29 Σεπτεμβρίου, 2025

Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e tij z. Joan po merr pjesë në Konferencën II Ndërkombëtare të Revistës “Θεολογία”

Διαδώστε:

Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e tij z. Joan po merr pjesë në Konferencën II Ndërkombëtare të Revistës “Θεολογία” me temë:
“Teologjia Orthodhokse dhe ‘Ontologjia’ e Teknologjisë: Pasojat Antropologjike, Politike, Ekonomike, Shoqërore dhe Kulturore”
Kryepiskopi Joan shoqërohet në këtë aktivitet të rëndësishëm nga Mitropoliti i Korçës, Hirësi e Tij, Anastasi, Kryedhjakon Johan Koroveshi, pedagogët z. Gjergji Mulla dhe z. Thoma Çomëni.
Fortlumturia ynë, imzot Joani dhe delegacioni shoqërues i Kishës sonë u prit në pikën kufitare të Kapshticës nga Mitropolitët: i Grevenasë Hirësia e Tij, z. David; i Kosturit, Hirësia e Tij, z. Kaliniku dhe i Siatistës, Hirësia e Tij, z. Athanasi.
Në Selanik, Kryepiskopi Joan, u takua miqësisht me Kryepiskopin e Greqisë, Jeronimin II dhe Patriarkun e Bullgarisë, Danielin.
Konferenca II Ndërkombëtare e organizuar nga Revista Teologjike “Θεολογία”, nën kujdesin dhe organizimin e Sinodit të Shenjtë të Kishës së Greqisë, zhvillohet në qytetin e Selanikut më 29 shtator -1 tetor 2025. Kjo konferencë përfaqëson një ngjarje të rëndësishme në kalendarin akademik dhe kishtar ndërkombëtar, duke adresuar temën: “Teologjia Orthodhokse dhe ‘Ontologjia’ e Teknologjisë: Pasojat Antropologjike, Politike, Ekonomike, Shoqërore dhe Kulturore”.
Komiteti Organizues:
Kryetar i Konferencës është Fortlumturia e Tij, Jeronimi II, Kryepiskop i Athinës dhe i Gjithë Greqisë.
Anëtarë të Komitetit Organizues janë:
• Mitropoliti Doroteu i Siros
• Mitropoliti Krisostomi i Halkis
• Mitropoliti Nikolla i Mesogaia dhe Lavreotiki
• Mitropoliti Dionisi i Korinthit
• Mitropoliti Davidi i Grevenas
• Mitropoliti Platoni i Langadas, Liti dhe Rentina
• Mitropoliti Gregori i Peristerionit
• Mitropoliti Filotheu i Selanikut (Drejtor i Sektorit të Botimeve të Sinodit të Shenjtë të Kishës së Greqisë)
Sekretar: Dr. Aleksandri I. Katsiaras, Drejtor Redaksie i Revistës “Θεολογία”.
Konferenca po zhvillohet në praninë e:
• Tërëshenjtërisë së Tij, Patriarkut Ekumenik Bartolomeu I
• Fortlumturisë së Tij, Jeronimit II, Kryepiskop i Athinës dhe i Gjithë Greqisë, i cili do të mbajë fjalën përshëndetëse
• Primatëve të Kishave Orthodhokse të Bullgarisë, Qipros dhe Shqipërisë
• Delegacioneve zyrtare të Kishave Autoqefale Orthodhokse
• Përfaqësuesve të Autoriteteve Politike, Juridike të Greqisë
Fortlumturia e Tij, Imzot Joani, do të referojë mbi temën: “Tjetërsimi Digjital dhe Terapeutika Orthodhokse: Një Qasje Baritore ndaj Teknologjisë”.
________________________________________
Kjo konferencë përfaqëson një përpjekje serioze për të artikuluar një përgjigje teologjike dhe baritore ndaj sfidave të kohës moderne, ku teknologjia ndikon thellësisht, jo vetëm në jetën e përditshme të individit, por edhe në përkufizimin e vetë natyrës njerëzore dhe marrëdhënies me Zotin dhe tjetrin.


Radio “Ngjallja”

Διαδώστε: