05 Μαρτίου, 2026

Ngjarje nga Kisha Fjala e Imzot Dhimitrit, ish-Kryepiskop i Amerikës Konferenca Ndërkombëtare: “Anastasi: Kryepiskop, Theolog, Hierapostull”

Διαδώστε:

Miku i ngushtë kujton…
Ishte shtator i vitit 1947 kur u takova për herë të parë në jetën time me Kryepiskopin Anastas. Në atë kohë, isha student i vitit të dytë në Fakultetin e Theologjisë në Universitetin e Athinës, ndërsa Anastasi sapo kishte hyrë në Fakultet si student i vitit të parë. Që atëherë kemi qenë miq të ngushtë deri në ditën e tij të fundit në tokë, më 25 janar 2025. Kjo do të thotë se ishim në miqësi të ngushtë për gati 80 vjet. Pavarësisht se në disa raste ishim në vende të ndryshme, veçanërisht në dekadat e fundit të jetës sonë, ai në Shqipëri dhe unë në Amerikë, megjithatë ruajtëm gjithmonë komunikim të fortë dhe të pandërprerë. Një komunikim që, për të dy ne, u bë një rast i çmuar për rritje në Krishtin, për ndihmë të ndërsjellë në kohë vështirësish dhe krizash, për pasurim theologjik dhe për zgjerim të disiplinave tona të dijes dhe shkencës. Kujtoj shumë qartë pranverën e vitit 1948, kur ishim së bashku gjatë Javës së Madhe në Shërbesën e së Enjtes së Madhe, ku, siç dihet, leximi i parë i Ungjillit në këtë shërbesë është lexim jashtëzakonisht i gjatë nga Ungjilli sipas Joanit kapitujt 13 deri në 17. Vura re që Anastasi dukej se ishte shumë i impresionuar nga dëgjimi i Ungjillit.
Pas leximit, ai më pyeti: “A e vure re përmbajtjen e këtij teksti biblik?”
“Sigurisht”, – i thashë unë.
“Epo, tha ai, në këtë tekst Zoti u drejtohet dishepujve të tij në kapitujt 14, 15 dhe 16, ndërsa në kapitullin 17, Ai i drejtohet Atit të Tij qiellor dhe i ofron atë lutjen unike. Dhe në këtë lutje Zoti i lutet Atit të tij Qiellor, që dishepujt e tij dhe pasuesit e tyre të jenë të bashkuar. Në fakt, ai përdor shprehjen e fuqishme që ‘të jenë një’ në vend të ‘të jenë të bashkuar’. “Që të gjithë të jenë një, sikurse ti, o Atë, je tek unë, dhe unë tek ti, edhe ata të jenë një tek ne; që të besojë bota se ti më dërgove (Jn. 17:21).
“Kjo, vazhdoi miku im, është një tregues i qartë për të gjithë ne për rëndësinë jetësore të kultivimit të unitetit midis besimtarëve. Dëgjoj një thirrje vendimtare dhe të qartë për ne, tha ai, dhe mendoj se për mua kjo do të jetë thirrje për jetën. Këtë tha Anastasi, në atë kohë kur ishte student i vitit të parë në Shkollën Theologjike. Dhe kjo gjë mbeti boshti i përqendrimit dhe veprimit për të gjithë jetën e tij. Megjithatë, siç dihet mirë, kjo pati një shtesë tjetër shumë të rëndësishme. Kur ishte studenti i vitit të parë të Theologjisë, Anastasi dëgjoi dhe lexoi vazhdimisht fundin e Ungjillit të Mattheut, ku Zoti, pak para Ngjitjes së tij në Qiell, u drejtohet dishepujve të tij për herë të fundit në shfaqjen e tij tokësore dhe u thotë: “Shkoni pra e mësoni gjithë kombet dhe i pagëzoni në emrin e Atit e të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë (Mt. 28, 19).
Në atë kohë, miku im i mirë dhe bashkëstudenti im, Anastasi, më tha: “Kjo tani duhet të jetë pika e dytë jetike (thelbësore) e misionit tim. Pika e parë ishte promovimi i unitetit midis besimtarëve. Pika e dytë është promovimi i Ungjillit të Krishtit në të gjitha kombet e dheut”. Këto dy pika të shenjta dhe shpirtërisht të pazëvendësueshme u bënë pasioni i tij i shenjtë dhe i pashuar dhe përkushtimi i tij i pakompromis dhe plot kujdes që nga viti i parë në Universitetin e Athinës në vitin 1947 deri në momentin e fundit të jetës së tij tokësore në vitin 2025, në Spitalin “Evangelismo” në të njëjtin qytet.
Pas diplomimit në Fakultetin e Theologjisë në vitin 1951 dhe deri në dorëzimin e tij në dhjakon në vitin 1960, ai u shërbeu si theolog laik nxënësve të shkollave të mesme, studentëve të universitetit dhe shkencëtarëve të rinj. Gjatë kësaj periudhe dhjetëvjeçare, së bashku me theologë të tjerë të rinj, patëm mundësinë të ndërgjegjësohemi për një veprimtari të madhe të njohur si hierapostullimi i brendshëm. Në të gjitha këto veprimtari hierapostolike, veçanërisht në shërbimin ndaj studentëve dhe shkencëtarëve të rinj, punuam së bashku dhe kështu pata mundësinë ta vlerësoja mikun tim të ngushtë, Anastasin, si theolog, mësues dhe organizator krijues.
Në të gjitha rastet, pavarësisht nga temat specifike, ai gjithmonë gjente mundësinë të përfshinte referenca, ide dhe informacione mbi veprën hierapostolike të Kishës. Ai e bënte këtë pas hirotonisjes të tij, kur ia kushtoi kohën çështjeve të punës së hierapostullimit, përgatitjes për të ose organizimit të mënyrës më të mirë për ta filluar atë. Megjithatë, ai bënte këtë njëkohësisht edhe me angazhimin dhe shërbesën e tij në Kryepiskopatën e Athinës si Drejtor i Përgjithshëm i Apostolikí Diakonia (Shërbimit Apostolik) të Kishës së Greqisë. Në të njëjtën kohë, ishte profesor i rregullt në Fakultetin e Theologjisë të Universitetit të Athinës. Gjatë kësaj periudhe, ai u hirotonis edhe episkop ndihmës me titullin Episkopi i Andrusës.
Në atë kohë, të gjithë jetonim në kontekstin historik të periudhës së Luftës së Ftohtë dhe Perdes së Hekurt dhe Anastasi vendosi të angazhohej plotësisht në veprën hierapostolike dhe në veprimtaritë e detajuara në Afrikë. Si rezultat, ai kaloi një kohë të gjatë duke bërë veprimtari nismëtare hierapostolike. Është e rëndësishme që ai e bëri këtë lloj veprimtarie pavarësisht se vuante nga sëmundje të ndryshme dhe pati një aksident automobilistik që i shkaktoi probleme të konsiderueshme syve.
Në një kohë, konkretisht në dekadat e vitit 1970, patëm një dhuratë nga Zoti që të jetonim në të njëjtën zonë gjeografike. Kjo ndodhi ngaqë atë Anastasi (atëherë) dhe anëtarët e familjes së tij vendosën të zhvendoseshin nga vendbanimi i tyre i parë në periferi të Athinës, Kipseli, në periferi të Neo Psikikosë. Qartazi, me anë të providencës hyjnore, ata gjetën shtëpi të përshtatshme vetëm një lagje larg shtëpisë së prindërve të mi, ku jetoja edhe unë kur isha në Athinë. Në këtë mënyrë, vizitonim shpesh njëri-tjetrin, dhe, pas disa kohësh, nëna ime, zonja Jorgjia, e konsideroi Anastasin djalin e saj të tretë, së bashku me mua dhe vëllanë tim Anthiu.
Po ashtu edhe zonja Roksani, nëna e Episkop Anastasit (tashmë), më konsideronte si djalin e saj të adoptuar. Në periudhën midis viteve 1960 dhe 1991, Episkop Anastasi, ndër të gjitha veprimtaritë e tjera, kryesisht atë hierapostolike në të cilën ai ishte shumë i përfshirë, u përball seriozisht edhe me vendimin e tij të fortë për të promovuar unitetin midis të krishterëve. Si pasojë, ai ishte pjesëmarrës në disa dialogë midis orthodhoksëve, katolikëve dhe protestantëve, duke ofruar gjithmonë dhe pa kompromis perspektivë të plotë theologjike orthodhokse. Edhe këtë e bëri në një mënyrë mbresëlënëse pa ofenduar apo nënçmuar asnjë pjesëmarrës joorthodhoks të asnjë Dialogu.
Megjithatë, realizimi i plotë i ëndrrave të tij për unitetin e të krishterëve dhe për përhapjen e Ungjillit u realizua në vitin 1991 kur Episkop Anastasi u emërua nga Patriarkana Ekumenike Locum Tenens në Shqipëri, dhe kur, një vit më vonë, u zgjodh Kryepiskop i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Siç e dimë, kjo ndodhi pas rënies së Bashkimit Sovjetik, duke e lënë Shqipërinë tani një vend të lirë. Vend i lirë, por i shkatërruar plotësisht nga vitet e gjata të komunizmit, të cilat ishin vite të persekutimit më të tmerrshëm të të krishterëve dhe fesë në Shqipëri. Si rezultat, Kryepiskopi Anastas tani po përballej me një fushë të hapur për zhvillim të plotë të punës hierapostolike, sepse ai po punonte në ndërtimin nga zeroja. Ai duhet të formonte klerikët, episkopët, të ringrinte qindra enori, të restauronte qindra kisha. Ai po përballej me një punë të pamundur. Megjithatë, të gjithë e dimë se ai u angazhua plotësisht në punën e restaurimit, ripërtëritjes dhe krijimit të kushteve për një funksionim të duhur të një Kishe. Në të njëjtën kohë, Kryepiskopi Anastas, tani si kreu i një Kishe Autoqefale, punonte me intesitet për unitetin midis orthodhoksëve nëpërmjet takimeve me Primatët e Kishave Orthodhokse Autoqefale, veçanërisht në dritën e përgatitjes së një Sinodi Orthodhoks, i cili u zhvillua në vitin 2016. Sot, shumë njerëz i referohen si mrekulli asaj që Kryepiskopi Anastas realizoi në Shqipëri. Ata flasin për ringjallje të vërtetë, për ndërhyrje reale të fuqisë hyjnore, për të pasur rezultate që shikojmë sot në Shqipëri.
Pa dyshim që vepra gjigante krijuese e Kryepiskopit Anastas është rezultat i pranisë së fortë të hirit dhe fuqisë së Perëndisë. Pa dyshim që kemi para nesh një mrekulli të triumfit të besimit. Megjithatë, më lejoni të sjell në vëmendjen tonë sot një element shumë të rëndësishëm, vërtet vendimtar për sa i përket asaj që u realizua në Shqipëri. Nuk është vetëm karakteri, as dhe personaliteti i Anastasit, është diçka që ka të bëjë me intelektin e jashtëzakonshëm të Anastasit. Unë e di prej vitesh që ai ka qenë jo thjesht një mendje e ndritur apo e shkëlqyer, por gjeni i vërtetë që kombinon një fuqi të jashtëzakonshme analitike, mirëkuptim shumë të shpejtë dhe një kujtesë të mahnitshme. Kapacitetet e jashtëzakonshme intelektuale të Kryepiskopit Anastas ishin të rëndësishme në formimin e asaj që ai krijoi, krahas faktorit të besimit të përfshirë në mrekullinë e Shqipërisë.
Gjatë viteve që e kam njohur, ka pasur shumë raste në të cilat shfaqeshin cilësitë dhe fuqia e tij e pazakontë mendore, pavarësisht nga fakti se Anastasi nuk donte ta shfaqte atë. Me lehtësi ai doli nxënës i shkëlqyer në shkollë të mesme, merrte notat më të larta në të gjitha lëndët që ndiqte në Universitetet e Athinës, Greqi dhe në Marburg, Gjermani, i përfundoi studimet në Universitetin e Athinës në atë që – në mjedisin amerikan – do të quhej Magna Cum Laude , ose, sipas një klasifikimi tjetër, shumë më lart se limitet 400. Ai mbrojti Doktoraturën Theologjike me vlerësim të shkëlqyer dhe u emërua profesor në Universitetin e Athinës me votë unanime.
Tregues i shkëlqimit të mendjes së Anastasit është botimi i veprës së rëndësishme me titull “Islami”, në një kohë kur kërcënimi islamik nuk ishte ende i dukshëm. Shkëlqimi mjaft depërtues dhe hetues i Anastasit parashikoi zhvillimin e ardhshëm të pranisë islame në historinë bashkëkohore. Më kujtohet edhe një rast tjetër që zbuloi sërish aftësinë e pazakontë intelektuale të Anastasit. Ai, së bashku me dy persona të tjerë, ndoqi një kurs privat të gjuhës gjermane me perspektivë për studime të mëtejshme në Gjermani. Të dy theologët e tjerë që ndoqën kursin me të, ishin njerëz me inteligjencë të lartë; megjithatë, Anastasi përparoi në njohuri dhe aftësi të gjuhës gjermane, në gjysmën e kohës që u nevojitej dy të tjerëve.
Këto janë vetëm disa nga shumë rastet në të cilat u shfaq aftësia intelektuale vërtet shumë e përparuar e Anastasit, aftësi që është pjesë e veprës së jashtëzakonshme të Kryepiskopatës së Anastasit në Shqipëri. Ishte dhuratë nga Perëndia që Kryepiskopi Anastas ishte, për 34 vjet, kreu i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Ishte dhuratë nga Perëndia. Anastasi i ofroi Kishës një personalitet të jashtëzakonshëm për sa i përket karakterit, përkushtimit ndaj Perëndisë, përkushtimit ndaj popullit dhe qartësisë së perspektivave.
Meqenëse ishte i pajisur me një mendje shumë të fortë, Kryepiskopi Anastas kishte urtësinë për të menduar plotësisht për të ardhmen e Kishës në Shqipëri, për atë që do të ndodhte pas largimit të tij. Prandaj, ai ishte jashtëzakonisht i kujdesshëm në formimin e Sinodit si edhe një grup të fortë priftërinjsh për të shërbyer në Kishën e Shqipërisë. Ai mendoi edhe për nevojat financiare të Kishës dhe mendoi e krijoi një plan për prodhimin e energjisë, duke përdorur forcën natyrore të ujit (hidrocentrali). Me këtë krijim të pazakontë, ai siguroi në një shkallë të arsyeshme ndihmën financiare të Kishës Shqiptare. Gjithashtu, ai mendonte paraprakisht për pasardhësin e tij dhe, që nga fillimi, kishte me vete një klerik të ri të shquar, i cili në fakt e pasoi atë dhe të cilin kemi nderin e madh ta kemi midis nesh në këtë konferencë, Kryepiskopin Joan.
I përjetshëm qoftë kujtimi i mikut dhe vëllait tim të dashur Anastas, dhe Perëndia e bekoftë veprën e tij dhe veprën e pasardhësit të tij, Kryepiskopit Joan, dhe e udhëheqtë Kishën e Shqipërisë në rrugën e shpalljes së pandërprerë të Ungjillit dhe unitetit të të gjithë të krishterëve.

Media Ngjallja, 04 Mars 2026

media.ngjallja.org

Διαδώστε: