“Edhe kur të vijë Biri i njeriut në lavdinë e tij, edhe gjithë engjëjt e shenjtë bashkë me të, atëherë do të rrijë mbi fronin e lavdisë së tij.” v. 31.
Ardhja e parë e Zotit mund të shfaqet shprestarisht në mendjen tonë si ngjarje historike. E dyta përshkruhet në mënyrë profetike nga vetë Zoti në Ungjill. Përshkruhet në një mënyrë aq të gjallë dhe shprehëse, saqë i trondit shpirtrat tanë nga frika hyjnore dhe i zgjon nga gjumi i thellë i pakujdesisë, dembelizmit dhe indiferentizmit, për përjetësinë, një gjumë në të cilin na ka hedhur jeta jonë e pasioneve.
Krishti nuk u dha asnjë rëndësi atyre që respekton dhe nderon bota. Nuk deshi të shfaqet brenda ndriçimit dhe bubullimës së lavdisë tokësore. Nuk deshi të shfaqet me pompozitet dhe madhështi. Nuk deshi të shfaqet brenda festave dhe panaireve të zhurmshme. Erdhi në tokë, ashtu siç duhej të vinte, në vendin ku ishin internuar shkelësit e urdhrit hyjnor. Ndenji dhe veproi në tokë si Çlirimtar i atyre, që kishin humbur rrugën e tyre, duke marrë pjesë në të gjitha pësimet e njerëzimit mëkatar.
Ishte si një nga njerëzit e varfër dhe të vuajtur. Ishte një udhëtar, që s’kishte ku të mbështeste kokën. Mattheu 8, 20. Ishte i persekutuar dhe i akuzuar dhe i çnderuar. Me gjithë këto, gjithmonë të keqes i kthehej me të mirën. “Biri i njeriut nuk erdhi të humbë shpirtra njerëzish, por të shpëtojë.” Llukait 9, 56. Dhe e mbaroi jetën e Tij me vdekje martirike dhe i poshtëruar, me vdekjen e keqbërësve dhe të skllevërve, të cilët nuk kishin të drejtë as të vdesin, ashtu si qytetarët e Perandorisë Romake. E tillë ishte ardhja e parë në tokë e Birit të Perëndisë.
Në kohën e duhur do të realizohet dhe ardhja e Tij e dytë. Atëherë “i Biri i Njeriut” që është njëkohësisht dhe Bir i Perëndisë, do të vijë me “lavdinë e Tij”. Ardhja e Tij e parë ishte ardhje çlirimtare, që kishte marrë bashkë me natyrën njerëzore dhe gjithë dobësitë njerëzore, që t’i zhdukë me fuqinë e Kryqit të Tij. Ardhja e Tij e dytë, do të jetë ardhje e Gjykatësit, që do të kërkojë nga njerëzit të japin llogari për sjelljen e tyre, domethënë për shfrytëzimin ose jo të veprës së Tij shpëtuese.
Të përndritshme dhe të lavdishme, të mbushur me madhështi, na e shfaq Zoti në Ungjillin e sotëm, pamjen e ardhjes së dytë. “Edhe kur të vijë Biri i njeriut në lavdinë e tij, edhe gjithë engjëjt e shenjtë bashkë me të, atëherë do të rrijë mbi fronin e lavdisë së tij.” v. 31. Atëherë njerëzit do të kenë humbur çdo veçanti tjetër dhe do të kenë vetëm një karakteristikë të përbashkët: do të jenë të gjykuarit!
Ushtari, që e di se do t’i vijë oficeri për kontroll, parapërgatitet me kujdes të detajuar. Mësuesi, profesori që është njoftuar të përgatitet për të pritur kontrollin në klasat e shkollës, për të vlerësuar punën e tyre, përpiqet të përgatitet ai vetë dhe nxënësit e tij, që të jenë faqebardhë. Artisti, që e di se punët e tija do të vlerësohen një ditë nga një komision, gjithashtu mundohet t’i bëjë sa më të përkryera të mundet. Të njëjtën përpjekje dhe më të madhe, sigurisht, thërritet të bëjë çdo njeri, përderisa një ditë do të qëndrojë përpara Gjykatësit.
Fjalët, veprat, synimet, e gjithë jeta jonë duhet t’i rezistojnë dritës së asaj dite. Rrjedhimisht nuk mund të thotë njeriu fjalë që janë të pahijshme, dinake dhe blasfemuese. Sepse, ashtu siç tha vetë Zoti: “çdo fjalë të kotë që do të flasin njerëzit, do të japin llogari për atë në ditën e gjyqit.” Mattheu 12, 36.
Pastaj, çdo gjë që bën njeriu në jetën e tij, punën e tij të përditshme, profesionin e tij, shkencën e tij, detyrat e çdo momenti, duhet ta bëjë sa më mirë të mundet, me më shumë kujdes dhe më të përsosur. Sepse, gjithë këto punët e vogla të përditshme, përbëjnë detajet e artit të jetës së tij, që e përgatit për momentin e gjykimit.
Prindërit, në atë ditë, në vend të ndonjë vepre arti, do të paraqesin bijtë e tyre, “skulpturat e arta”, siç i karakterizon mësuesi i madh ekumenik, shën Joan Gojarti.
Por më tepër nga të gjitha do kujdeset të përgatisë shpirtin e tij. Jeta e tij duhet të jetë një jetë me të vërtetë e krishterë, sipas Ungjillit. Do të jetojë me pastërti dhe drejtësi. Me dashuri dhe mirësi. Veprën e artit të jetës së tij, do ta ngjyrosë çdo ditë me ngjyrat qiellore të virtytit dhe të shenjtërisë. Dhe do të presë me paqe dhe shpresë momentin e gjykimit, siç e kërkon Apostulli i frymëzuar nga Perëndia: “ju duhet të jeni në sjelljet e shenjta dhe në shpresëtaritë, duke pritur e duke dëshiruar fort ardhjen e ditës së Perëndisë” 2 Pjetrit 3, 11-12.
Nxënësit, zakonisht, tremben se mos nëpër provime profesorët e tyre do kërkojnë t’i testojnë në tema të panjohura, në tema që nuk i mësuan dhe që ndoshta kapërcejnë fuqitë e tyre. Por një frikë e tillë nuk ekziston në momentin e gjykimit të fundit për jetën e njerëzve. Gjykimi i Mbretit Krisht, siç duket në Ungjillin e sotëm të hirshëm, për njerëzit më të shumtë, do t’u referohet çështjeve të thjeshta të përditshme. Njerëzit do të trashëgojnë “Mbretërinë e përgatitur” ose do çohen në “Ferrin e përjetshëm”, përderisa kryen ose nuk kryen disa detyra elementare të dashurisë: nëse ushqyen ose jo vëllezërit e tyre të uritur, nëse i veshën ose i lanë të zhveshur, etj. Dhe në një shëmbëlltyrë tjetër Krishti sqaroi akoma se nga çdo njeri do të kërkohet se si i përdori dhuntitë ose dhuntinë që i dha Perëndia. Mattheu 25, 14-30. Është shëmbëlltyra e talantave. Dhe në një rast tjetër tha se: “Gjithkujt që iu dha shumë, shumë do të kërkohet prej tij” Llukait 12, 48.
Me të gjitha këto Zoti e drejton vëmendjen tonë në shfrytëzimin e dhuntive dhe të mundësive tona. Jo! Zoti nuk do të kërkojë përgjegjësi për gjëra që nuk do mundnim t’i bënim. Ai nuk është, siç e akuzoi shërbëtori dinak: “i ashpër… që korr atje ku nuk mbolli dhe mbledh atje ku nuk shpërndau” Mattheu 25, 24. Gjykatësi është i drejtë dhe do të kërkojë llogari sipas rasteve dhe dhuntive, që kishte çdo njeri.
Je i varfër, vëlla? Nuk do të kërkojë llogari Perëndia, pse nuk bëre bamirësi të mëdha. Por do të gjykojë ashpër nëse nuk tregove durim dhe qëndresë në jetën tënde. Je i pasur, i arsimuar, ke pozitë në shoqëri? Gjykatësi do të kërkojë llogari, për mënyrën sesi e përdore pasurinë tënde, urtësinë tënde. Do të jesh i pajustifikuar dhe goja jote do të vuloset në atë moment kritik të gjyqit, nëse nuk i ke përdorur mirë dhuntitë e tua.
* * *
Dëshira e fshehtë e çdo njeriu është të sigurojë Mbretërinë e qiejve. Por, një gjë duhet të kemi kujdes të gjithë. Mbretëria e qiejve është trashëgimi. E ka përgatitur Perëndia “që kurse është themeluar bota” dhe e ka caktuar për ata që do të pranojnë të bëhen bijtë e Tij. Perëndia ka si veçanti, kur birëson, të japë frymë birësimi, natyrën e birësimit. Fryma e Perëndisë, punon tek të birësuarit, dashurinë birërore ndaj Perëndisë si Atë, dëfrim dhe ngazëllim me dashurinë e Tij, vartësi nga Ai si Atë, vetë imazhin e Birit, nëpërmjet së cilës ngjajnë me Atin e tyre, ashtu si fëmijët biologjik mbartin imazhin dhe ngjashmërinë e prindërve të tyre. Rrjedhimisht, nuk kemi asgjë tjetër veçse, me hirin e Shpirtit të Shenjtë, që na shenjtëron, të bëhemi gjithmonë e më shumë bij të Atit qiellor. Kjo është e mjaftueshme që të na dhurojë Mbretërinë qiellore. Apostull Pavli thotë qartë: “Si bijë jemi trashëgimtarë”. Romakëve 8, 17. “O Zot shpëtoje popullin tënd dhe bekoje trashëgimin tënd” dhe denjësona për Mbretërinë tënde qiellore.
U bëftë.
Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:
Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës
† IGNATI
7/03/2021
