29 Σεπτεμβρίου, 2021

Leximet Biblike

Διαδώστε:

E mërkurë, 29 shtator 2021 – Leximet Biblike.
DITË KRESHME
APOSTULLI – Galatianëve 3:16-22.
Edhe premtimet iu thanë Abrahamit edhe farës së tij; nuk thotë: Edhe farave, si për shumë, po si për një: “Edhe farës sate”, që është Krishti.
Edhe këtë e them, se dhiatën që qe vërtetuar më përpara prej Perëndisë në Krishtin, ligji që u bë pas katërqind e tridhjetë vjetësh nuk e hedh poshtë që të prishë premtimin.
Sepse në qoftë se trashëgimi është prej ligji, nuk është më prej premtimi; po Perëndia ia fali këtë Abrahamit me anë të premtimit.
Përse pra u dha ligji? U shtua për shkak të shkeljeve, deri sa të vinte fara, së cilës i qe bërë premtimi; edhe ky ligj u urdhërua me anë të engjëjve me dorë ndërmjetësi.
Edhe ndërmjetësi nuk është vetëm i njërit; po Perëndia është një.
Ligji pra qenka kundër premtimeve të Perëndisë? Larg qoftë!
Sepse në është dhënë ligj që mund të japë jetë, atëherë drejtësia do të ishte me të vërtetë prej ligjit.
Por shkrimi i mbylli të gjitha nën mëkat, që t’u jepet premtimi prej besimit në Jisu Krishtin atyre që besojnë.
* * * *
UNGJILLI – Llukai 5:33-39.
Edhe ata i thanë: Pse nxënësit e Joanit agjërojnë dendur dhe bëjnë lutje, gjithashtu edhe ata të Farisenjve, por të tutë hanë e pinë?
Edhe ai u tha atyre: Mos mund t’i bëni dasmorët të agjërojnë deri sa të jetë dhëndri bashkë me ta? Po kanë për të ardhur ditë kur do të merret dhëndri prej tyre; atëherë në ato ditë do të agjërojnë.
Edhe u thoshte atyre edhe një paravoli, se asnjë nuk vë arnë prej rrobe të re mbi rrobë të vjetër; përndryshe, edhe të renë do ta çjerrë, edhe arna prej së resë nuk shkon me të vjetrën.
Edhe asnjë nuk vë verë të re në shakuj të vjetër; përndryshe, vera e re do t’i plasë shakujt, edhe ajo do të derdhet, dhe shakujt do të prishen.
Po vera e re duhet të vihet në shakuj të rinj, edhe kështu të dyja ruhen.
Edhe asnjë, pasi të pijë verë të vjetër, nuk do menjëherë të re, sepse thotë, e vjetra është më e mirë.

 

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

Διαδώστε: