28 Φεβρουαρίου, 2021

“Kujtimet e bukura të jetës pranë Atit”!

Διαδώστε:

Një pikëpyetje e madhe të dashur besimtarë, ngrihet mbi personin e djalit të madh në paravolinë e Djalit Plangprishës që dëgjuam në pjesën e ungjillit të sotëm. Një pikëpyetje nëse ai në fund pranoi të futet në shtëpinë e atit apo jo?
Çfarë na tregon kjo histori? Një njeri kishte dy djem. Më i riu i tha më jep pjesën që më takon dhe pasi mori pjesën e tij, u largua në një vend të largët ku edhe prishi gjihtë pasurinë. Në atë vend ra një zi e madhe buke dhe ai shkoi të punonte duke kullotur derrat dhe po vdiste nga uria. Mendoi sa shumë punëtorë kishte i ati i tij dhe kanë bukë e u tepron, kurse ai po vdiste urie, kështu do të kthehem dhe do ti them atit tim: “ Mëkatova kundër qiellit dhe kundër teje. Nuk jam i denjë të quhem biri yt. Më mbaj si një nga shërbëtorët e tu”.
Kur po kthehej për në shtëpi, i ati e pa nga larg, vrapoi drejt tij, e përqafoi dhe e puthi. Djali i tha: “Atë mëkatova kundër qiellit dhe kundër teje. Nuk jam i denjë të quhem biri yt”. Ati urdhëroi shërbëtorët t’i vishnin djalit stolinë më të bukur, unazë në gisht dhe sandale në këmbë. Të therej viçi i majmur dhe të festoi që djali i tij u kthye shëndosh e mirë.
Djali i madh, pasi u kthye nga ara, dëgjoi muzikë dhe valle dhe pyeti njërin nga shërbëtorët se çfarë kishte ndodhur ? Ai i tha: “ U kthye yt vëlla dhe ati yt theri viçin e majmur”. Djali i madh u zemërua dhe nuk donte të hynte në shtëpi. Doli ati dhe ju lut të hynte, por ai i tha: unë kam punuar si një nga shërbëtorët e tu dhe kam kryer gjithë prositë e tua, por ti nuk më ke dhënë një kec që të festoj me miqtë e mi. Tani që erdhi djali yt që prishi pasurinë tënde me lavire there viçin e majmur”. Ati i tha: “Biri im ti gjithmonë je me mua dhe gjithçka që unë kam është e jotja, por ne duhet të gëzojmë dhe të festojmë sepse yt vëlla ishte i humbur dhe u gjet, ishte i vdekur dhe u kthye në jetë”.( Ll.15:11-33)
Këtu mbaron kjo histori. Mbaron me padijen nëse djali i madh u fut në shtëpi dhe pranoi vëllain e tij. Djali i madh është përfaqësuesi i të gjithë neve që jemi në gjirin e familjes Atërore të Perëndisë. Të gjithë ne ruajmë gjëra formale, të jashtme, ashtu si djali i madh që nuk kishte shkelur kurrë porositë e atit dhe vazhdimisht ishte përpjekur të mbushte të gjitha detyrimet. Në fakt jemi shumë larg zemrës së Atit, jemi larg dashurisë së Atit. Jemi shumë larg ngjashmërisë me Të. Kur ne jemi njerëz të tillë që vetëm gjykojmë dhe nuk falim të tjerët, kështu jetojmë në fatkeqësinë më të madhe, as nuk duam dhe as nuk na duan.
Krejt e çuditshme është ajo që ndodh me djalin e vogël. Kushdo do të mendonte se për të nuk kishte më kthim dhe do të vazhdonte rrugën drejt shkatërrimit. Sigurisht që këtu do të bëhej pyetja se çfarë ishte ajo që e bëri të kthehej përsëri në familjen e atit? Sigurisht nuk ishte interesi që atje kishte ushqim për të jetuar. Jo, ishte eksperienca e përkujdesjes dhe dashurisë atërore. Ai nuk do të kthehej në shtëpinë e tij, nëse do të dinte që ati i tij do të ishte një njeri i pamëshirshëm, i dhunshëm, i padashur. Kujtimet e bukura të jetës pranë atit, e bën atë që të mos ngurronte aspak të kthehej në vatrën atërore.
Sa e rëndësishme ishte të dashur besimtar, të rrisim fëmijët tanë në një familje të shëndoshë, në një familje të dashur. Ne duhet të përpiqemi t’i rrisim fëmijët tanë me kujtime të bukura për jetën e tyre fëminore pranë prindërve. Me sigurinë që kanë një folezë të sigurt ku mund të qëndrojnë përgjithmonë. Kur të rriten ata do të kalojnë shumë sfida, shumë probleme dhe shqetësime. Mund të marrin rrugë të këqija si djali plangprishës, por kur do të kujtojnë jetën dhe ngrohtësinë familjare. Ajo do të jetë si një zjarr që ngoh në acarin e fortë të paudhësisë që do tu jap atyre shtysa për tu larguar nga kjo rrugë e shkatërrimit dhe për tu kthyer në rrugën e mirësisë me të cilën ai është rritur dhe është ushqyer gjatë jetë së tij familjare.
Mbusheni jetën e fëmijëve tuaj me kujtime të bukura. Mbusheni jetën e fëmijëve tuaj me gëzimet e jetës së besimit. Mbusheni jetën e tyre me dashurinë për Kishën dhe Perëndinë edhe kudo që do të shkojnë, kudo që të përplasën furtunat e jetës, sado larg të shkojmë si djali plangprishës, ka shumë siguri që ata do të kthehen përsëri.
Gjëja më e mirë që mund të bëjmë për fëmijët të bëhemi si atë i dashur, që di t’i qortoi, por di më tepër të falë dhe të dojë. Di t’i privojë nga gjërat e dobishme, por dhe t`i tregoi se ka besim tek ai.
Shembulli më i mirë është vetë jeta jonë. Mënyra se si sillemi me fëmijët, si sillen prindërit me njeri- tjetrin. Si është jeta e tyre e besimit dhe sa luten? Sa kreshmojnë? Sa lexojnë Biblën? Sa kungohen? Sa bëjnë vepra bamirësie? Si sillen me njerëzit e tjerë? Prindërit duhet të kenë në të gjitha këto qëndrimin e Atit Qiellor, Perëndisë së Dashurisë.
Të dashur besimtarë, le të mos qëndrojmë në gjërat e jashtme dhe formale, por le të jemi shembulli i figurës së Atit Qiellor. Amin!

 

Nga predikimi i Mitropolitit të Apollonisë & Fierit, +Nikolla, E Diela e Djalit Plangprishës, dt. 28/02/2021

 

— facebook.com/MitropoliaFier

Διαδώστε: