Koment nga Isaia 9:8-10-4
Në vazhdimësi Isaia në një farë mënyre duket sikur harron të ardhmen e lumtur, që e pret popullin e Perëndisë me ardhjen e këtij Djali, dhe shikon shkatërrimin, që po vjen në një të ardhme të shpejtë. Fletë për vdekjen, që do të bjerë te populli i Izraelit si një dënim nga Perëndia për shkak të mëkateve të tyre. Atëherë do të mësojnë krenarët dhe fodullët se cila është dora e zemërimit të Perëndisë. E megjithatë ata do të mbeten të papenduar për shkak të egoizmit të tyre. Në vend që të pendohen dhe të pohojnë se shkelën dëshirën e Zot, dhe të thonë “ejani me pendimin tonë të heqim barrën e rëndë të zemërimit hyjnor, që është mbi ne”, ata “blasfemojnë” (Kirili 261). Pra do të refuzojnë ndihmën e Perëndisë, domethënë përikjen me besimi te Ai, që Isaia ofron në emër të Zotit. Në vend të saj do të thonë: “U mundëm sepse muret tona nuk ishin të mira, por ishin prej plithari. Prandaj le të ngremë tani jo mure prej plithari (qerpiç), por prej guri dhe le të presim fiq dhe kedra për të forcim më të mirë. le të ndërtojmë dhe kulla, që të jemi më të sigurt”. Me këto fjalë të tyre, të cilat të kujtojnë ato që kishin thënë ata që dikur po ndërtonin kullën e Babelit (Shih dhe Zan.11:1-9), tregon këmbënguljen dhe mos pendimin e tyre si dhe egoizmin e tyre të fortë.
Dënimi hyjnorë do të bjerë sipër tyre me rrëmbimin e një katarakti. Ata të cilët ishin ngritur kundër malit të Sionit (domethënë siroefremitët), do të shkatërrohen. Sirianët dhe Samaritanët, që ishin armiqtë e tyre do të shpërndahen. Por njëkohësisht profeti parathotë edhe shkatërrimin e aleatëve të mbretërisë veriore të Izraelit, të cilën në fakt ishin armiq të tij që kishin bërë të pamundurën ta shkatërronin atë. Kur thotë për Grekët, kupton Filistejtë (vrg.11), të cilët konsiderohen se i përkasin “kategorie etnologjike me Grekët” (PIM 152). Por ishte e natyrshme, për shkak të lëvizjes së popullsisë, që ndodhte herë pas here për shkak të tregtisë, që të jetonin midis filistejëve dhe disa grekë. Filistejtë kanë qenë kurdoherë armiq të Izraelitëve. (Shih dhe Gjyq.13:1, 15:9-14, 1Mb.4:1-11).
Ky dënim, shton (profeti), nuk to të ishte i vetëm. Do të vinin edhe të tjerë, sepse Izraelitët qëndronin të papenduar. Prandaj dhe thotë, me gjithë atë goditje që morën izraelitët krenarë, zemërimi i hyjnor nuk u zbut, por vazhdon të mbetet e shtrirë dora e Zotit, gati të bjerë përsëri sipër tyre. Është gjë e tmerrshme mos pendimi; të vazhdojë të jetojë dikush në padrejtësi, pavarësisht se është dënuar ashpër për të. (Fj.Urt.18:3, Zb.9:20).
Ky mos pendim këmbëngulës, vazhdon Isaia, do të tërheq përsëri mbi ta zemërimin e Zotit. Do të zhdukë Zoti “kokë dhe bisht, të vogël dhe të madh” në shtetin e Izraelit, domethënë parinë dhe popullin. Do të shkatërrojë gjithashtu çdo “plak”, i cili duket sikur kishte një autoritet në shoqëri, por për shkak të largimit të tij nga besimi në Zotin, do të ishte si një i marrë dhe mendjelehtë. Do të shkatërrojë gjithashtu edhe gjyqtarët, të cilët nuk gjykojnë me asnjanësi, por iu japin të drejtë të pasurve pasi kanë marr ryshfet prej tyre. Paria, shpjegon Isaia është krye, koka, ndërsa profetët e rremë janë bishti. Flet kështu për profetët e rremë, sepse nuk ishin të thirrur si të tillë nga Perëndia, por nga vetvetja dhe shfrytëzonin popullin, prandaj nuk meritonin asnjë nderim. Por edhe populli kishte faj, sepse të gjithë kënaqeshin me predikimet e këtyre profetëve të rremë, të cilët paraqisnin se gjithçka ishte shumë mirë, sikur të mos kishte asnjë problem. Diçka e tillë ndodh edhe sot me udhëheqës partie dhe pasuesit e tyre. Kështu që ishte e drejtë që bashkë me fajtorët kryesor, parinë dhe profetët e rremë, të cilët do të dënoheshin të parët, të dënoheshin edhe izraelitët e tjerë, pa asnjë dallim, qoftë edhe ndaj jetimëve dhe të vejave, sepse të gjithë ishin të zhytur në ligësi. Por me gjithë dënimin e tyre nuk u zbut zemërimi i Perëndisë, sepse mëkati i tyre ishte i madh, prandaj dora e Zotit qëndronte e ngritur, që t’i godiste përsëri (vrg.13-16).
Do të thoshim se nuk iu dha një goditje të vetme dhe fatale, por pak e nga pak, si një Atë pedagogjik që pret pendimin e tyre. Por ata vazhdonin të qëndronin të papenduar. Është karakteristike që tre herë përsëritet e njëjta frazë; “megjithëkëtë zemërimi i tij nuk qetësohet dhe dora e tij mbetet e shtrirë” (vrg. 12, 16, 20). Theksohet kështu sesa e madhe është e keqja e izraelitëve, por njëkohësisht edhe qëndrimi pedagogjik i Zotit kundrejt tyre.
Pasojë e dënimit të Perëndisë do të jetë shkatërrimi i popullit. Mëkati ka brenda tij farën e shkatërrimit. (Shih dhe Ps.72:27, U.Sir.6:4, Rom.6:23). Nëse Perëndia heq hirin e tij nga një popull, nuk ka se kush të shpëtojë. Madje profeti përdor ikonën e zjarrit në pyll, për të treguar shkatërrimin e madh, që e pret popullin e papenduar. Gjithashtu e ngjason këtë popull me ferra dhe gjemba, të cilat përhapet dhe shumohet me shumë lehtësi në ara. Kështu është përhapur dhe shthurja në popull, të cilin e pretë shkatërrimi një tërësor, ashtu si edhe zjarri që nuk lë asnjë gjurmë të ferrave dhe gjembave.
Do të hahen me njëri-tjetrin nga një luftë civile, shton Isaia ku patjetër rrënja e zilisë midis tyre ishte shumë e vjetër. (Shih dhe Zan.44:13-14, Gjyq.8:1). Për shkak të mëkatit do të shfuqizohen ligjet e vëllazërisë dhe të lidhjes së gjakut dhe njerëzit do të bëhen si kafshët të egra mishngrënëse. Fiset e Izraelit do të luftojnë me njëra-tjetrën (përmenden këtu vetëm dy fise Efremi dhe Manasi, sepse këta ishin më të rëndësishmit), por kur duan që të sulmojnë mbretërinë e jugut, Judenë, megjithëse kishin kundërshtime dhe luftë midis tyre, do të bashkohen dhe e sulmojnë së bashku! Nuk mund të paraqiteshin me më shumë gjallëri ashpërsia dhe paralogjizmi, në të cilën të çon mëkati. (Shih dhe Gal.5:15) (vrg.17-20).
Megjithatë dënimin e vëllavrasjes, që ishte pasojë e mëkatit dhe të braktisjes nga Zoti, dora e Perëndisë qëndronte e ngritur kundër tyre. Dhe kjo sepse qëndronin të papenduar. Pikërisht këtu të çon mos pendim, që vjen për shkak të ngurtësisë së mëkatit. Perëndia të na ruaj nga një katandisje e tillë. (Shih dhe Heb.3:13).
Kapitulli X-të
Ky kapitull fillon me fjalën “mjerë”, e cila ka të bëjmë me “mundimin e parisë dhe gjykatësve të popullit” (PIM 157). Shpjeguesit mendojnë se kjo u drejtohet zyrtarëve mbretëror, të cilët jepnin vendime të padrejta në dëm të të varfërve, të të vejave dhe jetimëve, të cilët nuk kishin mundësi të kërkonin të drejtën e tyre. Kështu shkelnin ligjin ata të cilët duhet të ruanin drejtësinë dhe shfrytëzimi i të dobëtëve u bë diçka institucionale (vrg.1-2).
Kundrejt këtij degjenerimi të përgjithshëm, Isaia me tre pyetje retorike “çfarë do të bëni?”, “ku do të shkoni?”, “dhe kujt do t’ia lini pasurinë (lavdinë O’)?”, parqet pashmangshmërinë e dënimit. Përgjigjja ndaj të tre pyetjeve është negative. Sado që u thotë që nuk ka shpresë shpëtimi, për derisa Perëndia i gjithëfuqishëm nuk është me ju. “Ku do të shkoni o judenj për ndihmë, për derisa unë jam kundërshtari juaj?” (Theodhoriti 304).
“Dita e ndëshkimit”, që referohet në vargun 3, është ajo ditë, në të cilën Zoti do të vizitojë popullin e Tij, si një dënues i drejtë. Kemi të bëjmë me ditën, kur ata do të sulmohen nga asirianët, të cilët do të përdoren si vegla të dënimit të Tij, por edhe në përgjithësi me çdo ndërhyrje të Perëndisë në historinë e popullit të Tij për të dënuar të paligjët. Ndërsa për gjithë botën “dita e ndëshkimit” është dita e Gjykimit të gjithë botës “kur do të na vizitojë të gjykojë veprat tona” (PT 137). (Shih dhe Os.9:7, Am.8:9, Mt.7:22, 12:36, Vep.17:31).
Fraza “shkatërrimi që do të vijë nga larg” (vrg.3) do të thotë se fatkeqësia nuk do të vijë nga vendet fqinje, por nga larg. Sipas shën Kirilit ta Aleksandrisë “kupton këtu sulmin e pushtimin asirian dhe nënshtrimin prej romakëve” (PG 70, 280). Të dy këta popuj, të cilët munduan judenjtë, erdhën nga larg. Për këtë rast të gjithë shpjeguesit bien dakord se kemi të bëjmë me asirianët. (Shih dhe Is.13:5, Jer.25:9).
Kur do të sulmojnë kundër jush këta armiq, shton Isaia, nuk do të keni ku të lini “lavdinë tuaj”, të cilën kishit përfituar në mënyrë të paligjshme (vrg.4). Do t’i humbisni të gjitha. “Gjithë ç’ka keni, pasuria e madhe dhe lavdia juaj fisnike do të zhduken prej monarkut asirian”.
Me gjithë këto dënime ndaj popullit fajtor, përsëri dora dënuese e Perëndisë mbetet e ngritur, sepse nuk ka ndodhur tërësisht pendimi i popullit të Tij. Prandaj do të vijnë dënime të tjera pedagogjike (vrg.4).
