15 Ιουλίου, 2020

Manatiri i Shën Trifonit

Διαδώστε:

“Njohim historinë e Kishave të Mitropolisë sonë”!

“Manatiri i Shën Trifonit”!
Nga Ilirjan Gjika

1
Sheqishtja është sot një nga vendbanimet rurale e cila ndodhet disa kilometra në lindje të qytetit të Fierit. E përmendur në analet historike qysh në shekullin XVIII, ajo, dallohet edhe për monumentet e shumta të kultit kristian. E tillë është edhe kisha e manastirit të Shën Trifonit e cila ka të veçantë edhe qënien si mauzoleum.
Duhet theksuar se Shën Trifoni nderohet nga kisha si një ndër figurat kryesore të saj. I quajtur ndryshe edhe Trifoni i Kamsadës, për shkak të origjinës së tij nga Azia e Vogël, ky njeri i njohur si person historik jetoi përgjatë shekullit III. Ndërsa në kalendarin kristian ai përkujtohet në datën 1 shkurt dhe njihet si shenjti mbrojtës i bimësisë dhe pemëtarisë.
Por përveç nderimit të Shën Trifonit, sipas regjistrit martirologjik të kishës ortodokse, figuron edhe dëshmori Trifon i Iteas, për të cilin thuhet se, në vitet e persekutimit të kristianëve është varur prej kundërshtarëve të tyre në një shelg. Kjo figurë përkujtohet prej saj në datën 19 dhjetor1.

2
Manastiri i Shën Trifonit përbëhej dikur nga kisha, kapela-mauzole, konakët dhe ambientet e tjera ndihmëse. Kisha e sotme e quajtur “Hyrja e Shën Mërisë në Tempull” apo e Shën Mërisë është objekti kryesor që ka mbetur prej manastirit. Ajo është një bazilikë njënefëshe, e cila përbëhet nga narteksi, naosi, kthina e altarit, absida dhe një portik në pjesën jugore. E ndërtuar me gurë të lidhur me llaç dhe mbuluar nga çatia me tavan të rrafshët, ajo është ndërtuar në fillim të shekullit XIX. Këtë e vërteton një mbishkrim që ndodhet në murin jugor jashtë saj dhe mban datën 25 mars 1842.
Në pjesën veriore të kësaj kishe ndodhet një kapelë e vogël që shërben si mauzoleum sepse brenda saj gjendet varri i dëshmorit Trifon. Të dhënat historike dëshmojnë se lipsanat (eshtrat) e tij u gjendën në 19 qershor të vitit 1847 pranë kishës kishës dhe u vendosën brenda mauzoleut i ndërtuar në pjesën veriore të saj. Këtë e pohon edhe mbishkrimi mbi portën e tij në të cilin shkruhet në greqisht “Gjetja” dhe jepet data e mësipërme.
Rreth kësaj ngjarje mitropoliti i Beratit në vitet 1855-1887, Anthim Aleksudhi, në librin e tij “Përshkrim i shkurtër historik i mitropolisë së shenjtë të Beratit”, shkruan se eshtrat e Trifonit u gjetën në një varr të lashtë të mbuluar me tjegulla. Po aty, ai, tregon edhe sesi u ndërtua manastiri kur shkruan në ligjëratë të drejtë se: ‘’Në fshatin Sekishtë të distriktit të Myzeqesë së Vogël mbi një kodrinë dhe në afërsi të një liqeni të njohur me emrin Belina, para rreth njëzet vjetësh, një vajzë e krishterë shtatëvjeçare në mënyrë të përsëritur shikonte në ëndërr një djalë të ri kaluar mbi një kalë, i quajtur Trifon nga vendi “Zoiria” ku i tregonte banesën e tij duke e nxitur të gërmonte për ta gjetur”.
Pas tregimit të vajzës, nën drejtimin e priftit të fshatit, Dhimitrit, u bënë gërmime dhe në thellësinë tre kut, në një varr të vjetër prej guri dhe qeramike, u gjetën eshtrat në fjalë, të cilat u vendosën në kishën dhe manastirin që u ndërtua me ndihmat financiare të besimtarëve në po atë vend, të cilin e quajtën i Shën Trifonit6.
Shumë kohë më vonë, pothuajse një shekull, një legjendë të tillë e ndeshi në Sheqishte edhe studiuesi Toli Shabani. Në fund të viteve 1950, kur punonte si mësues në këtë zonë ai e dëgjoi atë nga një i moshuar. Historia bënte fjalë për një vajzë të re që ruante dhentë në kodrinat e fshatit, të cilës i ishte shfaqur në ëndërr një djalë i ri, i armatosur, i cili i gjakosur kthehej nga beteja. Ai iu prezantua si Shën Trifoni dhe në momentin kur ajo e magjepsur u afrua për ta prekur, u zhduk. Atëherë vajza e zgjuar nga vegimi ia tregoi ëndrrën banorëve të fshatit, që shkuan dhe gërmuan në vendin që u tregoi ajo. Atje ata gjetën eshtrat në fjalë dhe për të përkujtuar këtë mrekulli ndërtuan manastirin.
Po kështu Aleksudhi përmend edhe një legjendë të dytë për një banor vendas të Myzeqesë të quajtur Dano, i cili banonte në Kostandinopojë. Atij i doli në ëndërr, Shën Teodori, dhe e porositi që të kthehej në vendlindje ku do të gjente një shenjë dhe do të ndërtonte një kishë. Kështu veproi dhe kur u kthye në vendin e caktuar gjeti një kryq të madh metali. Më pas aty u ndërtua kisha dhe manastiri. Ndërkohë që Aleksudhi theksonte se “Sipas traditës së trashëguar nga banorët të krishterë të atyre fshatrave, Sekishtë, Novoselë e të tjera përreth”, aty pranë kishte ekzistuar në antikitet një manastir i vjetër kushtuar metamorfozës së Jezu Krishtit9. Ka shumë gjasa që legjendat popullore të tregojnë gjetjen dhe transportimin e eshtrave në fjalë nga rrënojat e këtij manastiri të vjetër në manastirin e ndërtuar rishtazi.
Pikërisht për to Aleksudhi thekson se, në kohen kur u gjetën eshtrat meqënëse vendi quhej Sheqishte-vend me shelgje ose greqisht Itea, u mendua se ato ishin të dëshmorit Trifon të Iteas, rasti i të cilit njihet në martirologët e kishës. Kështu bazuar mbi këtë ngjarje u ndërtua edhe manastiri i quajtur i Shën Trifonit.
Gjithsesi, duhet pohuar se deri më tani legjenda për dëshmorin Trifon nuk ka gjetur bazë historike. Edhe Aleksudhi e pranon një fakt të tillë kur shkruan se: “Por mbi këtë interpretim nuk jemi në gjendje të shfaqim asnjë mendim të sigurt…”
Eshtrat në fjalë mendohet se kanë qëndruar në këtë mauzoleum deri në vitin 1967. Më pas nuk dihet vendndodhja e tyre megjithëse sot një pllakë mermeri brenda kapelës-mauzole tregon vendin ku është varrosur dëshmori Trifon. Me mbylljen e manastirit nga fushata ateiste e vitit 1967, kisha dhe manastiri, u kthyen në godina për kooperativën bujqësore dhe vetëm në vitin 1991 ato iu rikthyen funksionit fetar të tyre

3
Kisha e “Hyrjes së Shën Mërisë në Tempull” dhe mauzoleumi i Shën Trifonit, ashtu si gjithë kishat e Myzeqesë ka patur të murosura në muret e saj spolie antike të marra nga rrënojat e

Apolonisë. Dëshmi të tilla i kemi jo vetëm prej Aleksudhit por edhe Kamilo Prashnikerit. E tillë është pllaka me mbishkrimin latin kushtuar Cecilia Venustës që përmban një dedikim mbivarror që asaj ia bën në shenjë kujtimi i shoqi, Lartidi nga Naisusi.
Sot pllaka ruhet e ekspozuar në Muzeun Arkeologjik të Apolonisë. Kur vizitoi manastirin e Shën Trifonit në vitin 1916, Prashnikeri, vuri re se kisha ngjante si një muze i vogël, detajet e të cilit arkeologu austriak i përshkruan gjerësisht. Në absidën e kishës ai gjeti të murosur një kapitel jonik prej graniti edhe një reliev në të cilin ishin gdhendur në mënyrë gjatësore tre figura burrash.
Objekte të tjera që gjendeshin në muret e kësaj faltoreje ishin edhe një gur varri, ku paraqitet një grua me mantel dhe shami në kokë, si dhe një reliev që i përkiste zbukurimeve të një tempulli ku ishin paraqitur skena ndeshjeje nga aventurat e heroit të mitologjisë, Tezeut.
Gjithsesi studime të gjera dhe të hollësishme për këtë manastir mungojnë. Deri më sot aty janë bërë vëzhgime sipërfaqësore nga Aleksudhi, Prashnikeri dhe Theofan Popa. Ndërkohë që një gërmim arkeologjik duke përfshirë edhe varrin e dëshmorit do të hapte një perspektivë të re në të objektit dhe do të na çonte në përfundime të rëndësishme. Edhe studimi arkitektonik i shoqëruar me restaurimin e mëtejshëm të kishës do ta bënte këtë objekt më të vizitueshëm dhe në funksion jo vetëm të kultit, por edhe të turizmit kulturor edhe atij studimor, aq më tepër kur pranë Shën Trifonit, ndodhen objekte të tjera me vlera që e pasurojnë hartën e monumenteve të kulturës në këtë zonë.

Literatura
1- Anthimos D. Alexoudes, Syntonos Historike Perigrafe Tes Hieras Metropoles Belegradon, H Ionia, Kerkyra 1868, f. 86
2-Theofan Popa, Mbishkrime të kishave të Shqipërisë, Akademia e Shkencave, Tiranë 1998, f. 131-132.
3-Po aty, f. 129.
4-Anthimos D. Alexoudes, Syntonos Historike Perigrafe…..f. 85
5-Po aty, f. 85.
6-Po aty, f. 85.
7-Toli Shabani, Intervistë, viti 2016.
8-Anthimos D. Alexoudes, Syntonos Historike Perigrafe…..f. 86.
9-Po aty, f. 86.
10-Po aty, f. 86.
11- Po aty, f. 86.
12-Po aty, f. 41. Camillo Praschniker, Myzeqeja dhe Mallakastra (përkthim), Instituti Austriak i Arkeologjisë, Alfred Holder, Vjenë 1920, f. 174.
13-Camillo Praschniker, Myzeqeja dhe Mallakastra (përkthim), Instituti Austriak i Arkeologjisë, Alfred Holder, Vjenë 1920,f. 159, 140-141.
14-Po aty, f. 131, 141-144.

Mitropolia e Shenjtë e Apollonisë dhe Fierit/facebook

Διαδώστε: