Në shekullin e kaluar, në moshën 30 – vjeçare vdiq në Gjermani një grua e pasur, e njohur, e cila deri sa vdiq mohoi mundësinë e jetës së përtej varrit. Duke u mbështetur në bindjet e veta, ajo la amanet që varrin e saj ta mbulonin me një pllakë të rëndë graniti dhe ta rrethonin me një mur të madh prej guri të përforcuar me unaza të trasha hekuri.
Dëshira e saj u plotësua dhe mbi pllakë u vu një mbishkrim: “Ky varr është i përcaktuar të rrojë në shekuj. Ndalohet rreptësisht hapja e tij në çdo kohë.” Dhe kështu, madje edhe në varr, ajo sikur i bënte sfidë të Gjithëfuqishmit.
Megjithatë, një farë e vogël, që ra mbi pllakë, mbiu dhe çau midis gurëve dhe doli në sipërfaqe të tokës. Pak e nga pak, duke shkuar gjithmonë e më tej, e gërmoi tokën dhe prej saj, me kalimin e viteve, u rrit një pemë shumë e madhe. Rrënjët e fuqishme fituan një forcë kolosale, ato e shkulën rrethimin; unazat e hekurta u shqyen dhe pllaka e varrit u ngrit. Jeta triumfoi atje ku gjithçka ishte e dënuar me vdekje.
Një lis i lartë qëndron tani mbi këtë varr, duke qenë dëshmitar i heshtur i së vërtetës dhe një përgënjeshtrim i qartë i mosbesimit të gruas së vdekur. Populli i thjeshtë në atë vend, me një tmerr besëtytnie, e vështron këtë monument. Me të vërtetë, asnjë gur, asnjë pengesë nuk do të na fshehë nga Gjyqi i Perëndisë. Ditën e fundit, secili nga ne do të qëndrojë para Zotit dhe atëherë i vetmi shpëtim do të jetë në Krishtin.
Qengji do t’i gjykojë të gjithë, Qengji theror, i Cili do të shfaqet atëherë në të gjithë lavdinë e Tij Vetë Krishti, Vetëm Ai do të na shpëtojë nga zemërimi i Perëndisë.
Sado përpjekje të bëjnë njerëzit për të përgënjeshtruar të vërtetën e Zotit me mosbesimin, apo me çdo gjë tjetër, do të vijë koha, kur ajo do të deklarojë për veten në mënyrë të pakundërshtueshme; do të vijë ora, kur do të mbyllen para Tij të gjitha gojërat, kur gjithçka do të shikojë Syri i Tij dhe çdo shpirt besëthyer do të detyrohet të përkulet para Tij.
