30 Μαΐου, 2020

“Mrekullia e madhe e Kishës”

Διαδώστε:

“Mrekullia e madhe e Kishës”

Për secilin që mëkatoi pas pagëzimit, mbeti si shpresë e vetme pendimi i sinqertë. Pra me këtë kuptojmë qe pendimi është pajtimi ynë me Perëndinë. Lavdi Perëndisë që ne mëkatarët nuk humbëm krejtësisht. Na ka mbetur akoma një shpresë. Nuk u zhduk dhembshuria e Perëndisë. Akoma predikohet pendimi tek mëkatarët, akoma ungjillizohet tek te varfëri, akoma shpërndahet kudo mëshira e Mbretit Qiellor.

Të kujtojmë pra ” Kthimi i Saulit”( Apostull Pavli) nga një përndjekës i të krishterëve në shërbëtorin e Perëndisë. Me këtë ngjarje kuptojmë pendimin e thellë të apostullit. Ngjarja e cila nga një anë tronditi zemrën e një përndjekësi dhe nga ana tjetër i dhuroji kishës një apostull, do jetë gjithmonë një nga mrekullitë e mëdha të kishës. Pavli dashurinë e Perëndisë nuk ishte e mundur ta harronte kurrë dhe asgjë nuk ishte e mundur ta ndante nga ajo.
Por ngjarje te tilla ka per të na treguar dhe jeta jonë, ndoshta nuk kanë dimesione mbi njerëzore, si në rastin e Pavlit, por ato u ngulitën thellë në jetën dhe në historinë tonë. Secili prej nesh ka Damaskun e tij dhe orën e Hirit. Nuk u mbyllën akoma dyert e njeridashjes, hiri i Perëndisë dhurohet tek të gjithë.

Akoma predikohet Ungjilli dhe “Qengji i Perëndisë”. Akoma lajmërohet Mbretëria e Perëndisë,shpëtojnë të krishterët e penduar dhe vijnë në Mbretërinë e Perëndisë edhe ata njerëz që janë të pastruar me anën e pendim~rrëfimit. Kujtojmë paravolinë e djalit plangprishës që u largua nga Ati, por u kthye i penduar tek Ati i tij. Ati ynë i dhembshur pranon bijtë plangprishës që kthehen nga vendi i largët, hap dyert e shtëpisë së Tij, u jep veshjen më të mirë, u vë unazën në dorën e secilit, u jep këpucë dhe u lutet gjithë shenjtorëve që të gëzojnë.

” Gëzohuni ju ëngjëjt dhe gjithë të zgjedhurit e mi”, mëkatarët, njerëzit, krijesat e mija që u krijuan sipas ikonës dhe shëmbëlltyrës, shpëtuan të humburit, u gjendën të vdekurit dhe u ngjallën, plangprishësit u kthyen. Ati ynë na pret me dridhërimë dhe me dëshirë. Sa do të kthehemi pranë Tij me dashuri do të na shohë nga larg, do të na shohë me sy te dhembshur dhe te mbushur me gëzim.
Pra, le të nxitojmë ne mëkatarët, le të nxitojmë tani që nuk ka kaluar koha, tani që Ati na pret akoma. Çfarëdo mëkati të kemi bërë të gjunjëzohemi me përulësi përpara shikimit të dhembshur të Perëndisë dhe të kërkojmë përdëllimin e Tij me zërin e tagrambledhësit : “Perëndi mëshiro mua mëkatarin”.

 

— facebook.com/MitropoliaFier

Διαδώστε: