Më 14 shkurt 2020, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi, u nderua me Çmimin “Klaus Hemmerle 2020”, Për kontributin e tij në përqasjen dhe bashkekzistencën paqësore të komuniteteve të traditave të ndryshme.
Ceremonia e dorëzimit të Çmimit u bë në Kishën Katedrale historike të Aahenit, në Gjermani, ku morën pjesë më shumë se 300 të ftuar. Veprimtaria u hap me muzikë klasike. Pastaj ipeshkvi i Aaheni, Dr. Helmut This, bëri mirëseardhjen, duke e quajtur Kryepiskopin Anastas “pionier të besimit dhe ekumenizmit”.
Lavdërimin (Laudatio) për personin e nderuar me këtë çmim e mbajti kardinali Kurt Koh, President i “Këshillit Pontifik për Promovimin e Unitetit të Krishterë” (PCPCU), që kishte ardhur posaçërisht me këtë rast. Ai foli për rrugëtimin hierapostolik të Kryepiskopit Anastas, që e çoi në Afrikë e më pas në Shqipëri, duke ndërtuar gjithmonë marrëdhënie respekti të thellë me pjesëtarët e besimeve të tjera. Ai theksoi gjithashtu, se shembulli i Fortlumturisë së Tij është dëshmi se dialogu ndërfetar dhe angazhimi hierapostolik nuk janë në kontradiktë me njëri-tjetrin. Gjithashtu, përshëndetën Presidentja e Lëvizjes së Fokolarëve, Maria Voce, Kryetari i Konferencë së Episkopëve Orthodhoksë të Gjermanisë, Mitropoliti Augustos Lambardakis dhe përfaqësye të Levizjes. Në ceremoni merrnin pjesë edhe episkopë orthodhoksë të kishave në Gjermani.
Në përshëndetjen e tij falënderuese, Kryepiskopi Anastas foli për temën “Bashkekzistenca paqësore në një botë multifetare”. Ceremonia u mbyll me një program me muzikë klasike, me pjesë nga Bah. Më parë, Kryepiskopi Anastas ishte pritur me këtë rast nga Kryetarja e Bashkisë së Ahahenit, Marianne Konradt.Fokolarët janë një “Lëvizje për ripërtëritje shpirtërore dhe sociale” romano-katolike, që ka për qëllim arritjen e paqes dhe të bashkekzistencës paqësore midis njerëzve dhe popujve. Ata numërojnë reth 140.000 anëtarë dhe veprojnë në 180 vende. Prej vitit 2002 kanë themeluar çmimin në fjalë për nder të Klaus Hemmerle (1929-1994), “këtij ndërtuesi urash” shpirtërore, i cili ka qenë Episkop i Aahen (1975-1994) dhe profesor i Filozofisë së Fesë.
