Me rastin e Përvjetorit të dhjetë të Javës së Harmonisë Ndërfetare Botërore, Departamenti i Theologjisë & Kulturës i Kolegjit Universitar “Logos” organizoi një tryezë të rrumbullakët më 3 Mars (ora 17:00), me titull “Marrëdhëniet dhe bashkëpunimi ndërreligjioz në Shqipëri. Historia dhe perspektivat moderne”. Ky event u zhvillua në kampusin qendror të Kolegjit Universitar “Logos” në bashkëpunim me Departamentin e Studimeve Islame të Kolegjit Universitar “Beder”, Seminarin Katolik të Shkodrës dhe Vëllazërinë Ungjillore të Shqipërisë.
Diskutimi kryesor ishte shqyrtimi se si ka funksionuar kjo tolerancë fetare dhe bashkëjetesë në Shqipëri dhe cilat janë pikat etike të përbashkëta që bashkojnë komunitetet fetare si një bazë e bashkëpunimit dhe bashkëjetesës së tyre sot dhe në të ardhmen.
Pas një prezantimi të shkurtër nga Drejtuesi i Departamentit të Theologjisë dhe Kulturës (Kolegji Universitar “Logos”), Dr.Georgios Gaitanos, për modelin e tolerancës fetare në Shqipëri dhe qëllimet dhe objektivat e Javës së Harmonisë Ndërfetare Botërore, pjesëmarrës nga Kolegji Universitar “Logos” (Msc. Dhimitёr Qosja), Kolegji Universitar Beder (PhD. Cand. Hysni Skura), Seminari ndërdioqezan Nëna e Këshillit të mirë, Shkodër (Dom Lorenzo Rossetti) dhe Instituti i Studimeve Shqiptare dhe Protestante (IAPS) (Dr. John Quanrud) morën fjalën dhe prezantuan temat e tyre.
Konsensusi kryesor pas prezantimeve dhe diskutimit me studentët dhe kolegët që morën pjesë në tryezën e rrumbullakët ishte se prania dhe bashkëjetesa e dy feve më të mëdha monoteiste në botë, Islami dhe Krishtërimi, midis popullit shqiptar, kanë bërë tolerancën dhe mirëkuptimin ndërfetar një domosdoshmëri historike, duke shërbyer kështu si një mjet dhe një faktor që kanë siguruar ekzistencën dhe unitetin e tij si një komb i tërë, duke i dhënë asaj një vlerë shekullore dhe të patjetërsueshme jo vetëm të bashkëjetesës paqësore ndërfetare, por edhe ndër-etnike dhe ndër-kulturore, e cila është vlera më e çmuar për të cilën shumë vende kanë nevojë të ngutshme dhe e kërkojnë dëshpërimisht.
