Këtë të dielë në kishë dëgjuam ungjillin e Mbjellësit dhe Farës.
Shpesh kemi dëgjuar këtë histori, shpesh kemi dëgjuar predikime për këtë. Kemi dëgjuar të na shpjegohen llojet e tokave nga teologë të ndryshëm.
Unë sot duke dëgjuar u ngacmova dhe po mendoja për tokën e tretë, ku një pjesë e madhe e njerëzve, bëjnë pjesë.
Mbjellin në shpirtin e tyre lulet aromatike të virtyteve të krishtera dhe bashkë me këto, lejojnë që të mbijnë dhe të rriten gjembaçët e mëkatit. Kjo kategori njerëzish e ka të ndarë më dysh shpirtin. Me një këmbë qendron te Krishti dhe me këmbën tjetër në botën e rëndomtë. I japin hapësirë më shumë seç duhet të përditshmes, që i mbyt edhe i tejlodh. Janë njerëz, që njërin sy e drejtojnë nga Qiejt dhe tjetrin në baltën e botës.
Ky duket rasti më dekurajues, sepse fara gjeti tokë pjellore dhe jo vetëm mbiu, por edhe u zhvillua dhe dha shpresë për prodhime të bollshme. Papritur shpresat shuhen dhe ndjesitë e ëmbla ia lenë vendin hidhërimit dhe zhgënjimit.
Pse?! Sepse gjembat e mbytën bimën e virtyteve.Të dashur më Krishtin, le të përpiqemi, që të mos lejojmë gjembat e të përditshmes sonë që të mbysin bimët e virtyteve! Të kërkojmë nga Perëndia, me lutje të vazhdueshme, që toka e shpirtit tonë të jetë ambienti më i mirë për Fjalën e Perëndisë! Zoti qoftë udhëheqësi i ditëve tona! Amin!
