01 Απριλίου, 2021

Lëmosha

Διαδώστε:

Çfarë do të thotë mirënjohje e gënjeshtërt ndaj Perëndisë? Mirënjohja është e rreme kur duke marrë prej Perëndisë dhurata të shumta, si materiale edhe shpirtërore, njerëzit e falënderojnë Perëndinë për to me gojën e tyre, dhe i përdorin ato vetëm për interesin e tyre, duke mos i ndarë ato me të afërmit e tyre; kur ata i marrin dhe i fshehin ato në banka, në hajatet e tyre apo në shtëpinë e tyre, dhe në këtë mënyrë privojnë shumë prej vëllezërve të tyre prej ndriçimit, prej mësimit, dhe prej shpëtimit ose ngushëllimit; ose prej ushqimit, pijes, veshjes ose strehimit. E tillë mirënjohje është e rreme dhe e pafe. Ajo e falënderon Perëndinë me gojë, dhe në të njëjtën kohën tregon mosmirënjohje ekstreme në vepra. Sa njerëz të tillë mosmirënjohës ekzistojnë!

“Duaje të afërmin tënd porsi veten tënde”. Ne duhet t’i kemi të gjitha gjërat të përbashkëta. Ashtu si dielli, ajri, zjarri, uji dhe toka janë të përbashkëta për të gjithë ne, po kështu, ushqimi, paratë, librat dhe në përgjithësi, të gjitha dhuratat e Perëndisë duhet të ndahen së bashku; sepse ato janë dhënë për interesin e përbashkët. Ne nuk kemi asgjë prej vetes, gjithçka dhe çdo gjë i përket Perëndisë.

Kur unë i shoh nga afër disa të varfër dhe bisedoj me ta, unë shoh se sa të butë, të dashur, të përulur, të thjeshtë, realisht të mirë, të varfër në trup, por sa të pasur në frymë ata janë.

Ata më bëjnë mua – që jam i pashpirt, krenar, i keq, përbuzës, nevrik, tinëzar, i ngurtë drejt Perëndisë dhe njerëzve, i mbushur me lakmi dhe të keqe, të më vijë turp për veten. Ata janë miqtë e vërtetë të Perëndisë. Dhe armiku, i ndërgjegjshëm për thesaret e tyre shpirtërore, zgjon tek shërbëtorët e tij – krenarinë dhe përbuzjen – dhe mllefin kundrejt tyre, dhe dëshirojnë për t’i fshirë ata nga faqja e dheut, sikur ata të mos kenë asnjë të drejtë për të jetuar dhe ecur mbi këtë tokë.

Miqtë e Perëndisë tim, vëllezërit e mi të varfër! Ju që jeni realisht të pasur në frymë, ndërsa unë jam një lypës i vërtetë, i mallkuar dhe i varfër. Ju jeni të denjë për respekt të sinqertë, që zotëroni bekimet e kësaj bote me bollëk, por ne jemi të varfër dhe të mjerë dhe në nevojë për virtyte, dhe për dashurinë drejt Perëndisë dhe të afërmit tonë. Dashtë Zoti të na mësojë të përbuzim gjërat e jashtme, dhe të shohim drejt së brendshmes, të vlerësojmë të brendshmen dhe jo të jashtmen, dhe ta shohim këtë në marrëdhëniet me të pasurit dhe të pushtetshmit e kësaj bote.

Nuk është e drejtë që të pasurit të grumbullojnë të ardhura për veten e tyre kur gjenden shumë njerëz të varfër në nevojë për jetesën, për veshje dhe strehime, këta duhet që ne gjithmonë t’i ndihmojmë, veçanërisht ata prej nesh që janë të pasur.

Perëndia për hatrin tonë nuk kurseu as Birin e Tij të Vetëmlindur. Si mund që ne nuk ofrojmë për të afërmit tanë që janë në nevojë për pije, veshje ose para? Zoti iu jep shumë disave, dhe pak të tjerëve me qëllim që ne të sigurojmë për njëri tjetrin.

Zoti kështu e ka rregulluar, që në qoftë se ne ndajmë me dëshirë dhuratat me bollëk me të tjerët, atëherë ato shërbejnë për të mirën tonë duke i hapur zemrat tek dashuria e të afërmit tonë, ndërsa përdorimi i tyre për interesat tona shërben për të shëndoshur trupin dhe humbur shpirtin.

Tregoni maturi kur një njeri i varfër, që ka nevojë për ndihmën tuaj, e kërkon prej jush. Armiku do të përpiqet në atë kohë të ftohë zemrën tuaj, dhe ta mbushë atë me mospërfillje dhe madje me neveri, kundrejt atij që është në nevojë. Kapërcejeni këtë situatë; nxiteni zemrën ta dojë këtë njeri si gjymtyrë të Krishtit, si gjymtyrën tuaj me qëllim që Krishti Zoti t’ju mbush me dashuri dhe çfarë do të kërkojë prej jush plotësojani kërkesën sipas mundësisë tuaj.

“Jepini kujtdo që kërkon prej teje; dhe nëse dikush merr gjënë tënde mos kërko të ta kthejë” (Luka 6:30).

Kur ju i jepni lëmoshë dikujt që ju lyp, dhe që në pamje të jashtme, nuk e meriton atë, ose nuk ka nevojë për të, si pasojë e saj zemra juaj s’duron dot për lëmoshën e dhënë, pendohuni për këtë; sepse dashuria e Perëndisë vazhdon të na dhurojë bekimet e Tij mbi ne, madje edhe kur ne kemi mjaftueshëm. Dashuria për të afërmin duhet t’ju thotë ju “Megjithëse ai ka diçka, përsëri unë do t’i dhurojë që të shtohet pasuria e tij (megjithëse në fakt disa të shkoqura as nuk do ta shtojnë as do ta pakësojnë pasurinë e tij).

Perëndia më dhuron mua, atëherë unë përse nuk duhet t’ju dhurojë atyre që kanë nevojë? Unë them për nevojtarët, sepse kush do të zgjaste dorën pa pasur nevojë? Të gjithë ne jemi lypës, edhe dhuratat që ne kemi marrë nga Perëndia nuk janë për shkak të meritave tona por për shkak të zemërgjerësisë së Tij. Përse atëherë, duke pasur me bollëk, nuk dëshironi të jeni zemërgjerë ndaj vëllezërve tuaj?

Megjithatë është e drejtë që ata që punojnë shumë duhet të kenë bollëk, dhe që përtacët duhet të pranojnë varfërinë dhe skamjen. Prandaj, në qoftë se ne e dimë që disa janë të varfër vetëm nëpërmjet përtacisë tyre, me këta njerëz ne nuk jemi të detyruar të ndajmë përfitimet e siguruara nëpërmjet punës sonë. “Ai që nuk punon” thotë Shën Pavli, “as nuk duhet të hajë”.

Në qoftë se ju shijoni bekimet e kësaj bote në masë të plotë, dhe në qoftë se u jepni të varfërve, por kënaqni veten akoma më tepër, kjo do të thotë që ju bëni vepra të mira pa vetëmohimin më të vogël. Veprat tuaja të bamirësisë nuk mund të konsiderohen të mëdha.

Dashuria për Perëndinë dhe të afërmin tonë, në gjendjen tonë të tanishme, është e pamundur pa vet-sakrifikim; ai që dëshiron të përmbush urdhërimin duhet ta përkushtojë veten tërësisht tek veprat e mëdha dhe vuajtjet për hir të atyre që ai i do.

“Por i riu kur i dëgjoi këto fjalë iku i trishtuar, sepse kishte shumë pasuri të mëdha” (Mateu19:22). Edhe ne gjithashtu shpeshherë trishtohemi, ligështohemi, në shpirt dhe trup, me një fjalë të vetme që kërkon një sakrificë për hir të mbretërisë qiellore, ndonëse ne tregoheshim trima pak më parë.

Mbartni brenda zemrës suaj vazhdimisht fjalët “Krishti është dashuri”; dhe përpiquni t’i doni të gjithë, duke sakrifikuar për hir të dashurisë jo vetëm ato që i posedoni, por edhe veten gjithashtu.

Ai që realisht bën bamirësi është ai që i ofron me gjithë shpirt, ai që i ofron me dashuri. I mëshirshëm është ai që bisedon me këdo me gjithë qenien e tij, dhe jo vetëm me mendje dhe me buzë; i cili dhuron me sinqeritet, dhe dhembshuri; ai që predikon fjalën e Perëndisë dhe i shërben Perëndisë me një zemër të vërtetë, dhe jo në mënyrë hipokrite – ai që i përqafon të gjithë, dhe i mbart të gjithë ne zemrën e tij me anë të dashurisë, pavarësisht nga çdo gjë e kësaj bote që mund të bëhet pengesë ndaj dashurisë ndërmjet tij dhe të afërmit; njeriu i tillë është realisht i mëshirshëm.

Ata që japin bukë ose para tek të varfrit pa dhembshuri, me një sy të keq dhe një zemër të pakënaqur, veprojnë njësoj si të helmonin bukën ose lëmoshën e tyre, megjithëse helmi është një helm shpirtëror dhe i padukshëm.
Ne duhet të japim me dashuri, duke treguar respektin për personin e të afërmit tonë, vullnetarisht dhe me gëzim; sepse është natyrale që dashuria duhet të gëzohet kur ofron ndihmë tek të dashurit.

E pavlerë (e padenjë) është bamirësia e njeriut që e ofroi atë në mënyrë të pavullnetshme, sepse dhënia e lëmoshës nuk është prej tij, por dhuratë prej Perëndisë; vetëm prirja e zemrës së tij i përket atij.

Sado bamirësi dhe lëmosha të ofrojmë për të varfrit nuk mund të zëvendësojnë dashurinë për të afërmit tonë në qoftë se nuk ekziston dashuria brenda shpirtit; prandaj kur bëjmë bamirësi, ne duhet të tregohemi të kujdesshëm që ajo të ofrohet me dashuri, me shpirt të sinqertë, vullnetarisht dhe jo nga ndjenja e mërzitjes. Pikërisht fjala bamirësi tregon që ajo duhet të jetë një akt prej shpirtit, dhe duhet të dhurohet me mëshirë (duke ndjerë keqardhje) për ata që janë në nevojë, dhe me një ndjenjë pikëllimi për mëkatet tona sepse lëmoshat do të na pastrojnë prej mëkatit.

Ai që bën bamirësi në mënyrë të pavullnetshme nuk i pranon mëkatet e tij, nuk ka mësuar të njoh veten. Bamirësia është, para së gjithash, një përfitim për ata që e bëjnë atë. Shpirt fisnik dhe të lartësuar ka ai njeri që plot mëshirë dhe bujari ndan dhuratat e tij me të gjithë, dhe është i lumtur kur i jepet rasti për të bërë mirë dhe sjellë kënaqësi tek të tjerët pa menduar se mund të shpërblehet. Shpirt fisnik dhe të lartësuar ka ai njeri që kurrë nuk është mospërfillës dhe arrogant drejt atyre që kanë nevojë për të dhe marrin prej bujarisë së tij, ai që nuk i neglizhon ata aspak, por i nderon ata ashtu siç i nderonte në fillim ose më tepër. Shpeshherë ndodh që ne lodhemi prej tyre, dhe i konsiderojmë si një hiç; ne shpeshherë e vendosim njeriun poshtë një kafshe të dashur apo madje një objekt të dashur.

Është mirë gjithashtu t’ju japim të varfërve, jo vetëm me qëllim për të marrë mëshirë në ditën e frikshme të gjyqit, por edhe këtu në tokë ata që japin lëmoshë shpesh marrin mëshirë prej të tjerëve, dhe që për diçka që të tjerët duhet të paguajnë një shumë të madhe parash u jepet atyre falas. Në të vërtetë, a nuk është Dashuria e krijesës, Ati ynë Qiellor, që i shpërblen ata edhe në këtë botë, për t’i inkurajuar ata për të bërë vepra bamirësie akoma më të mëdha.

Lakmia është marrëzi për të Krishterët. Nëpërmjet Krishtit ne kemi marrë bekime pafundësisht të mëdha, të gjithë jemi bërë hyjnorë, të gjithë kemi mundësinë të bëhemi trashëgimtarë të Mbretërisë së Qiejve. Edhe gjithashtu Zoti na premton bekime të kësaj bote në qoftë se ne kërkojmë drejtësinë e Perëndisë dhe Mbretërinë e Tij. “Kërkoni së pari Mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e Tij dhe këto gjëra të tjera do të shtohen për ju” dhe ne u urdhëruam gjithashtu të gëzohemi me atë çfarë kemi dhe të mos bëhemi lakmitarë.
Kur zemra juaj mbushet me të keqe thuaji vetes:

“Jeta ime është Krishti i dashur; Ai është pasuria, ushqimi, pija më e pashtershme”. Trupi ynë i verbër ëndërron të gjejë jetë në ushqim dhe në para dhe mbart të keqe drejt atyre që e privojnë atë prej tyre. Por të jemi tërësisht të bindur se jeta juaj nuk konsiston tek ushqimi dhe paraja, por tek dashuria e përbashkët (e ndërsjellë) për hir të dashurisë, dashurisë së Perëndisë.

Shën Joani i Kronshtadit

 

— facebook.com/RadioNgjallja

Διαδώστε: