hyjnore, u drejtuan nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Joan, në bashkëmeshim me Hirësinë e Tij, Episkopin e Amantias z. Ignat, si edhe me klerikë nga Durrësi dhe Tirana.
Në fjalën e Tij, Kryepiskopi Joan foli për jetën dhe shembullin e Shën Astit, duke theksuar se martirët janë themeli mbi të cilin u ngrit Kisha. Ai u kujtoi besimtarëve se gjaku i tyre u bë fara e përhapjes së Krishterimit në mbarë Perandorinë Romake dhe se qëndresa e tyre përballë përndjekjeve dëshmoi fuqinë e besimit në Krishtin.
Duke folur për jetën e Shën Astit, Kryepiskopi Joan u kujtoi besimtarëve se Episkopi i Durrësit, sipas traditës, luajti një rol vendimtar në përhapjen e Ungjillit në trevat Ilire.
I paralajmëruar në mënyrë profetike për martirizimin e tij, ai nuk u largua, por zgjodhi të qëndronte pranë grigjës së tij, duke dëshmuar besnikërinë ndaj Krishtit deri në frymën e fundit.
Kryepiskopi Joan përshkroi torturat çnjerëzore që iu nënshtrua shenjti, i cili, pasi refuzoi të mohonte besimin dhe të adhuronte hyjnitë pagane, u kryqëzua dhe u la të vuante nën diellin përvëlues të korrikut, me trupin e lyer me mjaltë, derisa dha shpirt. Sakrifica e tij u bë frymëzim edhe për të krishterët e tjerë, të cilët më pas u martirizuan në ujërat e Adriatikut, duke vulosur me gjakun e tyre besimin në Krishtin.
Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Joan theksoi se Kisha nuk i nderon martirët thjesht si heronj të historisë, por si dëshmitarë të Ngjalljes së Krishtit. Sipas Tij, gëzimi i festave të martirëve buron nga fitorja e jetës mbi vdekjen dhe nga shpresa e përjetshme që ata dëshmuan me sakrificën e tyre.
Kryepiskopi Joan u ndal veçanërisht te kuptimi i martirizimit në jetën e çdo të krishteri, duke theksuar se sot dëshmia nuk kërkon domosdoshmërisht derdhjen e gjakut, por një jetë të jetuar sipas Ungjillit.
Sa herë që njeriu kryqëzon pasionet, gënjeshtrën, shpifjen, zilinë, urrejtjen dhe egoizmin, ai bëhet pjesëmarrës në një martirizim shpirtëror, duke lënë pas njeriun e vjetër për të lindur njeriun e ri në Krishtin, u shpreh Kryepiskopi.
Ai kujtoi gjithashtu se të krishterët nuk dëshmojnë vetëm me fjalë, por mbi të gjitha me jetën e tyre, duke vënë në dukje se predikimi më i fuqishëm është shembulli personal.
Në përfundim të predikimit, Fortlumturia eTij, Kryepiskopi Joan ftoi besimtarët t’i luten Shën Astit që të ndërmjetojë pranë Perëndisë për paqe, dritë dhe bekim mbi Kishën, qytetin e Durrësit dhe mbarë vendin.
Pas Liturgjisë Hyjnore u zhvillua litania me ikonën e Shën Astit rreth kishës, kryesuar nga Kryepiskopi Joan, ndërsa Kori i Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë në drejtimin e z. Theodhor Peci, shoqëruan me lutje dhe himne.
Në mbyllje të kremtimit, At Gjerasimi, në emër të klerit dhe besimtarëve, falënderoi Kryepiskopin Joan për praninë e Tij, duke theksuar se pjesëmarrja e Tij i dha një gëzim të veçantë festës së shenjtorit mbrojtësit të Durrësit.
Një suprizë shumë e bukur nga Kryepiskopi Joan, u bë ndaj At Asti Beshirit, prift i Kishës së Apostull Pavlit në Rrushkull, i cili, në ditën e emrit të tij, mori nga duart e Kryepiskopit Joan ofiqin e Saqellar Stavroforit, si shenjë vlerësimi për shërbimin dhe përkushtimin e tij në Kishë.
Më pas, Kryepiskopi Joan kaloi kohë me klerikët dhe besimtarët, duke ndarë me ta gëzimin e kësaj dite të bekuar.


Radio “Ngjallja”

Διαδώστε: