Krishtlindja është stacioni i shpresës sonë, fillimi i gëzueshëm në udhëtimin tonë të madh. Kërcen shpirti ynë nga ngazëllimi, “sepse populli që rrinte në errësirë pa një dritë të madhe” (Matheu 4:16).
Me rastin e festës së Krishtlindjes, Mitropolia e Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit, organizoi një aktivitet artistik me këngë të krishtera dhe tradicionale, valle popullore, recitime dhe dramë. I pranishëm ishte Mitropoliti ynë, Imzot Andoni me bekimin dhe kujdesin e të cilit u organizua ky aktivitet, nën drejtimin e përgjegjësit artistik Harallamb Terziu, mësuesve të Edukimit të Krishterë dhe anëtarëve të Lidhjes Rinore Orthodokse “Bijtë e Dritës”.
Besimtarë të shumtë jo vetëm të mitropolisë sonë por edhe nga qytete të tjera të Shqipërisë mbushën sallën e teatrit “Skampa” të qytetit të Elbasanit. Të ftuar të veçantë ishin Kryetari i Bashkisë, Prefekti, përfaqësues nga komunitet fetare dhe klerikë të kishës sonë të cilët me gëzim ishin mbledhur për të ndjekur këtë aktivitet i cili kishte në qendër të vëmendjes festën e madhe të orthodhoksisë dhe mbarë Krishtërimit!
Të rinjtë e Lidhjes Rinore Orthodokse “Bijtë e Dritës”, fëmijët e grupeve të katekizmit dhe të kopshtit “Frymë Dashurie”, si dhe pjesëmarrja e grupeve artistike të qytetit të Elbasanit dhe zonës së Shpatit me zërat e tyre, shpërndanë mesazhin e qartë të gëzimit që sjell Lindja e Shpëtimtarit të botës.
Të dashur motra dhe vëllezër më Krishtin!
Grazhdet dhe pemët e Krishtlindjes, kalojnë. Dritat fiken, ëmbëlsirat mbarojnë, barinjtë kthehen në stanet e tyre, “magët shkojnë në vendin e tyre nga një tjetër udhë”, engjëjt ngjiten në qiell, por “Mbreti i lindur” i shpirtrave tanë, Perëndia që u trupëzua, mbetet gjithmonë pranë nesh. Kështu, Krishtlindja zgjat për shumë ditë, për gjithë vitin, për gjithë vitet e jetës sonë. Sepse brenda zemrës sonë, banon Foshnja Hyjnore, Perëndia i Mishëruar, Shpëtimtari dhe Shpërblyesi ynë.
Krishtlindje të bekuara!