Më 15 shtator, një ditë pas së kremtes së madhe të “Lartësimit të Kryqit të Nderuar”, që festohet botërisht prej të krishterëve, do të vinte në jetë Atë Erazmi Jorgo! Një shenjë si për të parathënë se jeta e tij do të identifikohej me Kryqin e Krishtit, një jetë e karakterizuar nga mundime, dhimbje, vuajtje dhe sakrifica, por edhe një jetë që kur merr përsipër të ngresh lart peshën e Kryqit, ashtu mistershëm jeta përshkohet nga një gëzim i patreguar, shpresë e parrëfyeshme dhe sigurisht prej triumfit të Ngjalljes, duke përjetësuar jetën dhe veprën! Sepse të identifikosh jetën me Kryqin e Krishtit, sigurisht nuk mund t’i dorëzohesh materies! E tillë ishte jeta e Atë Erazmit, që me përkushtim në udhën e besimit në Zot, dhuroi veten për ruajtjen e vlerave hyjnore dhe njerëzore pranë komuniteteve të ndryshme, në Lin të Pogradecit, në Vrakë të Shkodrës dhe në vazhdim në qytetin e Durrësit, duke ruajtur gjurmë të pashlyeshme të vlerave dhe trashëgimisë shpirtërore! Në përvjetorin e kalimit për në jetën përjetësisht me Zotin, që realisht kujtohet në muajin maj, një periudhë pas Pashke, për të vërtetuar thellë besimin e tij tek “Ngjallja e Krishtit” dhe sipas traditës së kishës në përkujtimore, kemi nxjerrë në pah virtytet dhe kontributin e tij! Ai i dha jetës kuptim dhe frymë, prej frymëzimit që lartazi, që nuk lidhet me botëkuptimet materialiste dhe nuk privohet prej mentaliteteve të kufizuara, apo prej ndalimeve plot paradokse, sepse “…fjala e Perëndisë nuk lidhet me pranga” (II Tim. 2: 9). Kështu edhe Atë Erazmi, pavarësisht izolimit prej regjimit, ruajti deri në fund të jetës “fjalën e Perëndisë” brenda tij, kreu shërbesën sipas mundësive dhe misionin shpirtëror tek të tijtë, të afërt dhe të largët, siç dëshmon edhe z. Kristaq Jorgo!
Mirënjohje për veprën e tij!
I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!