Në vitet 50, kishte një prezencë të shtuar të të sëmurëve me lebër. Nga viti 1905 deri në vitin 1957 këta të sëmurë izoloheshin dhe përdornin si vendbanimin e tyre të vetëm dhe të përhershëm ishullin e Spinalogës. Njerëz të izoluar, të lënduar dhe të përbuzur nga pjesa tjetër e shoqërisë, të cilët jetonin sëbashku në këtë ishull. Atje martoheshin, atje lindnin fëmijët e tyre dhe po atje, ndërronin jetë.
Kisha ishte kujdesur, që atje të çonte një prift për të kryer shërbesat fetare dhe për të plotësuar nevojat sakramentale të këtyre njerëzve. Prifti i Spinalogës ndërroi jetë pak para fillimit të Luftës së Dytë Botërore, jo nga lebra, por për shkak të moshës së thyer. Pasi vendi i priftit mbeti bosh, Kisha kërkoi një prift vullnetar për të shërbyer në ishullin e lebrozve, por askush nuk donte të shkonte. Një frikë e arsyeshme në atë periudhë, kur njerëzit mbyllnin jo vetëm dyert, por edhe zemrat sapo dëgjohej fjala lebër.
Një hieromonak i panjohur doli vullnetar për të shërbyer në ishull. Ishte atë Krisanthos Kaculjanakis, i cili ishte bërë murg edhe prift dhe ishte në moshë të pjekur. Kur mësoi se duhenj një prift për në Spinaloga, kërkoi bekimin e igumenit të manastirit, që të shkonte dhe të shërbente ai.
Shkoi në ishull për herë të parë në vitin 1947 dhe iu ra kambanave për shërbesën e mbrëmjes. Të nesërmen ishte e Diela e Orthodhoksisë, e Diela e Parë e Kreshmës së Madhe. Gjatë meshimit, në momentin e dhënies së Kungimit të Shenjtë, prifti doli tek Dera e Bukur, për të dhënë Kungimin. Askush nuk mori guximin të afrohej, por papa Krisanthi ngulmoi dhe atëherë disa nga banorët e ishullit, ndonë se me hezitim, shkuan drejt priftit për tu kunguar dhe pas tyre shkuan edhe të tjerët.
Më mbarim të meshës prifti hyri në hierore dhe sikundër ndodh gjithmonë, prifti konsumoi gjithë pjesën e mbetur të Kungatës së Shenjtë. Veçse në këtë kohë, disa prej lebrozëve po përpiqeshin vjedhurazi të shikonin se çfarë po bënte papa Krisanthi dhe mbetën të shtangur, nga ajo çka panë. Prifti po konsumonte Kungatën e mbetur, nga i njëjti potir me të cilin ishin kunguar edhe të sëmurët. Sapo doli nga hierorja të gjithë sa e ishin në kishë iu hodhën në qafë të përlotur. Prifti i befasuar nga ajo që po ndodhte, i pyeti se çfarë kishte ngjarë. Atëherë një nga lebrozët i tregoi, se prifti i parë përdorte dy potirë për kungim, një me të cilin kungohej ai dhe një që kungonte të sëmurët, nga frika se mos sëmurej edhe ai. Dhe potiri që papa Krisanthi kishte përdorur ishte pikërisht potiri, që prifti i mëparshëm përdorte vetëm për veten e vet. Ndërsa papa Krisanthi, jo vetëm që kishte përdorur të njëjtin potir, por edhe e kishte kosumuar atë, ashtu siç është e udhës dhe kjo i kishte mallëngjyer të sëmurët e ishullit.
Vitet kaluan dhe papa Krisanthi u bë një me lebrozët e ishullit. Nuk u sëmur asnjëherë nga lebra, por fitoi përgjithmonë zemrat e të sëmurëve të ishullit. Shërbeu në këtë ishull, derisa u largua prej tij edhe lebrozi i fundit. Banesën e dhimbjes dhe të vdekjes e bëri banesë të tijën dhe u largua nga ishulli në vitin 1963, kur pas gjetjes së mjekimit të lebrës ishulli u mbyll dhe nuk funksionoi më. Kështu papa Krisanthi u kthye përsëri në manastirin e tij, ku edhe fjeti më Zotin në moshën 82 vjeçare, jo nga lebra, por nga pleqëria, duke shkruar një histori tronditse dhe rrënqethse. Histori, që do të ishtë e pa drejtë të mos e ndaja edhe me të tjerët, për ato që ky prift i dashur, i shenjtë dhe plot besim bëri në ato vite të vështira.
