Liturgji Hyjnore në Kishën e Ungjillëzimit në Tiranë me rastin e Mbylljes së Pashkës.
Ditën e Mërkurë, më 20 maj 2026, në Kishën e Ungjillëzimit në Tiranë u kremtua Liturgjia Hyjnore me rastin e Festës së Mbylljes së Pashkës. Shërbesat e Shenjta u drejtua nga Episkopi i Amantias, Hirësia e Tij z. Ignat, në bashkëmeshim me klerikët e Kryepiskopatës së Hirshme. Në Hierore ishte gjithashtu edhe Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Imzot Joani, duke u lutur bashkë me Klerin dhe popullin shpresëtar.
Në predikimin e tij Protopresviter At Spiro Topanxha solli përpara besimtarëve kuptimin e vërtetë të kësaj feste. Ai theksoi se, edhe pse liturgjikisht mbyllet periudha dyzetditore e Pashkës, Ngjallja nuk mbyllet kurrë. Krishti i Ngjallur nuk largohet nga jeta e njeriut, por mbetet përherë burim drite, paqeje dhe force për çdo shpirt që beson në Atë.
“Kjo është dita që bëri Zoti; le të ngazëllohemi dhe le të dëfrejmë në të” – me këto fjalë të Psalmistit nisi predikimi, duke rikujtuar se jeta e krishterë nuk mund të kuptohet pa dritën e Ngjalljes. Pikërisht prej saj marrin kuptim kryqi, vuajtja, falja, shpresa dhe vetë ekzistenca njerëzore. Ngjallja nuk është vetëm një ngjarje historike që kujtohet një herë në vit, por është një realitet i përditshëm që duhet jetuar në zemrën e çdo besimtari.
At Spiro ndaloi te fjalët e Zotit tonë Jisu Krisht që u lexuan nga pasazhi ungjillor i ditës: “Derisa keni dritën, besoni në dritën, që të bëheni bij të dritës.” Kjo ftesë e Zotit Krishtit mbetet aktuale në çdo kohë. Jisu Krishti nuk i fton njerëzit vetëm ta admirojnë dritën nga larg, por të jetojnë në të dhe të bëhen vetë përçues të saj. Besimtari i vërtetë është thirrur të reflektojë praninë e Krishtit të Ngjallur në familje, në punë, në shoqëri dhe në çdo marrëdhënie njerëzore.
Në Kishën Orthodhokse, çdo festë ka thellësinë dhe bukurinë e saj të veçantë, por Festa e Pashkës mbetet themeli i jetës së Kishës, festa e fitores së jetës mbi vdekjen, e dritës mbi errësirën dhe e shpresës mbi dëshpërimin. Prandaj edhe Mbyllja e Pashkës nuk i jep fund një periudhe festive, por një rikujtim i fuqishëm se Ngjallja e Krishtit mbetet përherë e gjallë në jetën e besimtarëve të krishterë orthodhoksë.
Në fund të Liturgjisë Hyjnore, u njoftuan besimtarët se ditën e Enjte, më 21 maj 2026, me rastin e Festës së Analipsit, Liturgjia Hyjnore në Kishën e Ungjillëzimit, do të drejtohet nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Joan.
