24 Αυγούστου, 2020

Në dt. 24 gusht (që në dt. 23 gusht në mbrëmje) Kisha Orthodhokse feston Hierodëshmor Kozmain e Kolkondasit (apo siç njihet edhe më gjerë si Sh. Kozma Etolosin).

Διαδώστε:

 

Nderimi i tij si shenjtor lokal nisi në shek. XVIII, në të gjitha ato zona ku ai dha një kontribut të jashtëzakonshëm në zgjimin e ndërgjegjes së shtypur të orthodhoksëve nga nata e gjatë osmane, duke frenuar dukshëm islamizimin e këtyre trevave. Këtë e dëshmojnë ndërgjegjja e popullit orthodhoks shqiptar, afresket e ikonat, shërbesa kishtare për shenjtorin, Manastiri i tij ndërtuar nën kujdesin e Ali Pashë Tepelenës (1814-1815) dhe mbi të gjitha, e dëshmon nderimi i madh i gjithë popullit edhe atij joorthodhoks, kudo ku ai predikoi.

Dëshmi e këtij nderimi para vitit 1961, që hedh poshtë ato që pretendojnë antiorthodhoksët, mes shumë të tjerave, është ajo që kanë shkruar e botuar dy nga personalitet më të mëdha të Kishës sonë: Imzot Theofan Noli dhe Kryepiskopi i parë kanonik, Fortlumturia e Tij Kristofor Kisi.

Imzot Theofan Noli, në vitin 1947, në Boston, botoi Kremtoren (Të kremtet) e Kishës Orthodokse. Në parathënien e tij thotë se: “Përkthimin… e kemi bërë nga Gerqishtja, me përjashtimin e këndimeve të Shën Kozmait të Beratit, të cilin e parafrazuam nga versioni shqip i KryeHirësisë së Tij, Imzot Kristofor Kisi, Kryepeshkopit të Shqipërisë”. Dhe në faqet 754-763 jep shërbesën kishtare të këtij shenjtori (që ne sapo e kemi postuar sot para pak orësh, po këtu në fb).

Pra, Imzot Theofan Noli, që në 1947 (pra përpara viti 1961) e quan Shën Kozmai i Beratit dhe shërbesën e shenjtorit e merr nga botimi i vitit 1931 të Imzot Kristofor Kisit, i cili ka shkruar mjaft për Shën Kozmain.

Për Imzot Theofan Nolin dhe Imzot Kristofor Kisin, Shën Kozmai nuk ishte as antishqiptar e as “joshenjtor”, siç trumbetojnë disa zotërinj antiorthodhoksë.
– Afresk i shën Kozmait, shek. XIX, në Manastirin që i dedikohet po këtij shenjtori.
– Kopertinë e librit të Imzot Kristoforit për shën Kozmain “Jetëshkrimi dhe akoluthia e dëshmorit të ri dhe Isapostullit Shën Kozma”, Korçë 1931.
– Fragmente nga libri i Imzot Theofan Nolit, “Kremtore e Kishës Orthodokse”, Boston, 1947 (Libri liturgjik që përdorim sot në kishat orthodhokse të Shqipërisë)

Manastiri i Shën Kozmait u ndërtua nën kujdesin e Ali Pashë Tepelenës (1814-1815). Në shek. XX u shkatërrua pjesërisht nga përmbytja e lumit Seman. Pas vitit 1995 u rikonstruktua plotësisht me kujdesin dhe fondet e siguruara nga Kryepiskopi Anastas. Punimet e gërmimit dhe largimit të dherave nxorrën në dritë varrin e shenjtorit me pikturë murale të asaj kohe që mbi dy shekuj më parë, si dhe elemente të tjerë arkitekturorë me mjaft interes, që ishin mbuluar nga lymi i sjellë nga përmbytjet e lumit Seman.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

Διαδώστε: