24 Ιουνίου, 2026

Lindja e Joan Pagëzorit. Mbledhja në nderim të prindërve të tij, Zaharia e Elisabeta

Διαδώστε:

E mërkurë, 24 qershor 2026
Kisha e Ungjillëzimit, Tiranë
JEMI NË KRESHMËN E APOSTUJVE (8-28 QERSHOR)
Lindja e Joan Pagëzorit. Mbledhja në nderim të prindërve të tij, Zaharia e Elisabeta.
LINDJA E JOAN PAGËZORIT
Është dëshmia e Krishtit, më i madhi ndër të lindurit prej grave. E lindën në moshë të thyer Zaharia dhe Elisabeta. Zaharia ishte prift, por, sipas të tjerëve, kryeprift. Ndërsa ishte duke temjanisur tempullin, i shfaqet kryeëngjëlli Gavriil dhe i thotë se lutja e tij ishte dëgjuar dhe se e shoqja, që ishte madje edhe shterpë, do të lindte Joanin, pararendësin e Krishtit. Ai nuk besoi. Kërkoi një mrekulli që të bindej dhe ajo iu dha, humbi të folurin dhe të dëgjuarin deri në rrethprerjen e foshnjës.
Dhe, me të vërtetë, kur lindi foshnja, ai shkroi në një tabelë: “Joan është emri i tij”. Menjëherë u shërua dhe lavdëroi Perëndinë dhe, i frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë, profetizoi për Pagëzorin me himn madhështor. Ky himn u cilësua si profecia e fundit e Dhiatës së Vjetër dhe e para e Dhiatës së Re. Joani është profeti i fundit dhe më i madhi, sepse jo vetëm paratha ardhjen e Mesias, por iu fal atij qysh kur të dy ishin në embrion. E tregoi si shpërblyesin, kështu që pasuesit e tij e ndoqën si apostuj, me gjithë kundërshimet e tij. E pagëzoi dhe u shfaq Trinia e Shenjtë. U profetizua si Ilia i dytë. Model i murgjërve, doli në shkretëtirën e lumit Jordan, vishte rroba qimesh, ushqehej me mjaltë dhe karkaleca. Ai veproi publikisht në vitin 29 pas Krishtit, si një zë që buçet në shkretëtirë: “Përgatisni udhën e Zotit”.
Predikonte pendimin dhe pagëzonte turmat e njerëzve që shkonin tek ai, duke i parapërgatitur për pagëzimin e përkryer të krishterë. Gjithashtu ai qortoi edhe mëkatin e mbretit Herod, domethënë bashkëjetesën e tij me Herodiadën, që e kishte në farefis, prandaj dhe e burgosi. Faji i dytë i Herodit ishte se, gjatë ditëlindjes së tij, për arsye se po kënaqej shumë nga kërcimi i Salomesë së pacipë, vajzës së Herodiadës, ai u betua se do t’i jepte asaj gjithçka që ajo do të kërkonte. Dhe ajo, e nxitur nga e ëma, i kërkoi kokën e Pagëzorit në pjatë. Faji i tretë, për hir të betimit që kishte bërë, i preu kokën në vitin 32, edhe pse i erdhi keq ngaqë më parë e dëgjonte me kënaqësi.
Gëzuar të gjithë vëllezërve dhe motrave më Krishtin, Zaharia, Zakaria, Zaho, Zaku, Zaharula, Elisabeta, Elisaveta, Elisa, Lisa, Liza, Beta, që mbajnë emrin dhe festonë në nderim të shenjtorëve, që kremtojmë sot.
Vëllezërit dhe motrat që mbajnë emrin e profetit të shenjtë Zahari festojnë në 5 shtator, por edhe sot.
– Një pjesë e motrave që mbajnë emrin Elisabeta festojnë në 24 prill, në nderim të oshënare Elisabetës.

Radio “Ngjallja”

Διαδώστε: