Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar një vizitë në Berat, në Ditën e Ujit të Bekuar.
Meta, në një prononcim për mediat, u pyet në lidhje me situatën politike në vend. Kreu i Shtetit anashkaloi çështjet ditore të politikës dhe shtoi se Shqipëria ka besimin e lirë, e si liria edhe ëndrra europiane ndër shqiptarët nuk humbet.
“Duhet të forcojmë besimin në Zot. Duhet të kalojmë sfidat e vështira. Është rast i shkëlqyer që të urojmë 2021 për të gjithë qytetarët në Berat dhe kudo në Shqipëri. Të bekuar qofshin qytetarët shqiptarë. Jemi në një vend të shenjtë dhe kjo kishë që u rihap 30 vjet më parë, e siç do jetë besimi në Zot përherë i madh, ashtu do jetë besimi i madh për Shqipërinë europiane”, tha Meta.
“Nga Berati i mrekullueshëm, një prej qendrave më të bukura të qytetërimit tonë mijëravjeçar dhe shembull i harmonisë ndërfetare, kam kënaqësinë të uroj sot të gjithë besimtarët e krishterë ortodoksë: Gëzuar Ditën e Ujit të Bekuar! Hedhja e kryqit në lumë simbolizon bekimin dhe fuqinë e Zotit mbi njerëzit. Me besimin në Zot, të ndriçojmë arsyen, të unifikojmë forcat dhe energjitë, për të përshpejtuar proceset demokratike, që mundësojnë një Shqipëri si gjithë Europa”, shprehet Meta në mesazhin e tij të urimit për besimtarët ortodoksë.
