Themeli i të gjitha mësimeve kristiane është dashuria, ajo nuk mund të mungojë në zemrën e të krishterit të vërtetë. Zoti është Dashuria dhe besimtari në Krishtin duhet t’i ngjajë Atij, ai duhet ta ketë Krishtin në zemrën e vet dhe kështu, ai, që nuk do, nuk është i krishterë. Veprimi i parë i besimit te Krishti është ngjallja e dashurisë në zemrën e njeriut. Dhe kjo dashuri zbulohet në çdo veprim të tij. Para së gjithash, kjo dashuri i drejtohet Zotit, por dashuria për Zotin ngroh zemrën dhe të afërmin, “sepse ai që nuk e do vëllanë e vet, të cilin e shikon, si mund të dojë Zotin, të Cilin nuk e shikon?” (1 Jn.4:20). Dashuria e vërtetë nuk është një pamje e çuditshme, që zhduket nga zemra jonë qysh në takimin e parë, përkundrazi, ajo bëhet nxitje e çdo hapi të jetës sonë, ajo ndez tek ne shkëndinë hyjnore. Dashuria na mëson mëshirën për çdo fatkeqësi, për çdo pafuqi, qëndrimin e butë ndaj dobësive njerëzore, durimin në tundimet, butësinë midis fyerjeve dhe gatishmërinë e përhershme për çdo sakrificë. Me dashurinë në zemër ne do të jemi gjithmonë të gatshëm që të heqim gjithçka, të japim gjithçka, të vuajmë për vëllezërit tanë.
