“Μendje e ndryshuar, zemër e ndryshuar, drejtim i ndryshuar, jetë e ndryshuar dhe shërbim i ndryshuar”!
Pendimi kërkon një mendje të ndryshuar. Fjala greke për pendimin “metania” do të thotë: një mendje e ndryshuar. Do të thotë që dikush kupton gabimin e qëndrimit të tij, i cili e bënte të sillej ashtu siç sillej.
Përveç mendjes së ndryshuar, pendimi kërkon dhe një zemër të ndryshuar. Zemër të ndryshuar ka ai të cilit jo vetëm i vjen keq për mëkatet e tij, por dhimbje të vërtetë.
Faktor tjetër për një pendim të vërtetë është një drejtim i ndryshuar. Ndyshimi i mendjes dhe i zemrës është kaq i rëndësishëm sa që të çon drejt ndryshimit të drejtimit të jetës. Në hebraisht fjala pendim, nënkupton të “kthehesh”. Pendimi është të kthehesh nga e keqja drejt Perëndisë, ndryshimi i drejtimit të jetës në mënyrë që të shikojë Perëndinë në fytyrë.
Një mendje, zemër dhe drejtim i ndryshuar, çojnë në një jetë të ndryshuar. Ne fillojmë të japim frytë dhe të përfitojmë nga pendimi. Nuk mjafton vetëm të pendohemi dhe të rrëfejmë mëkatet tona. Duhet ta shprehim pendimin tonë me një jetë të re.
Së fundi, jeta e ndryshuar shpie në një shërbim të ndryshuar. Kur Zoti e pyet Pjetrin tri herë, “A më do”? Ai e thelloi pendimin e Pjetrit për ato tri herët që ai e mohoi Atë. Por në të njëjtën mënyrë, Ai i kërkoi Pjetrit që t’i shërbente përsëri. “Ushqeji delet e mia”, – i tha. Pendim i vërtetë do të thotë të mos i shërbesh më mëkatit, vetes dhe idhujve por t’i shërbesh Perëndisë së vërtetë.
Ky pra, është pendimi i vërtetë, në të cilin bazohet i tërë misteri i Pendimit. Është revolucioni i një njeriu në jetën e të cilit ka ndryshime që përfshijnë mendjen e ndryshuar, zemrën e ndryshuar, drejtimin e ndryshuar, jetën e ndryshuar dhe shërbimin e ndryshuar.
