Gjenevë, 11 korrik 2020
Në një letër drejtuar presidentit të Republikës së Turqisë, Shkëlqesisë së Tij, Rexhep Taip Erdogan, Sekretari i përgjithshëm aktual i Këshillit Botëror të Kishave, Rev. Prof Ioan Sauca shpreh dëshirën dhe lutjen e tij të zjarrtë që shën Sofia të mos bëhet sërish qendër përplasjesh dhe konfliktesh, por t’i rikthehet rolit të saj emblematik e unifikues, ashtu sic e ka patur që prej vitit 1934. Lexoni më poshtë letrën e plotë
I nderuar z. President,
Që prej funksionimit të saj si një qendër muzeale në vitin 1934, shën Sofia ka shërbyer si një vend i hapur takimesh dhe frymëzimi për njerëzit e gjithë kombeve e besimeve, por edhe si një simbol i fuqishëm i përkushtimit të Republikës së Turqisë ndaj laicizmit dhe gjithëpërfshirjes, si edhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në hedhjen pas të konflikteve të së shkuarës.
Por, në këtë ditë, jam i detyruar tju përcjell hidhërimin dhe shqetësimin e Këshillit Botëror të Kishave, si edhe të 350 kishave anëtare në më shumë se 110 shtete, të cilat përfaqësojnë më shumë se gjysëm miliardë të krishterësh anë e mbanë botës, për këtë nismë që doni të ndërmerrni. Duke vendosur ta shndërroni shën Sofinë në një xhami, ju hidhni poshtë rolin pozitiv të Turqisë si një vend i hapur ndaj të gjithë botës, duke e kthyer atë në një vend të përjashtimit dhe ndasive. Gjithashtu, për fat të keq ky vendim është ndërmarë pa paralajmërim apo diskutime paraprake me UNESCOn, në lidhje me ndikimin që do të ketë ky vendim në vlerat universale të shën Sofisë, të njohura nga Konventa e Trashëgimisë Botërore.
Ndër vite, Këshilli Botëror i Kishave është përpjekur të mbështesë përfshirjen aktive të kishave të veta anëtare në dialogë ndërfetarë, në mënyrë që të ndërtohen ura të respektit të përbashkët dhe bashkëpunimit, bazuar në vlerat e përbashkëta midis komuniteteve të ndryshme fetare. Për më tepër, në kohë sfidash, Këshilli Botëror i Kishave, së bashku me kishat anëtare është shprehur pro mbrojtjes dhe mbështjetjes së komuniteteve të ndryshme fetare, duke përfshirë edhe komunitetet myslimane, për respektimin e të drejtave dhe integritetit të tyre. Vendimi për të kthyer një qendër të tillë emblematike si shën Sofia nga muze në xhami, do të krijojë pashmangshmërisht pasiguri, dyshime dhe mosbesim, duke hedhur poshtë kështu të gjitha përpjekjet tona për të mbledhur së bashku në tryezën e dialogut dhe bashkëpunimit njerëzit e besimeve të ndryshme fetare.
Për më tepër, kemi frikë se ky vendim, do të motivojë ambiciet e grupimeve të ndryshme, të cilat do të kërkojnë përmbysjen e status quosë ekzistuese, për të sjellë përcarje të reja midis komuniteteve fetare.
Z. President, ju keni pohuar vazhdimisht identitetin e Turqisë moderne si një shtet laik, por dje ju e hodhët poshtë punën që është bërë që prej vitit 1934 për të ruajtur këtë monument historik si trashëgiminë e përbashkët të njerëzimit. Duke dashur të promovojmë mirëkuptimin e ndërsjelltë, respektin, dialogun dhe bashkëpunimin, si dhe të shmangim thellimin e armiqësive dhe përcarjeve të vjetra, ju bëjmë thirrje urgjentisht për ta rimarrë në shqyrtim dhe për ta hedhur poshtë këtë vendim.
I bashkohemi Tërë shenjtërisë së Tij, Patriarkut Ekumenik Bartoleme për të shprehur dëshirën dhe lutjen tonë të zjarrtë që shën Sofia të mos bëhet sërish qendër përplasjesh dhe konfliktesh, por t’i rikthehet rolit të saj emblematik e unifikues sic e ka patur që prej vitit 1934.
Me respekt,
Rev. Prof Dr Ioan Sauca
Sekretar i përgjithshëm aktual i
Këshillit Botëror të Kishave
