Të dashur besimtarë!
Kur Shën Joan Pagëzori filloi misionin e tij, që të predikonte edhe të pagëzonte, rreth tij u mblodhën izraelitë, të cilët do të bëheshin dishepujt e tij, nxënësit e tij. Por pavarsisht kësaj, Shën Joan Pagëzori, ishte i qartë me ata që ai nuk ishte Mesia të cilët izraelitët prisnin, nuk ishte ai shpëtimtari i tyre, dhe këtë jo vetëm që e thoshte me fjalë, por e bëri edhe me vepra. Mbas pagëzimit të Zotit, Shën Joani e shikon Krishtin dhe u thotë nxënësve të tij: “Ja Biri Perëndisë që ngre mëkatet e botës” për tu treguar nxënësve të tij se nuk është ai Mesia, por Krishti. Akoma edhe kur ishte në burg, përsëri dërgon disa nga nxënësit e tij te Krishti, që tu tregoi atyre që Krishti është Mesia dhe Shpëtimtari.
E themi këtë shembull, të dashur besimtarë, sepse duam t’ju themi se si Joan Pagëzori kanë qenë edhe etërit e Shenjtë të kishës, si Shën Joan Pagëzori duhet të jenë gjithë barinjtë dhe etërit shpirtëror. Çdo të thotë kjo? Kushdo nga etërit e kishës do të ketë të njëjtin qëllim, si ta marrin fëmijën e tyre shpirtëror, ta përgatisin e ta çojnë te Krishti.
Eshtë një shërbesë shumë e vështirë, dhe një përgjegjësi shumë e madhe, sepse kemi të bëjmë me shpirtart e njerëzve. E dëgjuam te veprat e apostujve ku Shën Pavli, në takimin që ai kishte me pleqtë, me episkopët, ju jep një këshillë dhe u thotë atyre: “Kini kujdes për veten tuaj edhe për gjithë tufën, për të cilën Fryma e Shenjtë ju ka vën juve episkop, mbikqyrës, të kullotni kishën e Perëndisë, të cilën Ai e ka fituar me gjakun e Tij” (Vep. Ap. 20:28). U thotë keni përgjegjësi shumë të madhe për shpirtrat e njerëzve, për tufën e Perëndisë. Sa e madhe, aq e madhe dhe shtrenjtë sa Krishti i ka blerë ata me gjakun e Tij, ka paguar. Juve keni përgjegjësinë që këtë gjë të cilën Zoti ka birësuar aq shtrenjtë, ta përgatisni dhe ta çoni në Mbretërinë e Perëndisë.
Ne të gjithë kemi nevojë për udhëheqës të tillë shpirtëror, të gjithë ne. Nëse ne ecim sipas mendjes sonë ka shumë rrezik që neve të dështojmë në përpjekjen tonë. Thotë një njeri i ditur: “Nëse dikush ka këshilltarë vetëm veten e tij ai ka një këshilltarë të marrë”.
Të gjithë ne pa përjashtim, fëmijët, të rinjtë, të moshuar, klerikë, episkop, patrikë, të gjithë duhet të kenë me patjetër një udhëheqës shpirtëror. Patriku i tanishëm Ekumenik, në një vizitë që bëri në Malin e Shenjtë, shkoi dhe takoi at Paisin, që tani e njohim ne si Shën Paisi, shkoi atje dhe u rrëfye te ai dhe thot: “Çfarë çudie, një Patrik Ekumenik i dorëzon shpirtin e tij një murgu të thjeshtë. Megjithatë unë e bëra me shumë thjeshtësi”.
Sigurisht marrëdhënia e atit shpirtëror me birin ose bijën e tij shpirtërore, nuk duhet të jetë marrëdhënie si një shërbëtori dhe padronit të tij, nuk duhet të jetë një marrëdhënie si një rrogëtari me punëdhënësin e tij, por duhet të jetë një marrëdhënie si biri/bija të lirë me atin e dashur.
Është shumë bukur nëse do të bësh një krahasim thoshin, si ati që ka një vajzë që e ka lindur atë, sa sakrifica ka bërë ai për ta rritur atë vajzë, me sëmundjet, vështirësit, ta edukoi, ta shkolloi, dhe një moment ai ja dorëzon vajzën, atë për të cilën ka bërë aq sakrifica gjatë gjithë jetës së tij, ja dorëzon dikujt tjetër. Dhe është shumë e bukur kjo simbolikë në misterin e kurorëzimit. E dimë, është traditë që babai e mer nusen, vajzën e tij domethënë, e shoqëron brenda në Kishë dhe ia dorëzon dhëndërrit. Të njëjtën gjë duhet të bëi edhe ati shpirtëror, e merr shpirtin e çdo fëmije të tij shpirtëror, e përgatit atë, kujdeset për atë në mënyrë që t’ja dorëzoi Dhëndërrit të kishës, Krishtit. Kështu duhet të jetë secili atë shpirtëror.
Dhe ne të gjithë kemi nevojë për udhëheqjen e etërve shpirtëror. Kjo është rruga më e sigurt që na mëson kisha, historia dhe tradita e kishës që ne do të jemi të sigurt që do ta kuptojmë Mbretërinë e Perëndisë. Dhe Apostull Pavli diku tjetër, në letrën drejtuar hebrenjve, thekson këtë gjë: “Kujtoni të parët tuaj që ju shpallën fjalën Perëndisë, duke vështruar rezulatin e sjelljes së tyre, imitoni besimin e tyre” (Heb. 13:9) dhe diku tjetër ai përsëri thotë: “Dëgjoni udhëheqësit tuaj dhe bindjuni, sepse ata rrin syhapur mbi shpirtrat tuaj si ata që duhet të japin llogari, që ta bëjnë këtë me gëzim e jo me psherëtima, sepse kjo nuk do të sillte dobi”. (Heb. 13:17)
Pra, theksojmë bindjen që ne duhet të bëjmë dhe se kjo bindje nuk është për shkak interesi, për shkak të dhunës, por është bindje në liri, bindja që bën biri te ati i tij me sigurinë që ati e do, me sigurinë që çfarëdo që do të thotë ati, çfarëdo që do ta udhëzoi ati, është e dobishme dhe e mirë për atë dhe për shpëtimn e tij.
Kur e pyetën një nga princeshat e rusisë se kë do të respektonte e do të donte më tepër, atin biologjik apo atin shpirtëror? Ajo pa hezitim përgjigjet: “Atin shpirtëror”.
-Pse, i thonë?
-Sepse, – Ati biologjik me lindi që të vdes, kurse ati shpirtëror më ka kalon nga vdekja në jetën e përjetshme.
Me shumë mirënjohje për etërit dhe vëllezërit tanë shpirtëror le të vazhdojmë rrugëtimin tonë drejt Mbretërisë së Perëndisë. Amin!
*Nga predikimi i Mitropolitit te Apollonise dhe Fier, +Nikolla, te dielen e Eterve te Sinodit te I Ekumenik, dt, 31/05/2020.
